8.5 C
Tiranë
E enjte, 26 Mars 2026

ILIAZ BOBAJ

SIKUR…

(poezi)

Sikur atdheu im,
të ishte ajo piktura që kam pikturuar në shpirt,
njerëzit do të jetonin me imazhin e parajsës së saj.
Sikur atdheu im,
të ishte ajo pesha e rëndë që mbaj brenda vetes,
sikush do të ndjehej i lehtë me peshën e tij mbi shpinë.
Sikur atdheu im,
të ishte ajo kënga që e ka shtratin mbi buzët e mia,
ai do të këndohej në himne të shenjtë.
Sikur atdheu im,
të ishte ajo brenga ime, që qetësinë e gjen tek dhimbja,
gjithkush do ta rrëmbente për vete dhimbjen e tij të bukur.
Sikur atdheu im,
të ishte ajo ëndrra e ekraneve të syve të mi,
ekranet e ëndrrave nuk do të shuheshin kurrë.
Po këtu filli i ëndrrës më mbetet pezull, më këputet në mes.
Nën këmbët e saj zezon një humnerë e errët, e thellë.
* * *
Në dorë më ka mbetur filli i ëndrrës sime të këputur,
përmbi humnerën që kemi hapur vetë…
…………………………………………………………………………………………….
NË MAJË TË MALIT
(poezi)

Hapësira t’i rrëmben sytë

dhe t’i nxjerr shëtitje qetë- qetë,

deri aty ku pamja shuhet brenda vetes

dhe duket si një vijë me laps të zbehtë.

Si këtu në majëmal,

syri nuk ka askund liri.

Ndërkaq, sa hap e mbyll sytë,

nga greminat e qiellit dalin si të çmendura retë,

e veshin majëmalin me tisin e ftohtë gri.

Mandej gjëmime, vetëtima

dhe shira të trishtë.

Majëmali ka mbi krye perënditë.

Dhe e duron zemërimin e tyre i qetë, stoik.

“”””””””””””””””””””””””””””

1. ALARM NË KOSHERE
(fabul)
Zukama bletore,
mjedisin përpiu:
-Gati për mbrojtje,
po vjen ariu!
U tha ariu:
-Rrini në paqë,
njëherë e një kohë vija për mjaltë…
S’ia vlen më,
të sakrifikoj mes thumbash nëpër bletë.
Tani në pyll jam deputet,
në pjatë ma sjellin mjaltin qelibar.
Hajt, o bletë, u vaftë puna mbarë!
Zukatën bletët e thanë nën zë:
-Tani punon i gjithë pylli për të…
2. PROMETHEU DHE NJERIU
(fabul)
Dikujt iu shfaq Prometheu në ëndërr,
i lidhur prej Zeusit në shkëmbin e Kaukazit
dhe një shqiponjë që i çukiste mëlçinë.
-Lum si ju,- i tha Prometheu, – që në botën e sotme,
s’jua ha mëlçinë shqiponja, si mua të mjerit…!
-Sot është ndryshe,- i tha njeriu,-
sot njeriut nuk ia ha kush mëlçinë,
sot njerëzit i hanë shpirtin njëri- tjetrit.
3. DASHI I KOPESË
(fabu)
Dashi, i pari i kopesë,
djathë, qumësht, mish e lesh,
dhentë prodhonin, ai shiste,
lekët i fuste në xhep.
I tha derri tregëtar:
-Kij mendjen, i mjeri ti,
lekët ndaji me kopenë,
se do japësh llogari.
Po dashi qe dreqi vetë:
-Mbaje mend,- tha,- fjalën time:
sa të jenë dhentë në gjumë,
nuk më preket asnjë qime…
4. PARA FUÇISË
(fabul)
-Që ta provosh verën, mjafton dhe një gotë,
kurse ti, me ç’shoh, po than krejt fuçunë.
-Ç’thua, – i tha tjetri, me gotë mbushur plot,-
unë s’pi ta provoj, unë pi për të pirë.
5. DY QENUSHËT
(fabul)

Dy qenushë së bashku,

rrojnë në një vilë,

njëri i lëshuar,

tjetri në zinxhir.

Qeni që rri zgjidhur,

me të gjithë i urtë,

qeni i zinxhirit,

i egër si ujk.

Ruan ditë e natë,

tjetri ha e pi,

s’ia bën një herë ham

dhe lirinë, liri.

Lehu qeni i lidhur,

nga ankthi, nga zori:

-Eh, të paça fatin,

o zagar oborri!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.