DITA ME GJEN TEK SYRI YTE,
Dita me gjen tek syri yt,
kur ti akoma je duke fjetur.
Natës i them nga ti të ik,
pikë vese nga qielli i tretur.
Sharmin tënd rri vështroj,
aty janë stisur gjithë bukuritë,
do të vi nga gjumi të të zgjoj,
të janë mbledhur gjithë yjësitë.
Vij si fllad dhe futem brenda,
dhe ti më hap njërin sy,
tjetri lundron nëpër ëndrra,
tek një dashuri për dashurinë.
Unë varem lehtas te buzët e tua,
si pika e vesës përmbi fletë,
të pëshpëris ngadalë: -të dua…
dhe nis një ditë për një jetë.
Kështu na vijnë vitet me radhë,
herë të lumtur e herë me fjalë,
ajo që mbetet dhe kurrë nuk tretet,
mjalti i shpirtit kur ka mallë.
Nga kjo jetë marrim sa duhet,
atë që duam nga drita e shpirtit,
dashuria me fjalë kurrë nuk thuhet,
se nuk mban zemra kufi të infinitit.
Tek një dashuri për dashurinë,
vitet qëndrojnë të patretur,
jeta ka përherë vazhdimësinë,
kur një shpirt shpirtin ka gjetur.
H…@…B..H.
BINJAKET…
TREGIM.
Monda bëri një grimasë qashtërsie dhe fytyrën ia ndriçoi një pupur mrekullor. Sa herë e vështronte këtë bebe të bukur, seç ndjente një regëtimë brenda vetes. Bebja e bënte të ndihej në qiell të shtatë. Ata ishin dy binjakë, të shëndetshëm dhe gjithë gjallëri. Të dy i donte, por për njërin, Almirin tremuajsh, që kishte lindur vetëm njëzet minuta pas të vëllait, Albinit, e donte posaçërisht dhe me një dashuri gati hyjnore.
-Mos m’i ndaj fëmijët,-e qortoi e motra Elona. –I kam të dy si yje, por kam parë që ti bën më shumë pas Almirit…Nejse, është e drejta jote motër…Ti e di vetë…
Tjetra uli kokën si e ndier në faj. Mendime kontradiktore përlaseshin në trurin e saj të ngarkuar…Gjithësesi, ajo nuk e kuptoi nëse këto fjalë të së motrës qenë një farë qortimi apo përkëdhelje e rastit…Një gjë e dinte mirë; ajo e donte shumë dhe në praninë e saj ndihej gjithmonë mirë…
Atë çast në dhomë hyri Danti, bashkëshorti i Elonës, babai i dy bebeve të mrekullueshëm… Ai i hodhi një vështrim të pjerrët të shoqes, pastaj motrës së saj dhe sytë iu njomëzuan nga kënaqësia tek përkëdhelte dy djemtë e tij bebe…
-Si kanë qenë sot?-pyeti të shoqen, por sytë qenë përqëndruar tek motra e saj, që pati marrë një përskuqje të lehtë…
Ajo po mendonte për peshën që ka koha në jetën e njeriut. Para jo më shumë se një viti, ajo ishte qendra e gravitetit të tij. I shkruante mesazhe në celular, letra dashurie si në kohët e dikurshme, kur nuk ekzistionin celularët,e ndiqte pas kudo.
Edhe ajo ndiente për të, por i therte në zemër që nuk mund t’iu përgjigjej hoveve të shpirtit të tij. Diçka e pengonte, diçka e thellë, e rëndë, zezonë, që ia tkurrte dimensionet e ëndrrës dhe të vetë jetës. Dhe në këtë dilemë ekzistenciale, ajo vuante, kurse ai ndihej njëkohësisht i joshur dhe i shpërfillur, në një konflikt që nuk i jepte as hall as dum.
Kjo trokitje e hapur në portën e ndjenjave të saj ra në vesh të babait, i cili një ditë e priti në rrugë dhe i foli troç:
-Mos shpreso më tek Monda. Ajo vajzë nuk është për ty. Zere se nuk e ke takuar kurrë në jetë!…
-Por unë e dua,-foli me këmbëngulje i godituri nga Kupidi dashuror. Si mund të heqë dorë prej saj?! Pastaj edhe ajo diç ndjen për mua, e kam kuptuar…
-Më dëgjo mua. Nëse do vajzë për grua, ke tjetrën, motrën një vit më të vogël…Elonën…
-O Zot! Nuk po ju kuptoj…Ndjenjat e zemrës nuk komandohen si një timon makine. Çfarë thua kështu?!
-Atë që po të them. Mondën mos e tako më. Nëse do, eja kërko Elonën. Edhe ajo është e bukur, madje më e bukur se e motra…Vëri vath në veshë këto që të thashë…
Ai u largua zemërthyer dhe shpirtvrarë. Nuk i jepte dum kësaj pune, ç’po ndodhte kështu?! Megjithatë, ai do të merrte përfundimisht fjalën e vajzës, nëse ajo ia shprehte përfundimisht dashurinë dhe qe e gatshme ta ndiqte gjer në fund të dheut, askush nuk mund ta pengonte këtë dashuri, madje as kryeneçësia e të atit!
