14.5 C
Tiranë
E mërkurë, 14 Maj 2025

Ilirian Liçi

LUFTA PËR PUSHTET DHE PASOJAT.

Ngjarjet e 6 Janarit në Senatin Amerikan janë një pasqyrë e vërtetë e luftës antagoniste për pushtet. Janë një pasqyrë e vërtetë e pseudo-demokracisë amerikane dhe asaj botërore. Këto ngjarje bota i konsideron si një rrezik i madh për “demokracinë kapitaliste”, por në të vërtetë nuk është kështu. Këto ngjarje tregojnë fytyrën e vërtetë të pseudo-demokracisë, të maskuar prej shekujsh me “zgjedhje të lira e të ndershme”, por që realisht janë tërësisht të paligjshme edhe pse kanë legjitimitet juridik. Të maskuar me “konsensusin mes palëve kundërshtare”, të cilat praktikisht janë në luftë antagoniste të përhershme mes tyre, për pushtet dhe për sundim të paligjshëm.
Thuhet se është hera e parë gjatë gjithë historisë së SHBA-ve që ndodh një gjë e tillë, por unë kam bindjen se kjo nuk do të jetë e fundit, sepse tashmë Amerika e ka kaluar pikun e “lulëzimit”, dhe ka nisur atë të “rënies”.
Ajo që dua t’i përcjell këtu shoqërisë është e vërteta mbi rrezikun e pushtetit dhe pasojat e tij. Propaganda politike në mbarë botën e mbron pushtetin politik me demagogji e mashtrime duke mburrur politikanë të veçantë si Obama apo edhe të tjerë në Amerikë, si Merkeli apo edhe të tjerë në Evropë, por popujt duhet të kuptojnë se politikanët si individë nuk janë të përjetshëm. Dhe pas një Obame mund të vijë në pushtet një Trump, pas një Merkeli mund të vijë në pushtet një Hitler i ri, e kështu me radhë për çdo vend të botës ku politikanët konsiderohen si demokratë të devotshëm. Dhe pasi këta vijnë në pushtet, do të jetë gjithmonë shumë e vështirë për t’i hequr nga pushteti. Sepse vijnë me votën e popullit të mashtruar dhe kërkojnë ta mbajnë pushtetin me forcën që ky pushtet ju ka dhënë. Dhe për deri sa jemi të vetëdijshëm se shoqëria njerëzore vazhdimisht ka bërë përpjekje për ta kufizuar gjithmonë e më shumë pushtetin politik duke arritur deri në stadin aktual, tashmë ka ardhur koha që shoqëria e sotme ta kuptojë se pushteti politik është sundim tërësisht i paligjshëm dhe duhet eliminuar plotësisht, duke i lënë vendin institucioneve legjitime të shtetit, duke i lënë vendin sundimit të LIGJIT.
Popujt nuk duhet të gënjehen akoma edhe sot nga propaganda kapitaliste pseudo-demokratike.
Demokracia nuk është një proces, i cili ka filluar qysh kur ka lindur shoqëria njerëzore dhe do të vazhdojë pambarimisht si proces, sikurse mund të pretendojnë shumë njerëz.
Ai që ka filluar që kur është krijuar shoqëria njerëzore e do të vazhdojë deri sa të ekzistojë kjo shoqëri, është procesi i pandalshëm i evolucionit. Por evolucioni nuk është demokraci, sepse demokracia duhet të jetë rend shoqëror, ndërsa evolucioni është proces dialektik zhvillimi, i përhershëm dhe i pandalshëm. Rendi shoqëror dhe proceset shoqërore, nuk mund të jenë e njëjta gjë. Ajo që i lidh, i bashkon këto të dyja, është fakti që me ndryshimin e rendit shoqëror, ndryshojnë rrënjësisht edhe fenomenet dhe dukuritë shoqërore, edhe proceset shoqërore në tërësi, dhe po kështu edhe konceptet për këto procese. Pra procese demokratike, apo procese demokratizimi, realisht mund të kemi vetëm në rendin demokratik, në demokratizëm. Ashtu sikurse kishim në rendin komunist procese komuniste, apo komunistizimi. Proceset e komunistizimit të shoqërisë, ne shqiptarët i njohim më mirë nga të gjithë popujt