Rrugët e fatit dhe te makthit.
TREGIM.
Kur doli nga ajo derë e rëndë, e hekurt dhe tinzare, që ngjante si një gojë e shqyer përbindëshi, Martinit iu duk sikur kishte rilindur, sikur qe çliruar nga një makth i gjatë.Tre vjet në atë kafaz të errët e të frikshëm, nën hijen e rëndë të rojeve të armatosura dhe gardianëve që vërtitesh tutje tëhu me çelsa të kobshëm në duar, i qenë dukur si një shekull i trishtë. Në atë burg kishte mësuar shumë gjëra, ishte penduar për shumë gjëra të tjera dhe kishte jetësuar një filozofi, që nuk e kishte njohur deri atëhere rreth jetës dhe marrëdhënieve njerëzore. Jashtë sikur e dehu aroma e vjollcave dhe aguliçeve të lulëzuara. Kundërmim i ëmbël, si parfum magjik, i krijoi një ndjesi të bukur, ndjesinë e lirisë dhe dashurisë së refuzuar. – Askush nuk ta ka refuzuar ty dashurinë:,- i tha një zë brenda vetes, Përkundrazi, ti ua ke refuzuar atë të tjerëve, atyre që të kanë dashur aq shumë, me sjelljen tënde të vrazhdë e brutale, por mbi të gjitha me veprimet e tua të papërgjegjshme e, pse jo, mizore. -Ku janë tani ata? — Ku është bashkëshortja, Hyrija, djali i tyre Andi dhe vajza, Diella, bukuroshja e babait? Sa e kishte marrë malli. Çfarë nuk do të jepte atë çast të dëgjonte të qeshurën e tyre të kulluar, si ujët e kristaltë, që rrjeh nga lartësitë e katrakteve të Alpeve tona. Por, e dinte, se kjo qe e pamundur. Ata ishin larg, shumë larg. Kishin ikur në dhe të huaj, larg atij kujtimi të keq që iu kishte lënë ai, njeriu i tyre më i dashur, ai vetë, babai, bashkëshorti, kryefamiljari, me aventurën e bixhozit të shfrenuar dhe borxheve të lëna pas, që kulmonin deri tek penglënia e njerëzve të tij më të dashur. E gjitha kishte ndodhur ashtu tinëzisht pa e kuptuar dhe jeta e tij pati dalë nga dimensioni i normalitetit, duke u endur në një karusel të çmendur pasioni, që qe kthyer në një mani sindromike bixhozi. Gdhihej e ngrysej në bixhoz, në botën e fishave të kuqe, blu, gri, kafe, rozë, në kërkim të fatit, që qe bërë derë hekuri dhe nuk po hapej kurrë. Në vend të fatit hapeshin e shqyheshin xhepat e tij të brishtë, duke lënë në këto vende ferri miliona, që po preknin dhe arkën e përbashkët të familjes. Etja për të fituar e çonte gjithnjë e më shumë në derë ferri, që atij, ashtu të molepsur nga ankthi dhe stresi i një pasioni të sëmurë, i dukej si dera e Edenit mrekullor, po ku për fat të keq, çdo ditë e më shumë humbisnin në një katakomb të çmendur të ardhurat e familjes, të cilat po pakësoheshin gjithnjë e më shumë. Duart I dridheshin nga ai pasion i frikshëm e shkatërrues,aq sa nuk mund t’i mbante këmbët para asaj dere ngjyrë rozë, ku brenda zhvillohej një luftë për jetë a vdekje me botën e vesit, në kërkim të një lumturie, që po kthehej në kërkim të rrugëve të errëta të një ferri të gjallë. Familja arriti në pikën kritike, ku nuk kishte më ushqim të mjaftueshëm për ta shtruar në tryezë, pasi lekët i gëlltiste ajo gojë e shqyer dhe e pashpirt, nën pushtetin e të cilës ai qe dorëzuar plotësisht. Dhe një ditë të trishtë, një një nga ato ditët kur duket se gjithçka ka ngecur në rrjetën e një keqkuptimi, ndodhi fatalja: Martini la peng në atë lojë të mallkuar familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët. Kur e mësuan këtë mizori, familja e tij iku natën, nga sytë këmbët në një shtet të huaj dhe u zhduk pa lënë gjurmë nga frika e këtyre kusarëve, peng të të cilëve i kishte lënë ai, njeriu që duhet t’i mbronte nga çdo kërcënim dhe e keqe. Kaluan muaj dhe gjendja e tij u rëndua shumë; i zhytur në borxhe të shumta, në batakun e zhgënjimit dhe mashtrimit, ndaj tij pati disa denoncime, kështu hyri në burg dhe iu nënshtrua sprovave të rënda, për të cilat ishte plotësisht fajtor. Të gjitha këto iu kujtuan kalimthi,si një blic në kujesën e tij të malluar për familjen dhe lotët iu pikëzuan në sy, duke rrjedhë në trajektore përmallimi… Po tani ku të shkonte?! Shtëpinë e kishte shitur për të larë borxhet, Familjen nuk e dinte ku e kishte, të afërmit i kishin kthyer