Këto pavarësisht posteve e shkollimit e bëjnë diferencën dhe kjo nuk është rastësi! Mund të duket si e tillë një një vështrim të parë. Por jo! Kurrësesi nuk është e tillë. Energjitë pozitive janë ndjenjë e brendëshme dhe si të tilla nuk mund të shfaqen rastësisht, së jashtmi. Kështu e njoha më mirë Cenin, gjatë kohës kur ai ishte kryeplak i fshatit Beshë dhe punuam me Të. Ai rrinte nga fundi i sallës, fliste rrallë, gjithmonë i qartë në mendime, i matuer, kërkues për banorët e tij dhe rrezatonte gjithnjë energji pozitive. Kështu ndodhi ekzaktësisht edhe në një reagim të Tij, në rastin tim. Unë në një mbledhje të Këshillit të Komunës dhashë dorëheqje të parevokushme. Ceni kërkon fjalën, çohet në këmbë dhe shprehet: “Zoti kryetar dorëheqja juaj nuk duhet të jetë e parevokueshme. Nuk ke asnjë arsye ta bësh një gjë të tillë. Shihe dhe një herë këtë vendim, “bela”, shprehje që ai e përdorte shpesh. Ne duam të jesh ti, çdo gjë e ke bërë siç duhet me ne, ke qenë i drejtpërdrejtë, komunikues parimor me të gjithë”. Një zë i veçantë qe Ceni! Sa bukur më tingëllojnë sot, në shtëpinë e tij në Besh livadhe, këto fjalë të mençura të asaj dite, ku kam shkuar për ngushëllime në familjen e tij… Pavarësisht se unë dorëheqjen e konsideroj edhe sot “institucion” më vete e shumë parimor, Cen Hoxha e bëri punën e tij… Në këtë mëngjes të datës 12.10.2021, ai na mungon fizikisht në këtë bisedë për Të, mua Myslymit, Shpëtimit që e kisha thirrur enkas, Mexhitit, Dilaverit dhe familiarëve të tij… Natyrisht ai do të mungojë gjithmonë… Në qoshen ku rrinte vazhdimisht në të gjallë, tani dukej bukur foto e tij me atë buzëqeshjen dhe çiftelinë që nuk e lëshonte kurrë nga dora… Njerëz si Ceni ikin fizikisht por mbeten gjithmonë në kujtesë me personalitetin e tyre.