ME TY DHE PRANVERËN JAMË I DASHURUAR.
Mos harro të më vish në festën e pranverës,
nëse nuk do të jem për një çast,
mos nguro të hapësh kanatën e zemrës,
futu brenda ashtu siç futet mëngjeseve një fllad.
Së shpejti unë do të vij dhe do kthehem
nga lëndinat me kurora lulesh ngarkuar,
se me ty unë kurrë nuk dua të zhgënjehem,
me ty dhe pranvarën jam i dashuruar.
Nëse do të vish më thuaj që të pres si përherë,
tek kodra me ullij gjithmonë e gjelbëruar,
do puthemi siç u puthëm në atë pranverë,
në vezullimin e yjeve nga qielli dërguar.
Tashmë duart tona nuk janë më të njoma,
buzët gjithmonë kanë mbetur të zjarrtësuara,
nga trupi ynë e njejtë është dhe aroma,
me aromën e të gjitha luleve kombinuar.
Nuk kemi nevojë për parfume franceze,
na mjafton veçse aroma me lule dele,
gumëzhima e bletëve është më e bukura muzikë,
pranvera përherë kurorëzon të gjitha dashuritë.
Kur të vish, mos harro të pishë pak ujë,
tek ai burim kur pimë për heren e parë,
nga zajrri rinor u ndez e bukura buzë,
dhe zemrat tona flakë kishin marrë.
Ti mikja ime e vjeter e rinisë së shkuar,
mos harro të vish në festën e pranverës,
ajo na mbanë gjithmonë të dashuruar,
se ajo ka akoma zjarrin gjurmëlënës.
Ti eja, prap ta ndezëm natën si pishtar
me puthjen tonë përjetësisht rinore,
të kthehemi rishtas tek dashuri e pare,
tek ajo natë që pikte nga qielli lule bore.
H..@..B..H.
AURORA
Tregim.
Çdo ngjarje e re ku unë përfshihesha i tëri, pa iu shmangur për asnjë çast përgjegjësisë dhe moralit të detyrës, më krijonte një si ankth përzier me angushti, që dukej sikur po më gërryente nga brenda. Kisha disa ditë që isha i çorientuar nga lodhja dhe stërmundimi për zbulimin e një vrasje. Dhe pse autori, më në fund, u zbulua e u kap në një kohë rekord, mua akoma më brente mundimi se ai person i kapur nuk ishte i vetëm në vrasje, pavarësisht se ai e pranoi dhe këmbënguli se kishte qenë vetëm fare. Mënyra se si ishte vendosur viktima dhe spostimi i saj rreth 300 metra, tregonte se do të ketë pasur dhe persona të tjerë. Por autoritet e larta të policisë në drejtorinë e përgjithshme urdhëruan që dokumentat t’i përcillen prokurisë dhe, më vonë, le të bëhen hetime plotësuese. Zilja e telefonit vazhdonte të binte, por mua nuk më pëlqente ta ngrija receptorin. Të gjitha gjymtyrët e mia qenë pushtuar nga një drobitje e ëmbël, gjumëndjellëse. Lodhja kishte bërë të sajën, por ende më më shumë kishte ndikuar tensioni gjatë mbylljes së dosjes dhe përcjelljes në prokurori, pasi çdo detaj e imtësi duhej kopsitur mirë, që dosjen të mos e luante as topi. Por telefoni, pasi pushoi pak, përsëri vazhdoni të binte, unë kisha tretur vështrimin përjashta dhe shikoja shiun që vazhdonte të derdhej butësisht mbi tokën e zhuritur, pasi dimri çuditërisht kishte mbajtur i ftohtë dhe i thatë. Pak a shumë dhe unë isha si ai shi i hutuar marsi. Për një cast, m’u duk se dëgjoja hapat e Aurorës… Çfarë kërkonte në trurin tim kaq vonë ajo? Nuk e di, por herë pas here ajo futej thellë në tru dhe nuk më linte të qetë, edhe kur isha me nerva krejt të tendosura dhe në kulmin e punës. Aurora është një oficere e policisë gjyqësore me të cilën ishim takuar në një proces pune, ku qëndruam tre ditë dhe dy netë për të plotësuar dokumentacionin… Ajo ishte e fejuar (të paktën kështu dukej) dhe shumë e sjellshme në komunikim, por mua më