22.5 C
Tiranë
E premte, 18 Korrik 2025

HOMAZH PËR PILOTIN USHTARAK TË KLASIT TË DYTË MENTOR MUHARREM RRUGIA

 

 

Publikoj Gjin Musa (Te ndjerin MENTOR RRUGIA E PATA KOMANDANT TE EKUIPAZHIT NE HELIKOPTERIN MI-4 ME NR.6-43.I PERJETSHEM QOFTE KUJTIMI I TIJE.)

Shkruar nga Njiazi Nela

 

Mentori u lind në qytetin e Durrësit, më 5 mars, të vitit 1942, në një familje atdhetare, me traditë qytetarie.Mentor Rrugia Prindërit, Kimete e Muharrem Rrugia, lindën e rritën 5 fëmjë, katër djem dhe një vajzë. Mentori ishte fëmija i parë. Mësimet shtatëvjeçare i mori në shkollën: “Kristaq Boshnjaku” të qytetit. Pastaj bëri 3 vite gjimnaz në shkollën “16 shtatori”, në qytetin e lindjes. Në çdo klasë, ai u shqua si nxënës i rregullt, me sjellje të mirë e me vullnet, për të mësuar. Familja tipike durrsake e tij, e ushqeu Mentorin me veti e virtyte njerëzore nga më të mirat. Kudo ku mësoi e punoi, durrsaku virtuoz la gjurmë si njeri i kulturuar, me edukatë të shëndoshë, serioz e me vullnet të fortë për të kërkuar e mësuar, gjithnjë duke marrë anën e së resë progresive. Babai i tij, Muharremi, ishte avokat me emër, i nderuar e i respektuar, në qytetin e Durrësit ku jetoi e punoi.

Në familje, në shkollë e në shoqëri, Mentori u mbrujt me dashuri për prindërit, vëllezërit e motrën, për të afërmit e gjithë sa ishin rreth tij.  Ai u formua me tipare të shëndosha të karakterit e dallohej për urtësi, zgjuarsi, mençuri, qetësi, logjikë të shëndoshë. Ishte zemërmirë, i drejtë e i ndershëm, studiues kureshtar, qytetar model e atdhetar i përkushtuar.

Në muajin korrik të vitit 1959, vetë i gjashtëmbëdhjetë, Mentori u nis për studime, në Bashkimin Sovjetik, me anijen “Kirgiz”. Pas katër ditë e netë lundrimi, grupi i studentëve shqiptarë ndaloi në Odesë e, prej andej, me tren, u drejtua për në Shadrinsk (Siberi) ku do të studionin në shkencën e aeronautikës, për navigatorë fluturues. Shokë grupi të Mentorit ishin: Perlat Lako; Petrika Kostani; Viktor Vangjeli; Jorgaq Çipi; Jorgo Tabaku; Xhulian Popa; Enver Muça; Flamur Dede; Besnik Hashorva; Spiro Moçka; Llazi Rrapi; Hivzi Minxha; Sabri Çiku dhe Ylber Laknori. Në shkollën e aviacionit, në Shadrinsk, djemtë nga Shqipëria, deri në pranverën e vitit 1960, mësuan teorinë e navigimit dhe fluturuan në avionët Li-2, në rolin e navigatorit të ajrit.

Pranvera e vitit 1960, i gjeti ata në qytetin Jugor të Krasnodarit, ku vijuan mësimet teorike dhe praktikën e fluturimit. Kjo rutinë nuk mund të shkonte përtej shtatorit të vitit 1961, kur grupi i tyre, si gjithë studentët e aviacionit, u përzunë, dhunshëm, nga shkolla dhe nga territori sovjetik. U kthye në Durrësin e tij të dashur, Mentori dhe në atë fundviti u nis për në Kinë, me anijen oqeanike shqiptare “Durrësi”. Plot 56 ditë (netë) lundroi nëpër dete e oqeane, Mentori dhe shokët e tij, mes peripecive të padëgjuara. Do të ndryshonin profil, në shkollën kineze të aviacionit; do të mësonin për pilotë gjuajtës-bombardues. Në atë lundrim të gjatë, i cili na mërziti, u njoha me Mentorin e shokët e tij. Më bëri përshtypje një gjë interesante: Qendruam aq shumë kohë në një sipërfaqe kuverte rreth 300m katrore e nuk më ra në sy, si shokët e tjerë. Ishte i qetë e nuk përzihej Mentori.