shpinën. Këmbët instinktivisht e ndaluan para kazinosë me një emër të çuditshëm “Dalldia”. Këtu kishte lënë shuma marramendëse dhe kishte marrë rrugë rrokullima e tij. Kishte një sasi të hollash në xhep, të cilat i kishte fituar duke punuar në burg. “Do të bëj vetëm një lojë” vendosi me vete, lojën e fundit të jetës. Dhe hyri me një ndjenjë të ngrohtë në shpirt. Çuditërsisht fitoi pesë million lekë të vjetra menjëherë që në lojën e parë dhe me kaq vendosi ta mbyllte. Vajti e porositi një dhomë të mirë në një hotel në periferi për atë natë dhe të nesërmen u ngrit që në agim dhe preu një biletë avioni për në Itali. Donte të ikte nga ky vend, nga ky qytet, nga këto kazino ku kishte vënë në lojë jetën e tij dhe të familjes së tij. Pas dy ditësh u ndodh në stacionin e trenit në Brindsi. Preu një biletë vajtje Brindsi-Torino dhe po priste ardhjen e trenit. Ashtu i ulur në një karrike të rehatshme të stacionit, po rrinte i zymtë dhe me duart të mbështteura në kokë, me një mërzi dukshëm të lexueshme. Mendonte për fatin e tij dhe të familjes që nuk po ia gjente dot gjurmët.. Atë çast,iu drejtua një zonjë që qe ulur ngjitur tij me një theks gjysëm Italian, gjysëm francez. -Nga jeni zotëri? Zëri i saj i ngrohtë dhe ata sytë e ëmbël, të thellë e të vëmendshëm i ngjallën atij një dëshirë për të folur dhe për të treguar historinë e jetës së tij. Dhe nis t’ia tregonte…Ndërsa ai fliste,në cepat e syve të zonjës ende të bukur, po rrëshqisnin sumbulla të mëdha loti të pastër. Ai e vuri re dhe u gabit me dnjeshmërinë e saj. -Ju po qani zonjë?!… -Po, zotëri. Po qaj për fatin tuaj dhe të familjes suaj. Tjetri po rrëmonte duart në xhepa, i zënë ngushtë nga përgjigjia e zonjës. -Unë e njoh familjen tuaj, -foli ajo qetësisht.. Ai shtangu. Duart po i dridheshin si në ethe. Por nuk ishte ajo dridhja e sëmurë e lojtarit të krisur të fatit, që pati lënë leshtë në ato vende mashtrimi. Ishte dridhja e babait, bashkëshortit të përmalluar për gjakun e tij të munguar. -Si?! Çfarë po thoni, zonjë?! -Po, zotëri. Unë e njoh familjen tuaj. Jam nga Brindesi. Quhem Gabriela dhe jam pronarja ku punojnë bashkshortja juaj dhe dy fëmijët. Keni një familje të mrekullueshme… Pas shtangies, atij i pati rënë një nur mrekullor, dritëhijet lodronin në fytyrën e tij ende mjaft simpatike. Ndjenjat kapërtheheshin në shpirtin e tij të trazuar. Tani ishte radha e tij të lotonte; pikat e lotit i zbritën nga mjekra pak e thinjur deri poshte në lugun e fytit, duke formuar një pellg të pastër loti. Atë mbrëmje të butë vere, spërkatur me aromë jaragavani, Ai dhe italiania nga Brindesi, Gabriela ende e bukur, plot hire dhe sqimë, udhëtuan së bashku ulur në një sedilje, duke folur për rrugët e fatit, që bashkojnë dhe ndajnë njerëzit, në mënyrat nga më të zakonshmet e më të çuditshmet. Ajo i propozoi një punë si menaxher në firmën e saj dhe një shtëpi më të gjërë ku të jetonin në paqe e harmoni të këtërt: ai dhe familja etij, bashkëshortja dhe dy fëmijët, për të cilët i qantë shpirti dhe zemra e lënduar. -Por dua një premtim,-iu drejtua Gabriela, duke e vështruar në sy. -Çfarëdo që të jetë, do ta mbaj. Të jap fjalën e shqiptarit. -Nuk ka më lojëra fati. Fatin njeriu e shkruan në ballin e tij të djersitur çdo ditë. Në këto lojëra njeriu shkruan vetëm shkatërrimin e tij. -Të premtoj Gabriela. Para se të udhëtoja, luajta për herë të fundit dhe ishte hera e parë që fitova një shumë të mirë parashë. Sapo kisha dalë nga burgu dhe nuk kisha asnjë që të më priste. Jam betuar të mos luaj më. Kurrën e kurrës.po të betohem edhe ty, që je më shumë se një mike, pasi je mirëbërësja e familjes ime. Atë natë, në vilën verore të Gabrileës, ku tre njerëz të braktisur kishin gjetur familjarin e tyre të penduar, u shtrua një darkë e bollshme dhe mjaft festive, ku italiania sentimentale, ende mjaft e bukur, i ra pianos dhe këndoi disa këngë të Adriano Çelentanos, për ta bërë sa më solemn e prekës ribashkimin e kësaj familje, që patën humbur rrugën në një devijim absurd…
H…@..B..H.