Por ndodhi ajo që ai nuk e priste. Monda i tha se nuk e donte! Iu duk sikur iu shemb qielli i verës nën kokë! Vetëm këtë nuk e pati menduar! Të kishte gabuar në gjithçka në lidhje me këtë dashuri?! Ajo i tha se nuk e donte, por sytë e saj thoshin ndryshe, zemra shprehte të tjera ndjesi, fjalët shprehnin tjetër gjë! Ama këmbëngulte në të sajën: “Nuk të dua dhe pikë! Bëj atë që të tha babai!” Çfarë të bënte?! Të martohej me motrën e saj?! Tani po e shikonte Elonën nën një optikë të re. Qe vërtetë e bukur. Rrëzëllyese. Ndoshta më e bukur se Monda, por refuzimi i saj, i babait të saj, i të gjithëve, e pati vënë në siklet dhe ndaj nuk u dorëzua.
E takoi përsëri Mondën dhe vazhdoi të këmbëngulte…Por fjalët e tij binin në një muranë të shurdhër, që nuk dëgjonte dhe nuk përcillte asnjë jehonë. përkundrazi, sytë e saj të turbulluar nga lotët pasqyronin një botë vuajtjeje e dhimbjeje që atë e shtangosën. Çfarë po ndodhte kështu!? As vetë nuk e dinte, por gjithësesi vazhdonte të sulmonte “kështjellën” e pathyeshme me emrin Monda.
Dhe një ditë ajo u dorëzua. Ishte një dorëzim tronditës. Atij sikur iu rropsën yjet e asaj nate dëshire mbi kokën që sikur nxirrte avull ferri!
-Danti, unë të dua shumë, ti e di, por nuk jam për ty,-foli më në fund Monda, kur e pa se këmbëngulja e tij po i kalonte caqet e të arsyeshmes.
-Si nuk qënke për mua?! Çfarë thua kështu?!
-Jo, Danti, nuk jam për ty. Nuk jam si të gjitha vazjat e tjera. Unë nuk mund të bëj marrëdhënie seksuale normale…Nuk mund të kemë fëmijë…Unë…-Dhe koka iu rrëzua në supet e tij, drejt të cilëve rrodhën lotët e saj si përrenj malorë në pranverë…
-Fol, Monda…shpirti im!…
-Unë…unë jam transversite!…
Gjithë ajo botë iluzionesh u thërmuan brenda çastit në shpirtin e tij…
Kohët rrodhën dhe ai u lidh me motrën e saj, Aulonën, siç i pai rekomdnauar babai i saj dhe të dy përfunduan në martesë, rezultat i të cilës qenë këta dy binjakë të mrekullueshëm, që gugasnin si pëllumba…
Të gjitha këto solli në mendje Monda tek shikonte atë baba që ledhatonte fëmijët e tij, fëmijët e së motrës, që në rrethana normale do të kishin qenë fëmijët e saj…Ndiente një peshë shtypjeje në gjoks, por me vete, uronte me gjithë shpirt lumturinë e tyre…Nëse ata ndiheshin mirë me njëri-tjetrin, me dy binjakët e tyre, edhe ajo do të ndihej mirë…
-Motër, -iu drejtua Mondës Aulona.-Unë dhe Danti ka disa kohë që po mendojmë diçka shumë serioze për ty…Diçka që do të ta ngrohë shpirtin dhe jetën tënde…Apo jo Danti?!
-Po, ylli im! Fol, tregoja Mondës planin tonë…
-E dimë që e ke shumë për zemër njërin nga binjkaët, Almirin!
-Oh, vdektë tezja për të!-tha Monda me sy të përshkënditur…
-Ti nuk do të jeshë më tezja e tij, por nëna e tij…Apo jo Danti?
-Po Monda…do të jetë yt bir… ta japim me shpirt…
Monda kishte ngrirë në këmbë, me një shprehje fytyre që endej midis lumturisë dhe frikës…dhe një dyzimi që qarkonte tërë qenien e saj, të elektrizuar nga pritja…
-Po çfarë do të thonë njerëzit? Ata do të më përgojojnë si femër…të përdalë!…Ka lindur fëmijë jashtë martese, do të thonë…
-E kemi menduar gjithçka,-iu drejtua shtruar e motra.-Ti zytrarisht, me letra do të jeshë gruaja e dytë e Dantit…Askush nuk do ta dijë të fshehtën tënde…Ti mund të bëshë gjithçka me jetën tënde…Mburojë do të keshë këtë martesë, e cila edhe pse nuk do të konsumohet kurrë, do të garantojë në opinion respekt…Dhe fëmija që ti e do me aq shpirt do të jetë i yti. Qofshi të bekuar të dy!…
Monda kishte mbetur aty, në prag të derës, e palëvizshme si një statujë. Sytë e saj qenë fiksuar në supet e të motrës, ku qëndronin binjakët.
Iu drejtua Almirit, binajkut që kishte lindur njëzet minuta më vonë nga barku i të motrës, por jo më si gjithmonë me fjalët “eja, ylli i tezes”, por “eja, ylli i mamit…eja tek mami”!…