14.5 C
Tiranë
E premte, 25 Prill 2025

Hyqmet B Hasko

 

Lamtumirë ARBEN DUKA  poet i dhimbjes, dashurisë dhe shpresës njerëzore…Mund të jetë një imazh i 1 person dhe mjekër

Iku përgjithmonë duke u ndarë nga kjo jetë Arben Duka, njeriu shpirbutë e zemërdhembshur, poeti me sharm dhe elegancë varge dinjitoz, një nga zërat dhe emrat më të përveçëm dhe origjinalë të letrave tona poetike, me një pasuri të madhe trajtash dhe ngjyrash lirike e dramatike, me diapazon të gjërë botëvështrimi, me teknika të zhdërvjellëta vjershërimi, me një aparat të shumënashëm strukturash dhe koncepsionesh, gjendjesh dhe mjetesh shprehëse. Iku në këtë Korrik të trishtë pandemie, mes një heshtje të përzishme, duke lënë pas një vepër dinjitoze, të papërsëritshme. Siç thotë me të drejtë një kritik: “Poeti Arben Duka është i lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen, vatrën, me tokën, natyrën, fushën, malin e fshatin”. I tillë do të mbetet në kujtesën tonë, një bard dashurie i vendlindjes, i natyrës jugore, i erërave të buta të netëve me hënë, që do të flakërkojnë përjetë në vargjet e tij magjike, me një fuqi të pazakontë përfytyrimi dhe mendimi poetik.
Ne do të vazhdojmë të flasim rishtas për të, sikur të ishte midis nesh, sa herë që flasim për poezinë e re shqipe, atë poezi që me shumë mundim nisi të dilte nga istikamet e kanonzuara të kohës dhe të fitonte cilësitë e një arti të mirëfilltë poetik, e së cilës, ai, Arbeni ynë i dashur, i dha emrin e tij, duke u bërë zëdhënës i modernizmit dhe vlerave ndryshe të artit poetik, në një kohë të vështirë për poezinë dhe për gjithçka në jetën tonë, që dukej e ngrirë, e kornizuar dhe shpërfytyruar.
Origjinaliteti i poezisë së tij është i dukshëm, aq sa një lexues i kujdesshëm e dallon menjëherë atë nga poezitë e poetëve të tjerë, veçori kjo e autorëve të rrallë, që gjejnë korda të përbaskëta me lexuesit e tyre.
Rreth një gjysëmshekulli kontakt i pandërprerë me lexuesin, Arben Duka , që nga koha e monizmit, në tre dekadat e demokracisë e në vazhdim, ishte çdo ditë i pranishëm mes nesh, i freskët dhe befasues, duke mos përsëritur asnjëherë vetveten dhe aq më pak të tjerët.
Jane me qindra tekset e kengeve qe mbeten ne altarin e kujteses e degjusit te kombit tone
Poezia e tij ishte dhe mbetet frymë e kohës, puls i përditshmërisë dhe historisë, një apoteozë e luftës së njeriut modern me veteveten dhe me ata që e rrethojnë, me të ngjashmit e tij, për të fituar mbi bjerrjen dhe asimterinë morale të kohës.
Që në krijimet e para e gjersa mbylli sytë, poezia e tij ka udhëtuar me ne, me brengat dhe hallet tona, me vetminë tonë, me dëshirën për t’i ikur rrethit të grackave të përditshmërisë, në një botë të trazuar egër nga dhimbja dhe pamundësia. Trajtimi i temave të mprehta sociale, që kishin në në brendësi kontradikta të kohës, toni polemik e i zemëruar ndaj fenomeneve regresive e konservatore dhe karakteri konkret i komunikimit të mendimit poetik me lexuesit, përbëjnë anët më të mira të poezisë së tij. Poeti na la të skalitur në vargje magjike dhe gjithë dritë hije një botë e thyer simbolike, mbushur me alegori, metafora, një thellësi tronditëse, e cila vjen e na zgjon nga gjumi e na mundëson shpalimin e një bote shprese e dashurie, me anë të një simbolike shumëdimensionale.
Kontrapunti, ironia, satira, grotesku, në në poezi që frymon ëndërr të kulluar, godasin pa mëshirë anët e errëta të njerëzisë, alegoria ngrihet si një mal kërcënues për rehationë dhe komoditetin shterp të shefave të dikurshëm, që jetonin vetëm për hir të dukjes.
Ikja e tij e papritur do ta na dhemb për një kohë të gjatë, prania e tij do të na mungojë, por poezinë e tij e kemi këtu, mes nesh, me ato imazhe të gjalla, me atë gjendje dehëse e befasuese, me akte konkrete shkrimore, me motive të veçantë, të larmishëm dhe të begatë, me ide etike, morale, filozofike, transhendente dhe mesazhe të shumta që pulsojnë në çdo varg strofë e poezi të tij.
Arben Duka ishte dhe mbeti njëri nga poetët më të rëndësishëm të poezisë shqipe, me një fytyrë artistike të veçantë, që nuk përngjet me askënd, veçse me vetveten.
Ai kishte zërin e tij të veçantë, këndvështrimin e tij, mjetet e tij poetike dhe e vështronte realitetin me syrin e piktorit dhe të poetit njëherësh, duke pikturuar me dorë të lirë gjendje dehëse, trallisëse dhe që përcjellin tek lexuesi emocione të forta.
Lamtumirë poet! Lamtumirë mik!
Vargjet e tua do të udhëtojnë nga koha në kohë, nga brezi në brez, me vezullimin e dritës dhe shpresës njerëzore, idetë dhe mesazhet e tua poetike do të jenë përjetë një reflektim i gjallë ndaj realitetit aktual të ditës, ku me përgjegjësi intelektuale, me figura të gjalla e të skalitura, me një tekonologji moderne të aplikimit poetik, ti ngrite në kult dilemat dhe udhëkryqet më të trishtë të kohës, duke e kthyer dhimbjen në përvojë dhe vuajtjen në shpresë për njerëzit.
Lamtumirë poet! I lehtë të qoftë dheu i tokës mëmë!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.