Teksa ktheu sytë dhe vështroi, ndoshta për së fundi herë, ata mure të plasaritur nga vetmia, pati një ndjesi të çuditshme, që e mbajti një copë herë pezull, si midis qiellit e tokës. Por nuk pati kohë për hamendësime e aq më pak për kuturisje ëndërrimi. Kërcitja e derës së madhe të godinës së burgut sikur e shkëputi nga gjithçka brenda tij dhe i dha një shtysë më tepër për të shpejtuar këmbët drejt lirisë, drejt atyre rrugicave që dhe pse të ngushta kishin diell të plotë, pemët kishin gjelbërimin e duhur për të qetësuar sytë.
-Mos e pafsh më kurrë në jetë këtë vend, ore mik! Zoti të ruajtë nga telashet!-dëgjoj zërin e policit që po mbyllte derën e madhe të godinës së burgut.
Tjetri diç mërmëriti nëpër dhëmbë, por polici këmbënguli që ti tregonte diçka, që duhet ta dinte para se të dilte një herë e përgjithmonë nga ajo derë e trishtë.
-Dua të të them se një grua e moshuar, vjen çdo ditë këtu tek dera dhe ka pyetur për ty. Edhe ato ushqimet që të vinin një herë në javë janë të saj. Nuk e di çfarë lidhje keni, por ajo vinte dhe largohej me lotë në sy. Nëse ke mundësi,-vazhdoi polici,-më shkruaj adresën, se ajo grua do të të takoje. Ma ka lënë porosi…
Abedin Kravica u kthye me fytyrë nga polici dhe po e vështronte me shumë kureshtje.
-Ke ndonjë emër të saj? e pyti policin.
-Jo,- iu përgjigj polici.-Ajo nuk më la kurrë asnjë emër dhe asnjë adresë. E vetmja kërkesë që më la ishte që ti lëshë një adresë tek unë.
-Faleminderit, or mik, por unë për momentin nuk kam adresë, por sapo të kem një të tillë, do vij ta lë tek ju…
Abedin Kravica i shtrëngoi dorën policit dhe u largua pa e kthyer kokën mbrapa.
Këmbët e çuan në rrugën “Kont Urani”, ku vazhdoi të ecte kuturu, pa ndonjë qëllim se ku do shkonte. Aroma e lirisë ia kishte zgjeruar flegrat e hundës dhe e kishte zhytur në një botë ndjesishë ëndërrimi…Në të dalë të Rrugës së Kavajës, i tërhoqi vëmendjen një mbishkrim“TRADITA KORÇARE”. Duhet të ishte një nga ato kafenetë e shumta, por me një emër disi të veçantë dhe romantik…
U fut Brenda, zuri vend nga fundi i lokalit dhe u përhumb duke vështruar njerëzit brenda në lokal. Ai ambient ngazëllyes, plot zhurmë dhe freski, I kishte munguar për një kohë të gjatë, prej disa vitesh. Ai nuk e vuri re gruan simpatike, që po i qëndron afër dhe po priste që ai të porosiste. Ngriti kokën dhe buzëqeshja e kamarieres e çarmatosi fare, aq sa po i mbaj goja…
Kamarierja po i numëronte llojët e gjellërave dhe mishërave që kishte gatuar lokal.
-Unë po ua lë ju në dorë, më sillni ato që ju pëlqejnë ju,-i tha ai kamarieres. Ajo e falenderoj me shumë mirësjellje dhe u largua drejt banakut, duke lënë pas parfumin e saj dehës, armoë pranvere pëzier me myshk dhe pritje…Abedini u mbush me frymë dhe brenda mushëkrive të tij depërtoi parfumi i saj thuajse magjik. I kishte munguar femra tmerrësisht…dhe efekti i parfumit të vajzës së bukur i ran ë kokë si një gong…
Ngrënia e ushqimit zgjati rreth dy orë. Ngriti dorën dhe thirri kamarieren. Ajo erdhi menjëherë dhe i solli një pjatë të mbuluar me kart-pecetë. Në pjatë ishte një zarf i mbyllur, por që tregonte se brenda ndodheshin një sasi kartmonedhash.
-Po këto?!- pyeti ai me habit ë madhe kamarieren.
-I solli një grua,-i shpjegoj kamarierja. Mi la mua për ju dhe u largua me shumë nxitim. Ajo pagoj dhe ushqimin që ju hëngrët. Por nuk shpjegoj asgjë tjetër.
