14.5 C
Tiranë
E premte, 20 Shtator 2024

Hyqmet B Hasko

Endje në një botë uji dhe makthi…
TREGIM.
Ashtu e fundosur në një bosh të hirtë, të thellë e të trashë, pa fund e anë, ajo u mbështoll me hijet e muzgut, si me një velencë të vjetër, për t’i ikur shëmbëllimit klithës.
I dukej sikur ashtu, e kredhur në errësirë, mes atij konforti klithës, dhimbja pakej e bëhej më pak agresive.
Sytë e asaj nëne të lënduar notonin në bosh, pa pritur asnjë sinjal nga gjithçka që zhvillohej jashtë asaj retine të bymyer e të përlotur.
I shoqi, në dhomën tjetër, i fundosur në në krejsë, priste gjëmimet që i vinin nga jashtë e nga brenda, duke u rrekur të dallojë perceptimet devijante të ndërgjegjes së vrarë e të troshitur nga dhimbja, nga hijet e realitetit.
Jashtë rigonte një shi i butë e i shtruar, monoton dhe asimetrik. Kishte ditë që binte e binte, duke rrëzuar lulet dhe frutat aguridhe, që dergjeshin kapicë në oborrin e shtruar me plloça.L'immagine può contenere: una o più persone, barba e primo piano
Një erë shkrumbi, e lagur me freskinë e atij shiu që s’kishte të pushuar, sillte përqark një aromë të ëmbël e të idhët njëherësh.
Në hapësirën mes të dyve, mes atij babai të plagosur rëndë në shpirt dhe asaj nëne të lënduar gjer në ashtin më të thellë, gjithçka dukej e ngrirë dhe e fiksuar në klithje. Klithja dhe mungesa endnin pëlhurën e trishtë të asaj dite, ku kujtimi sillte mungesën dhe mungesa klithjen e shpirtit.
Ai që ishte drita e syve të tyre, ëmbëlsia dhe pritja, ngazëllimi dhe shpresa, nuk ishte më.
-Merr çadrën e dili para djalit, po bije shumë shi e do të laget…
Zëri i gruas-nënë u thye nën jehonën e bubullimave që pasuan vetetima të forta…
Burri baba bëri sikur nuk dëgjoi dhe nuk foli.
-A dëgjove çfarë thashë?!-klithui gruaja.
-Dëgjova moj grua, dëgjova. Por kthjellohu dhe eja në vete. Nuk ka më djalë. Duhet të mësohesh me këtë realitet të vrazhdë e të egër…
Gruaja nënë ulëriu:
-Çfarë thua mor katran!? Si ta nxë gojë këtë more firaun?! Merr çadrën dhe dili djalit para të thashë!…
Ky dialog i përditshëm, gjatë atyre ditë-netëve me shi, i therte në shpirt atij burri të urtë, që kishte humbur njeriun më të shtrenjtë, të birin. Bashkëshortja, që nuk donte ta pranonte të ndodhurën, sajonte “alibi” për t’i ikur të pa ikurës, faktit që djali i tyre nuk ishte më.
Gjithçka pati ndodhur befas, një natë vere, kur dukej se në atmosferën e ngarkuar me pritje endej një kob.
Pati ndodhur befas, aq befas sa habia nuk pati kohë as të klithte. Pati ndodhur në një rrugë periferike në jug, ku ai pati shkuar me shërbim.
Makina ishte batuar dhe djali i tyre pati mbetur përjetë në atë rrugë pa kthim. Në eter lajmi vinte me gemra kobëtare, duke shungulluar nëpër natën e shurdhër, pa asnjë jehonë.
Pas kësaj gjëme, koha e tyre sikur pati ngrirë.
Akrepat e orës dukej sikur lëviznin në të kundërt të tyre.
Shiu binte pa ndërprerje, me një ritëm disi agresiv, sikur t’iu bënte jehonë mendimeve të këtyre dy qenieve vetmitare, që silleshin si fantazma nëpër shtëpinë e tyre, e cila kishte humbur çdo kuptim dhe nocion.
E ëma rrëmonte në gjërat e tij.Kapica me shamia të gjithëfarëshme, kravata të kuqe, blu, rozë, bojë alle, këmisha të hekursoura, pantollona, rripa të larëm dhe ai parfumi aq i dëshiruar i tij…Ajo I vendoste me kujdes, sikur druhej të thyente atë simetri kujtese dhe peceptimi, një si magji që e mbante ende në këtë botë stresante.
I ati sillej tutje tëhu, duke u vëtëmbështjellë me mjegull. Gjithmonë tentonte t’i ikte një mirazhi, mirazhit të tij të ikur, që thyhej në hapësirat e bymyera të kohë-hapësirës fsë munguar.
Herë herë, në qiellin e bymyer, ku rrëketë e ujit nuk kanë të sosur, shkrep ndodnjë vetetimë si blic aparati fotografik. Koha ka mbetur aty, e harruar në ato pika shiu, në këto vetetima që qarkojnë qiellin e mbasur me vetmi…
-A dëgjove çfarë thashë?!-klithui gruaja.
Heshtje. Asnjë zë nuk qarkon ajrin dridhës.
Burri kacaviret në cep të vetëdijes së tij, në rrekje për t’i ikur të vërtetës së hidhur.
-Merr çadrën e dili para djalit, po bije shumë shi e do të laget…
Zëri i gruas-nënë vazhdon të kumbojë me jone buçitëse, teksa thyhet nën jehonën e bubullimave, që pasojnë vetetima të forta…
Rishtas ai nuk përgjigjet.
Burri baba vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe përsëri nuk flet. Nuk do që t’i hapë udhë marrëzisë së saj.
Po,po, nuk ke se çfarë emir tjetër t’i veshë, përveçse marrëzi, gjendjes së saj trillere gjer në jermi, ku teksa endet midis absurdit dhe reales, dukengatërruar kohët dhe hapësirat, ku zhvendoset pambarimisht, gruaja nënë përkundet në një botë iluzive të pa cak.
Shiu bie e bie, sikur do që të shfryjë dufin dhe dhimbjen e botës. Sikur iu bën jehonë, me ritmin e shfernuar të pikave të mëdha, gjendjes së tyre trallisëse, atij boshi përpirës, që i përkund në shtjella të epërme dhimbjeje.
Në një çast, dritat shuhen dhe errësira mbretëron në atë shtjellë uji dhe dhimbje.
Një heshtje e thellë nderet midis tyre.
-Ku je Drizar?!
Ishte hera e parë që kur pati ndodhur gjëma, që ajo e thërrsiste të shoqin në emër.
-Këtu jam Hana ime!-gjegji burri, duke u rrekur të kapej pas atij zëri real, që përcillte qartësi…
Në një të dhjetën e sekondës, flakëron një vetetimë, e cila ua ndriçon pamjen dhe ata, burrë e grua, baba dhe nënë, vështrojnë njëri tjetrin dhe në sytë e njëri tjetrit shohin kohën e ndarë në mes, atë botë të trazuar ankthi, stresi dhe vetmie, që endet midis tyre. Gruaja klith nga heqja e maskës së iluizonit, por kjo klithmonë shuhet sakaq dhe pasha e realitetit është aty, këmbëngulëse në praninë e saj gjithëpërfshirëse.
Një vetetimë tjetër çan mespërmes errësirën e trashë e të dendur dhe në një të dhjetën e sekondës ata lëshohen në krahët e njëri-tjetrit, me ngutje dhe mall, duke tentuar të gjejnë nëpër kohë fijen e lëmshit të mpleksur nëpër humnellat e një moti të rëndë e të vështirë…
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.