pati rënë në kokë për të, saqë dhe kur ajo nuk ishte e pranishme vinte dhe futej në trurin tim, depërtonte thellë e më thellë me valët e një energjie të beftë, të mjegullt, diktuese e të fshehtë. Ajo futej në trurin tim me depërtimin e syve të bojëqiellta dhe me ato hapat e lehtë që dukeshin sikur fluturonin si fllade, ajo futej në shpirtin tim dhe me atë buzëqeshje të dielltë që vetëm ajo dinte ta dhuronte. Në këtë kohë kur unë po fantazoja dhe po sjllja ndërmend fizionominë e Arurores, teksa pushtohesha nga prani-mungesa e saj, dëgjoi një të trokitur të beftë, por të fortë dhe disi inatçore në derë. U tremba dhe vrapova ta hap. Ishte shefi i komisariatit që me sa dukej ishte shumë i nevrikosur. -More djalë, mos je sëmurë nga veshët ti? Pse nuk e hap telefonin? -Isha i zënë me punë, zoti shef dhe nuk doja të shkëputesha nga letrat, se e di ti, po fillova të pi cigare unë nuk pushoj pa e mbaruar paketën. Fola me të butë, se doja ta çliroja shefin nga ato nerva që për atë zot dukej sikur donte të më hante të gajllë, të më përpinte të gjithin. përpinte. -Eja, more djalë, eja shpejt në zyrën time! Tundu djalë!… Unë e ndoqa nga pas dhe zbritëm në katin e dytë të godinës së komisariatit ku kishte zyrën shefi. -Futu brenda, -më tha, por tashmë më një ton më të qetë. -Ulu, ja tek e ke karrigen, – urdhëroi, por unë ndihesha më i qetë në këmbë dhe i thashë se do të rrija në këmbë. -Përsëri pa rruar ti… -Eh, ku më del koha mua për t’u rruar me gjithë këto punë që më jep ti për të bërë. Gjithë këto detyra për të përmbushur ekrime për të zbuluar… Unë nuk kam kohe as për të ngrënë bukë. -Po, more, po, ti po na shpëton nga punët, -qesëndisi shefi. -Ne të tjerët po tundim zinxhirin, – vazhdoi ai ironinë. Une ia pata ngulur sytë një tufe me trëndafila që ishin mbi tavolinë. -Po këto?- i thashë. -Çfarë? – pyeti ai. -TRËNDAFILAT,-iu drejtova unë, me gjysëm zëri, me gisht nga ato. Unë e dija se trendafilat ishin dobësia e tij, por desha ta dija se kush ja pati sjellë… -Epo trëndafila janë, çfarë ka këtu për të pyetur?… Unë isha i shpërqëndruar dhe po aludoja për një femër që vinte dhe e takonte shpesh. Se që ta dini ju, në komisariat unë dhe shefi ishim beqarë, të tjerët ishin të martuar me kohë dhe nuk kishin ngenë të merreshin me fjalë… -Ku e ke mendjen? – më foli ai kur pa qe unë isha në ajër me mendime. -Tek trëndafilat, shef, tek trëndafilat -i thashë, -më thuaj, kush t’i siolli? -Ç’të duhet ty, more djalë! Ç’të hyn në qese se kush m’i solli… Ai m’i nguli sytë dhe po më vështronte me vëmendje. -Mos ke vendosur t’i japësh fund beqarllëkut dhe të duhen këto lule… -Jo, – i thashë, jam akoma i vogël. -I vogël… Ha-ha-ha-ha! – qeshi ai, po more, po, i vogël rri gjithmonë ti!…Martohu dhe çoi një nuse në shtëpi satëme, se mjaft u lodh duke ardhur poshtë e përpjetë, duke të sjellë bukën dhe gjëra të tjera. Pasi heshti një grimë herë, m’u drejtua: -Sa vjeç je? – më pyeti. -Akom s’i kam mbushur të tridhjetat, – i thashë. -Eeee mo, i vogël qënke… Shefi harroi fare përse më kishte thirrur, unë po atë doja, që ta zbusja pak nga nervat. -Ore djalë, na këtë zarf, ke një letër nga drejtoria e përgjthshme e policisë. Unë e mora me vrull dhe e hapa me shpejtësi, se mendova se mos kishte ndonjë lek brenda. Brenda në zarf ishte një letër ku me lavdëronin për punën e bërë për zbulimin dhe kapjen e autorit të një vrasje. -Ama letër sjellin këta, -i thashë shefit me një ndjenjë mosmirënjohje. -Pse, çfarë do ti? -më pyeti shefi. -Sikur nuk e di ti se çfarë dua unë… A më the që të martohem?