Përsëri ajo grua e çuditshme, trillere. Në sytë e tij digjej një kureshtje që po kthehej në këmbëngulje për atë se cila ishte dhe ç’lidhje kishte ajo femër me jetën e tij…
Abedini nxorri nga xhepi një kartmonedhë pesëqindlekëshe të re, ia la kamarieres bashkshish dhe u largua.
Ai pyeti një kalimtar për ndonjë hotel aty afër, por ai iu përgjigj se ishte njëri aty afër por qe shumë i shtrenjtë. Kalimtari e orientoi që të shkonte tek nje hotel tjetër, disa qindra metra më tej, në kryqëzim të tre rrugëve, që të çonin në qendër dhe që ishte një bujtonë e mirë dhe e lirë.
Sapo zgjati kokën dhe hyri në ambinetet e këtij hoteli që kishte një emër të çuditshëm, quhej “Sfinks”, iu afrua një vajzë e imët, me kaçurrela të përndezura si nga një flakërim i verdhë dhe e shoqëroi me një buzëqeshje joshëse e grishëse. Dhe përsëri një zarf e brenda tij një copë letër ku shkruhej: “Zotëri, dua t’iu takoj”. Dhe numri i telefonit. Gruaja e çuditshme vazhdonte të endej në hapësirën e endjeve të tij, në ditën e parë të pasdaljes nga burgu…
Hoteli ishte në rrugë kryesore dhe Abedinit i tërhoqi vëmendjen një grumbull njerëzish që po ndihmonin dikë për ta futur në ambulancë. Vuri re se e lënduara ishte ajo…gruaja e “tij”, të cilin pak më parë e pati parë ta vështronte vjedhurazi nga fasada e korridorit, në katin e dytë të hotelit dhe kur ai nxitoi ta takonte dhe ti kërkonte sqarime se kush ishte dhe pse gjithë këto mirësi nga ana e saj në drejtim të tij, ajo qe zhdukur sikur e pati përpirë dheu…Dhe ja tani…Mësoi se duke nxituar në rrugë e pati përplasur një makinë, që atë ndërkohë po kalonte në kryqëzim me shpjetësi skëterre.
Pati një cëmbysje në zemër, diçka e shtrëngoi fort në lukth dhe ai u ndie keq. Ideja se ajo grua, mirëbërsja e tij e panjohur, qe aksidentuar dhe ndodhej në rrezik për jetën, e mbajti një copë herë pezull…Ku vallë e kishin çuar?! Duke qenë një rast urgjence, mendoi ta kërkonte tek Urgjenca, në spitalin “Nënë Tereza”. Pyeti, por askush nuk i jepte sqarime. I zgjati një sportelisteje brune një dhjetëmijëlekëshe që të mund ta orientonte, por ajo që ta ndihmonte donte emrin dhe gjeneralitetet e tjera të gruas së lënduar. E ai nuk dinte asgjë për të panjohurën enigmatike. Por, tek e shikonte ashtu të habitur dhe me supe të mbledhuar nga dhimbja, sportelistes iu dhimbs dhe vendosi ta ndihmonte. Pas një ore, ajo e udhëhoqi nëpër një kooridor të ngushtë dhe hapi derën e një dhome, në fund të një kthine të ngushtë, të ndriçuar dobët dhe që dukej si një azmatik që vuante…
Dera u hap dhe ai pa shtrirë në një krevat të rregulluar me shije, me çarçafë të pastër dhe gjithçka sterile kokën e saj. Në dorë mbante një tufë trëndafilash të kuq, që i pati blerë për të, para se të hynte në ambientet e spitalit…
Gruaja rënkonte lehtë…Në fytyrën e saj të butë e të ëmbël, ravijëzohej një buzëqeshje e lehtë, si e stampuar, nga një kartmonedhë e vjetër pritjeje…
Ai vendosi tufën me trëndafila te kryet e krevatit dhe ajo çuditërisht hapi sytë lehtë…Kur e pa, sytë e saj u turbulluan dhe në atë grimasë turbullimi e lodhjeje gjer në sforcim, u përshkënditën emocione lumturie…
Tani ajo buzëqeshja e saj e sforcuar, sikur kishte shpërthyer në miradije hyjnore…Një paqë apostolike endej dhe endej pambarim në fytyrën e saj të rrudhur, po ku ëmbësia kishte lënë gjurmë të dukshme…
Deshi të fliste, por ai nuk e la.
