Letër e hapur publike mikes sime të nderuar, poetes, shkrimtares dhe veprimtares së madhe, Kristina Demiri Dojçe
Princeshë e Kombit, Ambasadore e Kombit, që ndërton ura dashurie panshqiptare…
Shumë e nderuar mike!
U gëzova shumë kur mësova lajmin se nga Samiti i Diaspores Ministri Diasporës, mbledhur në Tiranën e një mijë e një mrekullive, tashmë të rilindura nga hiri si fensiki, autoritetet më të larta të shtetit shqiptar iu kishin akorduar titullin e lartë “Ambasadore e Kombit”.
Nga shumë e shumë gjëra të bukura që ndodhën në atë samit dhe që ne të gjithë e ndoqëm me gëzim e shpresë, kjo ndoshta ishte gjëja me e bukur dhe më me vend dhe këtë nuk e them se jeni një mike e mrekullueshme, por se vërtet e meritoni, pasi me zemër në dorë e shpirt të çliruar gjithmonë keni rendur me vrull e ngazëllim të bëni më të mirën e mundshme për shqiptarinë tonë, për atë folezën e ngrohtë të mallit e mungesës, të pikëlimit të ëndrrës dhe vrundujve të pasioneve më të bukura të racës njerëzore, me të cilat ju jeni identifikuar si grua e hekurt, si bashkëshorte, si nënë, si krijuese e talentuar, si veprimtare e palodhur dhe gjithë përkushtim për të mbrojtur jo thjeshtë një kauzë feministe, por kauzën njerëzore të dashurisë pa filtra, pa kushte e pa limite.
Selaniku, qyteti i kryqëzimit të kulturave orientale e perëndimore, me atë sharmin e tij vezullues dhe pasionant, të dha magjinë e kërkimit e plotërimit dhe ti i dhe këtij qyteti shpirtin tënd të pastër, dëshirën e paskaj që shqiptarët të ndihen mirë në këtë qendër metropolitane, të ndihen evropianë, të ndihen qytetarë të një bote të lirë, por mbi të gjitha të ndihen shqiptarë e shqiptarisht të përcjellin mesazhe të bukura njerëzore.
Me veprimtarinë tuaj të vrullshme si veprimtare shoqërore ju keni rendur nga stacioni në stacion të kapni ritmet e kohës, të kapni trendin e modernitetit dhe globalitetit, të ndikoni që bashkëkombasit tuaj të ndihen mirë kudo që jetojnë e punojnë, jo vetëm në Selanik e në Greqi, por kudo gjetkë, të jenë qytetarë të motivuar nga bota e virtytit, nga paqa dhe dashuria universale.
Me artin tuaj poetik e narrativ, me poezitë, tregimet dhe romanet tuaja, në një estetikë me nuanca të holla lirike dhe dramatike, ti e nderuara Kristina Demiri Dojçe, na ke sjellë një poetikë mbresëlënse, një prozë të shkruar bukur, me një stil vështrimi në thellësi, plot ndjesi dhe emocion.
Ke shpallur të shenjtë luftën për jetën dhe dashurinë njerëzore, ke ngritur në kult femrën shqiptare me mallin, mungesat, dashuritë e refuzuara, trillin e një bote që kërkon me çdo kusht të bëhet më e mirë dhe më e pranueshme. Na ka falur çaste të mrekullueshme meditimi, teksa përgjatë kurbës poetike, në poezitë më të bukura e më të ndjera, kemi ndjerë ritmin e shqetësimit tënd të na regëtijë, të cilin na e ke injektuar me fuqinë dhe pastërtinë e fjalës si figurë, si kumt dashurie, si mesazh për një botë më të paqtë e më pak agresive, për një botë që ta masë vlerën e njeriut jo nga ajo çfarë thotë por nga ajo çfarë bën, si e bën dhe sa ndikon e gjitha kjo në bërjen universale të gjërave më mirë e më bukur.
Të falenderoj që na përcjellë ajzergun e një jete plot trazime, ku dhimbja ndërkallet me shpresën dhe realiteti i dhënë në gjithë thellësinë e tij, të ngjet me një triller plot befasime. Të falnederoj, se na ke falur rrëfime të ngrohta e të sinqerta, me grimca të qëmtuara nga jeta jote dhe e brezit tënd, me një gjuhë të latuar bukur, të ëmbël e të hidhur njëherësh, njësoj si rrugëtimet e tua të vrullshme drejt shpirtit njerëzor.
Ajo që të bën aq të veçantë dhe aq suprizuese dhe të vesh petkun e poetes hireplotë, petkun e prozatores me kurorë, është lirizimi yt spontan, rrëfimi yt i shtruar, pa sajime dhe artikulime të sforcuara, pa retorikë dhe klithje; ku sundon lirizmi poetik, përshkrimet e imëta, që shkrihen në botën e brendshme të protagonistes, e cila në pjesën më të madhe të gjendjeve identifikohet me vetë autoren.
Na ke magjijosur me mënyrën sis a na e përcjell përditshmëria tonë, me mungesat, vetminë, trillet, raportet e përmbysura etike, sociale, filozifike e humane, pasqyruar me artin e një fjale të përpunuar me shije estetike e finesë, me një gjuhë të zhdërvjellët dhe filmike, që e bëjnë poezinë e prozën tënde Kristinë, të lexohen me një frymë dhe të pasprihen tek lexuesi me një kohë reflektimi.
Arti yt poetik dhe narrativ, na mëson se të ecësh në zgrip të ekzistencës, e rrethuar me dhimbje, privime, frikë, ankth e vetmi dhe, mes vorbullave të një dileme hamletiane, të gjeshë kurajë për të rrëfyer e mbi të gjitha për të falur dashuri, është një mënyrë e të vështruarit të botës, asaj bote të cilës ti, e nderuar mike, i drejtohesh me artin tënd magjiplotë, për më shumë dashuri, për më shumë përgjegjësi për fatin e njeriut.
Tani ti je zyrtarisht një Princeshë e Kombit, një Ambasadore e përkorë, një grua shpirtmadhe, që ndërton ura për të kaluar dashuria panshqiptare, në çdo breg të qytetërimit dhe iluminimit universal.
Jam krenar që të kam mike dhe krenarë na bëre të gjithëve ne që të ndjekim jo vetëm në fb dhe në botimet e tua të shumta, por në gjithçka që ti me modesti e madhështi njeherësh përcjell tek të gjithë shqiptarët, që të ndihen mirë kudo ku punojnë e jetojnë, të ndihen shqiptarë dhe evropianë njëherësh.
Suksese për titullin e lartë Ambasadore e Kombit, e nderuar mike, Kristina Demiri Dojçe! Zoti të bekoftë ty dhe familjen tënde të mrekullueshme!
Me respekt
I juaj
Hyqmet B. Hasko