- vazhdova bisedën unë. -Po, të thashë dhe ta them prap ty dhe vetes, mjaft ndenjtëm beqarë. -O shef, po pse mo, me letra falenderimi do të gjejme nuse ne të dy? Lekë, o shef, lekë…Nusja do lekë, se ka shpenzime shumë. Do lapsa për vetull, të kuq buzësh, ehhhuuu, sa shumë gjëra të tjera do ajo… -Ore se nuk të pyeta, po ajo vajza që ka ardhur… si është ajo?… Cila? – pyeta unë, sikur nuk dija gjë. -Ajo mo që ka zyrën ngjitur me tënden. Si të duket?… -Ehhh, -ja bëra unë me shaka, për të pirë në kupë është. Ja kam vënë synë, por ç’e do. -Pse ç’e do?- pyeti shefi. -Është e zënë. -Ooooo, pse mo kush e ka zënë? -Ku ta di unë, -thashë. -Ore, prandaj gjithmonë vijnë dhe vërshëllejnë nga jashtë… -Po, – i thashë, ajo ka shumë shokë, por i ka të mirë. -Nga e di ti që i ka të mirë? Si qënkan të mirë dhe vijnë e vërshëllejnë këtu para komisariatit?! -Jo mor shef, asaj i vërshëllen vetëm i fejuari. -Pse e fejuar është? Më duket se po ja fut kot. Unë heshta, nuk doja të gërricja më shumë muhabetin, ngaqë doja ta mbroja atë femër nga ndonjë nevrikosje e shefit, që mund ta thërriste e ta bënte për të qarë. Por shefi shkonte ku shkonte, prap e sillte fjalën tek ajo femër. -Me një fjalë dhe këtë radhë nuk të paska ecur. -Të kam thënë, o shef, ne të dy, po nuk u larguam nga policia, beqarë do të mbetemi. -Ore, me që ra fjala, kush na e bëri peshqesh këtë këtu. Pse femër për punë policie është ajo…Ajo është për në balet, për trupin që ka. -I fortë je, shef, kam thënë unë, nuk të shpëton gjë ty, të paska rënë në sy trupi i saj. S’do shumë sy për ta kuptuar, xhanëm. Ti kupton gjërat që nuk duken e jo më ato që bëjnë muu… Unë nuk e di saktë se kush e ka prurë, por me të dëgjuar e kam, më duket se është kushërira e drejtorit të krimeve të rënda në ministri. -Jo more, pse nuk thua se e paskemi të keqen nga brenda tani. -Nuk është për ato punë ajo shef, – i thashë, unë me të kam punuar vetëm në dy dosje të anuluara nga prokuroria për mungesë provash, ajo ka punuar me shumë përkushtim dhe i plotësoi saktësisht. Vuri në punë të gjithë agjentët dhe nxorri fakte të tjera. -Oooo, bravo! Por mua nuk më ka rënë në dorë, – tha shefi me ironi, si për të plotësuar mendimin e vet, se ajo ishte e pazonja për punën e policisë. -Nesër i ke në dorë, – i thashë, – i ka gati, vetëm sa ta radhis si ngjarje. Dhe ke për t’u bindur se është vërtetë e zonja. -More djalë, vazhdoi shefi, -e kupton ti se ajo do marrë pjesë aktive në kapjen e kriminelëve, apo ti më dërdëllit që është e zonja. Ajo mund të jetë e zonja, por vetëm për punë zyre. Ndërsa natyra e punës sonë ndryshon, ne çdo ditë ndeshimi ballas me lloj lloj keqbërësi. Më kupton, or çun?