Lezja qëndroi një copë herë në një pikë të ngrirë vështrimi, mes dhimbjeve përpëlitëse që nuk e linin të qetë. Ajo mbeti me sytë te dera, në pritje të të birit. Kishte aq shumë për t’i thënë, por nuk dinte nga t’ia niste. Ama, në rrethanat ku ndodhej, me ditë të numëruara për shkak të sëmundjes së rëndë, nuk mund të mbyllte sytë për të shkuar tek të shumtët pa ia thënë të vërtetën…
Gjithçka pati rrjedhë në sinore të hirtë, mes andrrallsh të shumta, por jeta iu pati rezervuar çaste dhe stinë gëzimi të pa masë falë këtij fëmije…I biri kishte qenë qendra e gravitetit të gëzimit dhe lumturimit, edhe në mes të dallgëve e baticave të egra të fatit, nëpër rrëpira motesh të trishtë…
Historia zinte fill këtu e vite të shkuara, rreth tridhjetë vite më parë kur ishte ende e re dhe e bukur. Ajo kishte një shoqe të ngushtë,Mozën. Dhe një të dashur, Manen. Ajo i fliste shoqes së ngushtë për historinë e dashurisë së saj të pafat me një burrë të martuar. Ajo e kishte dashur atë para se ai të martohej, kur vetëm falë disa rrethnave të pafavorshme nuk kishin përfunduar bashkë me kurorë, pasi ai qe bashkuar nën unazën bashkëshortore me një tjetër…Ajo u martua, me të shoqin nuk patën fëmijë, por lidhjen me Manen, atë që pati ndikuar t’ia bënte zemra “bram” për herë të pare, nuk i shkëputi…
Shoqja e ngushtë, Moza e vuante dhimbjen e saj. Asnjëherë nuk qe bërë kurioz ta njihte ose më së paku të mësonte se kush ishte i dashuri i shoqes së saj të ngushtë…
Ikën e kaluan vite dhe një herë Lezja, tek po kalonte në një rrugë larg lagjes së saj, në periferi, për të blerë diçka në një dyqan antikuaresh, vuri re shoqen e saj të ngushtë…me atë…të dashurin e saj, që po dilnin nga një kafene aty pranë…krah për krahu…Nuk iu besoi syve! Çfarë ishte kjo?! Çfarë e kishte ajo atë burrë në krahë që ishte i dashuri i saj prej shumë vitesh?!
Nuk iu ra në sy, por rrëshqiti mes pallatave, doli në një rrugicë qorre dhe u largua në shtëpi, pa mbaruar punë…Të nesërmen, kur e takoi shoqen e ngushtë, e pyeti si me marifet, duke e hedhur fjalën kinse shkujdesur:
-Oh, të kam parë mbrëmë me nëj burrë për krahu…Po dilnit nga kafeneja “Edeni” kapur krah për krahu…
-Oh,po…isha me tim shoq! Pimë kafe…Po ti ç’ne në atë orë në lagjen tonë periferike?!
Lezes i rrahu zemra fort dhe iu trazua gjithë jeta. Fakti se pa e ditur ajo shkonte me burrin e shoqes së saj më të mirë i theri fort në zemër, e trallisi krejt.