-Të lutem, mos thuaj asgjë. Rri e qetë, çlodhu dhe përpiqu ta marrësh veten…
-Faleminderit,-foli gruaja me zërin e saj të brishtë, si të dalë nga katakombet dhe iu mbyllën sytë…Gjumi e mori në krahët e tij…
Ai qëndroi gjithë atë natë te koka e saj. Kur infermierja e turnit e pyeti se çfarë e kishte, ai murmuriti diçka mbyturazi nëpër dhëmbë, duke lënë të nënkuptohej se ishte njeriu i saj. Sa herë djersinte dhe i ngrihej temperatura, ai i rrinte gati me kompresa të ftohta akull. Herë pas here, ajo hapte sytë dhe kur e shikonte atë te koka, sikur çlirohej dhe zhytej përsëri në atë botë gjumi dhe makthi të përzier bashkë, për shkak të atij lëndimi që kishte pësuar…
Pas tre ditësh e tre netësh, falë dhe vizitave të përçdoçastshme të mjekëve e personelit të spitalit, shoqëruar me gjilpëra dhe ilaçe, gruaja e mori veten dhe nisi të hante. Ai doli dhe porositi një lakror, të cilin ajo e priti me dëshirë dhe hëngri dy thela të mira.
Ditën e katërt, pasdite, ajo qe ngritur në bërryla dhe vështronte profilin e tij te koka e krevatit, që shprehte interesim dhe vëmendje maksimale ndaj saj. Nuk kishte shqiptuar asnjë pyetje se kush ishte ajo dhe çfarë kishte kërkuar që qe përzier në jetën e tij…
-Abedin,-iu drejtua ajo me emër dhe ai ndjeu peshën e një emocioni të beftë, se ku ia dinte emrin ajo. “Budalla, -i tha vetes, -si nuk të ditka emrin dikush që për tre vjet burg të ka sjellë çdo javë ushqime dhe ka treguar kaq shumë interesim ndaj teje?!”…
-E di që mendon dhe vret mendjen se kush jam unë…dhe çfarë kërkoj prej teje…
Tjetri heshti. Nuk foli asnjë fjalë.
-Në fakt…ti mund të kërkoje dhe mund të kërkosh shumë prej meje…
-E çfarë mund të kërkoj?! Unë të jam mirënjohës për çfarë ke bërë për mua…por nuk të njoh!
-Po…mund të kërkoje…një gjë që mua më dhemb e më fundos dhe të cilën nuk mundem të ta jap…
-E çfarë na qënka kjo?-pyeti ai gati duke klithur…
-Kohën që ke qenë i dobët, fëmijë i njomë dhe i pambrojtur…pa përkëdhelitë e nënës…
Tjetri ndjeu peshën e një mungese klithëse t’i ngrihej nga krahërori në formën e një psherëtime uragan…Çfarë po ndodhte kështu?! Kush ishte kjo grua?!
-Unë jam nëna jote, bir! Të lutem më fal!…Isha shumë e re, kur të linda, as gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe ai iku e më la, e mohoi atësinë…U ndieva keq, e braktisur, në një udhëkryq të trishtë! Nga turpi të çuam në jetimore…Dhe kur unë të kërkova…nuk të gjeta dot…Jam unë fajtore që hyre në burg…Po të kishe pasur një familje, nuk do të merrje rrugë të keqe…Të lutem, biri im, më fal!
Lotët busnin nga sytë e saj të rrudhur e të përmbytur nga emocionet e nënës, sikur dilnin nga një pus. Kishte vënë kokën në gjoksin e tij dhe qante me gulshe. Tjetri ndiente regëtimën e zemrës së saj të përvëluar dhe nuk dinte se çfarë ndiente…Por një gjë e dinte mirë dhe e ndiente me gjithë pushtetin e zemrës së lënduar: ajo grua kishte vuajtur dhe vuante ende shumë dhe meritonte të qetësohej e të çlirohej…Ajo ishte…nëna e tij! Po vallë, cila nënë do të zgjidhte fatin më të keq të mundshëm, që ta kalonte shumicën e viteve të jetës pa birin e vet në krah të saj?!…
Dalëngadalë sytë e tij u njomën nga ujërvara e syve të saj dhe nënë e bir mbetën ashtu të përqafuar për orë të tëra.
Hijet e mbrëmjes qaseshin drejt tyre dhe nata këndonte jashtë me notat e një uverture të magjishme.
Ata rrinin në krahët e njëri-tjetrit, sikur kërkonin që brenda asaj kohe të shkurtër të rikthenin të gjitha vitet e mungesës së madhe, duke bërë që koha të rridhte tani e tutje në hapësirën e një pranie të pazëvëndësueshme të lidhjes nënë e bir…