-bërtiti shefi. Saqë pastruesja la kovën në korridor dhe iku e trembur. Unë buzëqesha, i vura dorën në sup dhe e ftova për kafe. Ai u çua dhe dolëm të dy duke qeshur… kolegët e tjerë, që dëgjuan të bërtiturën, kishin dalë në korridore dhe po na shikonin me shumë korizitet. -Po ju nuk keni punë e zyrë që më rrini në koridore? – iu drejtua atyre me tersëllimë ,,disa u futen me vrap neper zyra. -Hajt shpejt,- bërtiti, – kush nuk ka punë e zyrë të dalë në terren dhe mos u sillni si ato kuuu… desh të thoshte “kurva”…por në zyre po futesh sekratarja e komisaritit dhe ai nuk e shprehu fjalën…. Kamarieri solli kafenë, ne kishim një copë herë që heshtnim, duke vështruar jashtë në rrugë. -Gëzuar, i thashë shefit. -Gëzuar, – ia priti ai. -Ka ardhur koha t’i japin fund beqarisë… dhe po e vështronte me vëmendje e dëshirë një vajzë shumë simpatike që u fut në lokal. -Është vajza e pronarit të lokalit, – i thashë unë. -Kujt lokal?- pyeti ai. -Këtij ku po pimë kafe. -Këtij shtrembsi, – qeshi ai. -Rri urtë se nuk i dihet, nesër mund të jetë vjehrri yt… -Vjehrri im?! -pyeti ai me pak ironi. -Pse të duket çudi? Shihe si të shikon ajo vajza, e bija e shtrembësit. Dhe vërtet ajo ia kishte ngulur sytë dhe buzëqeshte me një shoqen e vet. Kishte sy të butë e të ëmbël, që rrezatonin kthjelltësi dhe pastërti… -Jo, mor djalë, ajo shikon diku tjetër. -Ty shef, ty po të shikon dhe ka mundësi që ju njiheni. -Ore vërtet më duket fytyrë e njohur… -Të thashë që do ta bësh vjehërr këtë pronarin. -Eh, – psherëtiu shefi. Papritur na lajmëruan se në rrugën “Dom Bosko” kishte ndodhur një vrajse. Të dy dolëm me shpejtësi, por shefi u kthye prap se harruam të paguanim kafet. -Ik, o Engjëll, -i tha vajza e pronarit, -ik se i paguaj unë. -Ku më njeh ti mua? – iu drejtua ai. -Të njoh, të njoh, -i foli ajo. Ik, se keni probleme. U nisëm dhe për pak minuta arritëm në vendngjarje… -Si është puna? – pyeti shefi. -Një grindje banale që përfundoj në vrasje, – sqaroj Aurora, oficerja e policisë. Arritëm ta kapin dhe autorin e çuam në komisariat. -Njihet nga ne?-pyeti shefi. -Po, është i skeduar nga ana jonë, është vjedhes banesash dhe bixhozxhi… -Si e ka emrin? -Nuk e di tamam, por psedonimin e ka “Miu”. -O lere, se e njoh, – sqaroi shefi…Vazhdoni kqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mundohuni të gjeni dhe ndonjë dëshmitarë, që e kanë parë ngjarjen. Okej, -i tha Aurora. Shefi e pa me inat dhe iu dejtua: -Mos më thuaj mua “okej”, por si urdhëron. -Okej! Si urdhëron!- përsëriti Aurora. Të tre ja dhamë të qeshurit dhe u larguam. Është bukur kur ka harmoni mes kolegësh, -i thashë unë shefit. -Unë e quaj DISIPLINË, – sqaroi ai. Qeshëm dhe vazhdum rrugën për në komisariat… Koha e solli që shefin e trasferuan ne Shkodër, zv./drejtor i drejtorisë së policisë rajonale të kësaj qendre të veriut. Të them të drejtën, me këtë shefin tjetër nuk me hahej muhabeti, megjithëse ishte mjaft i sjellshëm dhe tepër i komunikueshëm. Ishte mbrëmje dhe unë po pija kafen i vetëm në lokalin ku pinim me ish shefin. Kamarieri bashkë me kafen më solli dhe një zarf. -E pate mirë ti, ai shtrembsi u bë vjehrri im. Me datë 18 gusht martohem…Por mos hajde vetëm, nëse nuk e ke gjetur, ta gjej unë këtu. Unë isha lidhur me Arurorën, pasi ajo nuk qe fejuar kurrë dhe djali që i vërshëllente nuk ishte i fejuari, por vëllai i saj. Tani nuk jam më në polici, por sa herë dëgjoj ndonjë kronikë krimi, më kap një ngutje për të zbërthyer detajet dhe më kujtohet shefi im i vjetër i komisariatit, pasioni i tij për punën, që për pak e la beqar për gjithë jetën. Dhe kur i tregoi Auroës, ajo buzëqesh ëmbël, me atë buzëqeshjen e dikurshme aprovuese, të njëzet viteve më parë, kur unë pata rënë këmbë e kokë në dashuri, e rrëmbyer nga hiret e saj…
H..@..B..H.