-Çfarë pate?-ia ktheu Moza e shkujdesur.-Ti je zverdhur në fytyrë…
-Asgjë, e dashur…Jam pak e lodhur…Por do të më kalojë…
Kaluan vitet dhe brenga iu rëndua, e brente dhe e vriste ndërgjegjeja që ndërsa rrinte me orë të tëra me miken e saj të shtrenjtë, fshehtas bënte dashuri me të shoqin…Dhe një ditë nuk e duroi më peshën e dyzimit dhe sforcimit dhe ia tregoi asaj të vërtetën e hidhur. Më shumë se fjalë, nga goja e saj dilnin shkulme dhimbje e pendimi…
Moza pati shtangur, e bërë meit në fytyrë…Çfarë t’i thoshte? Gjithçka nuk kishte ndodhur si akt tradhëtie e pabesie, por pa e ditur…Lezja e kishte njohur bashkëshortin e saj, para se ta njihte ajo që flinte nën të njejtin kulm çatie me të…Dhe Moza e fali…Dhe Lezja nuk shkoi më me burrin e shoqes së ngushtë…Moza me bashkëshortin e saj kishin një djalë, Kristin…Sapo kishte mbushur një vjeç dhe ai i varej Lezes…
Koha rridhte si ujët e lumit…Befas bashkëshorti i Mozës dhe ish i dashuri i Lezes u pësoi një aksident të rëndë dhe pas tre javësh në spital, nën një mjekim intensiv, ndërroi jetë…Ata të dyja vajtën dhe qanë te varri i tij, bashkë me birin e Mozës, Kristin, që ende s’i kishte mbushur dy vjeçët…
Fati e solli që u sëmur dhe Moza…Nisi papritur dhe u thellua aq shumë saqë ajo nuk qëndronte në këmbë. U dobësua e ligështua aq shumë sa nuk njihej më…Spitali nuk e mbante më, pasi nuk kishte asnjë shpresë jete…
Një pasdite, Moza e thirri në shtëpi Lezen, e cila vajti me një frymë dhe e gjeti të sëmurën në një gjendje të rënduar…
-Mikja ime shtrentë,-iu drejtua ajo, duke iu lutur të ulej te koka e krevatit.-Kam një amanet për ty. Dhe amanetin nuk e tret dheu…
-Fol, motra ime, çfarëdo që të keshë do të përmbushet…
-Tim bir, Kristin…
Koka e rënduar iu këput mbi krevat…
-Çfarë?!-klithi tjetra…
-Nuk dua ta çoj në shtëpinë e fëmijës. Po ta lë ty! Ament…tim bir!…Bëhu nëna e tij!…E ku…ku do të gjejë djali im…ëngjëlli im…nënë më të mirë se ty!…
-Shko e qetë, motër! Unë do të jemë nëna tjetër e Kristit tënd!…
Dhe ajo u bë nëna e Kristit, nënë e shkuar nënës, aq shumë u lidh me të, sa kujtimi i nënës së vërtetë, nënës biologjike, nuk ekzistonte tek ai, qe aq i vogël dhe njomëzak kur ajo u largua nga kjo jetë sa nuk mbante mend asgjë prej saj. Dhe deri atëherë e dinte se kjo ishte nëna biologjike, e cila u madhërua dhe plotërua në zemrën e tij…
Dhe tani…edhe ajo po bëhej gati për udhëtimin pa kthim dhe para se të ikte donte t’i qeronte të gjitha llogaritë me këtë botë. Dhe një nga gjërat më të rëdnësishme që i lypsej të kryente ishte t’i tregonte të birit të vërtetën. Ti thoshte se kishte ardhur në jetë nga një nënë tjetër dhe ajo qe bërë për të ajo që ishte, nënë përmbi nënë.
Në këto mendime hyri Kristi. Në dorë mbante një tufë me trëndafila të kuq. O Zot! Sa romantik është im bir!…Sytë e saj të ujshëm e vështronin djalin në bebëz të syrit.
Dhe ajo e uli pranë vetes dhe i rrëfeu historinë e saj, historinë e tij, se ajo nuk ishte nëna biologjike dhe se një nënë tjetër, mikja e saj më e mirë dhe më e shtrenjtë e pati sjellë në jetë…
Kristi kishte shtangur, ulur pranë saj në një cep të krevatit të zhubravitur. Lotët pikonin me një simetri dhimbje, malli e mungese nga sytë e tij të buhavitur…
Ajo ia mori kokën në prehrin e saj të ngrohtë…
-Një amanet kam biri im…Në jetë nuk do të mungojë asgjë. Këtu ke numrin e llogarisë dhe prokurën e noterizuar që gjithçka të takon ty…Ke aq sat ë jetosh një jetë pa stres ekonomik…Por një nder e dua nga ti…
-Fol, nënë…
-Dua të më varrosësh pranë shoqes sime të vjetër dhe nënës tënde biologjike. Sa herë të vish në varreza, biri im, na sill të dyjave nga një tufë trëndafilash. Dakord?
-Po nënë!…
-Mua mi sill të kuq, biri im. Asaj të bardhë, se kështu i pëlqenin. Ma premton?!
-Ta premtoj nënë,-klithi Kristi dhe ndieu se prehri i nënës po ftohej dalëgandalë dhe të mirën e tij, atë që e kishte rritur me aq dashuri e mbarësi, po e rrëmbente në gjirin e vet përjetësia…