Kur shkuam në shkollën e Tretë të aviacionit kinez, në qytetin Çin Zhou të Mançurisë, u njoha e u miqësova me Mentorin. Studiuam në të njëjtët auditore e fluturuam në aerodrome të përbashkët; në Liu Shi Bao e në Sui Xun. Na puqeshin karakteret, prandaj u bëmë shokë e miq të mirë. Me Mentorin, në kohën e lirë luanim ping-pong, shah e domino dhe lojën kineze me letra: ”Njanja”. Ai ishte mjaft i zgjuar e i shkathët dhe dilte fitues. Ishte i shkathët, në lojërat e tavolinës; unë isha i prirë pas sporteve të rënda.

Që nga koha kur u njohëm, deri sa u ndamë, në vitin 1992, kemi punuar, së bashku; herë në të njëjtin repart e herë brenda të njëjtës njësi, asaj të aviacionit. Në Kinë, Mentori u diplomua pilot gjuajtës –bombardues, në aeroplanët Mig-15 Bis dhe pas kthimit në Atdhe, në fund të vitit 1963, u emërua pilot, në Regjimentin e Aviacionit të Qytetit “Stalin”. Fluturoi atje, deri në vitin 1966, kur, për shkaqe shëndetësore, doli i paaftë për të fluturuar në aeroplanët reaktivë e kaloi në ata me helikë An-2. Kur u formua Regjimenti i Helikopterëve, në vitin 1967, Mentori ishte ngatë parët që u përgjigj thirrjes për të kaluar në helikopterin Mi-4, ku mund të them se “gjeti veten”.

Sa e kam njohur, Mentor Rruginë mund ta veçoj si një njeri të qetë, të matur, të edukuar e të kulturuar. Nuk nxitohej kurrë Mentor Rrugia por i zgjidhte problemet me qetësi, paanësi e disi me pjekuri. Ai ishte i etur për dije dhe studionte literaturë artistike dhe tekniko-shkencore, në mënyrë të thelluar; në gjuhën tonë e në Rusisht, gjuhë të cilën e kishte fort për zemër. Gjatë fluturimeve me helikopterin Mi-4, Mentori mori pjesë aktive, në të gjitha detyrat dhe aksionet që kreu regjimenti; ditën e natën duke ardhur vazhdimisht në rritje profesionale. Në ajër ishte i qetë, i matur e kurajoz. Njihte mirë terrenin ku vepronte helikopteri dhe ishte tepër i saktë në zbatimin e instruksioneve e rregulloreve të fluturimit. Njohja e pjesëve materiale dhe teknologjisë të shfrytëzimit të helikopterit Mi-4, prej tij, ishte emocionuese.

Sjellja e Mentor Rrugisë ishte qytetare dhe ai nuk e nxirrte fjalën nga goja, pa e “përtypur mirë” atë. Mentor “Mentari”, nuk e hidhte fjalën “dëm” por i gjente vendin asaj. Kjo ia kishte rritur vlerat si pilot e kuadër dhe për metodë të mirë pune, e si njeri me kulturë të gjerë, ai u caktua instruktor i teknikës së pilotimit dhe komandant zvene.  Tek Mentori njoha një njeri, i cili, kurrë nuk përgojoi të tjerët. Për të ishin të huaja konformizmi, servilizmi e izma të tjerë. Ai kishte mendimin e tij të pavarur dhe e thoshte fjalën hapët, siç e mendonte gjënë, pa pyetur si do të pritej nga të tjerët. I shoqërueshëm,  I ëmbël, korrekt e dashamirës, i tillë mbeti, deri në fund të jetës piloti Mentor Muharrem Rrugia.

Vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e tij të dashur, në Durrës. Ndihej mirë Mentori, në qytetin e të parëve të tij dhe kujdesej shumë për familjen e origjinës e atë që formoi vetë dhe për të tijtë. U nda nga jeta, papritur, nga një sëmundje e rëndë, më 29 mars të vitit 2014. Do ti mungojë bashkëshortes, fëmijëve, të afërmve, shokëve e miqve të shumtë që bëri gjatë gjithë jetës.

I paharruar qoftë kujtimi i tij, i ndritur, ti rrojnë ata që ka lënë pas!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.