e tjerë të botës, të cilët i përjetuan këto procese. Ashtu sikurse kemi në rendin kapitalist procese kapitaliste, apo kapitalistizimi. Edhe proceset e kapitalistizimit të shoqërisë ne shqiptarët po i përjetojmë me intensitetin më të lartë të mundshëm, sepse ish klasa komuniste në Shqipëri po kërkon që të kapë kohën e humbur, dhe në bazë të mësimeve të Gorbaçovit të shpalosura në mbledhjen e Katovicës, të transformohet sa më shpejt në klasë kapitaliste. Ashtu sikurse ka pasur në rendin feudal procese feudale, apo feudalizimi. Edhe proceset e feudalizimit dhe shndërrimit të njerëzve të thjeshtë në bujkrobër, bota i njeh mjaft mirë.
Ashtu sikurse ka pasur në rendin skllavopronar procese skllavëruese të shoqërisë të ligjëruara juridikisht, të cilat mund t’i quajmë procese skllavërizimi. Procese këto, të cilat kanë ekzistuar deri para një shekulli e gjysmë. Demokracia pra, nuk është një Qeveri që krijohet pas një procesi zgjedhor, ku edhe pse nuk është vjedhur asnjë votë, përsëri populli është mashtruar dhe nëpërmjet këtij mashtrimi, ka ardhur në pushtet dikush që mund të qeverisë për katër apo pesë vjet, si t’i dojë qejfi.
Demokracia nuk është as realizimi i vazhdueshëm e periodik i një rrotacioni politik, ku një herë në çdo katër apo pesë vjet mund të vijë në pushtet një parti tjetër apo një koalicion tjetër partish. Demokracia nuk është as ligjërimi i disa “lirive” dhe të drejtave të individit, të cilat më së shumti janë “liri” dhe të drejta, të cilat në praktikën e përditshme të veprimtarisë së shoqërisë njerëzore nuk kanë asnjë vlerë reale.
Demokracia nuk është pra ndryshimi i një forme të caktuar të sundimit të njeriut mbi shoqërinë njerëzore, dhe zëvendësimi i saj me një formë tjetër të sundimit të njeriut mbi këtë shoqëri, sundim që ndryshon vetëm në pamjen e jashtme.
Prandaj qytetari si individ dhe si shoqëri e tërë duhet të kuptojë se nuk duhet t’i a bëjë vetes dhe të gjithë shoqërisë gropën me duart e tij. Nuk duhet të votojë për të sjellë në pushtet një individ, një parti, apo një koalicion partish, por duhet të votojë vetëm për të krijuar një shtet ligjor demokratik të vërtetë, ku askush nuk mund të vijë në pushtet, por do të sundojë vetëm LIGJI.
Dhe në se aktualisht nuk ka mundësi që të votojë për një shtet ligjor demokratik të vërtetë, atëherë bojkotimi i çdo procesi zgjedhor të paligjshëm, duhet të jetë hapi i parë i popullit drejt zgjedhjeve të lira dhe tërësisht të ligjshme.
Në se nuk shkon në zgjedhje gjysma e atyre që kanë të drejtë vote, fitorja e parë e popullit është e arritur, dhe kjo duhet ta motivojë popullin për të hedhur hapin e dytë, atë të daljes në rrugë me kërkesën kryesore politike për ndarjen e partive nga shteti, për nxjerrjen e të gjitha partive nga institucionet e shtetit.
Në se populli arrin të dalë në rrugë me këto kërkesa politike ai ka korrur fitoren e dytë. Atëherë ai duhet të hedhë hapin e tretë, atë të mbledhjes së firmave të nevojshme me kërkesën për referendum popullor për miratimin e Projekt-Kushtetutës Kombëtare që populli e ka të gatshme në vëllimin e parë të teorisë së demokratizmit.
Në qoftë se gjysma e popullit ka arritur t’i bojkotojë zgjedhjet e paligjshme, në se ka arritur të dalë në rrugë e në sheshe me kërkesën për zgjedhje tërësisht legjitime, atëherë ai do të jetë në gjendje që të mbledhë jo 50 000 firma që kërkon paçavurja e sotme mbi të cilën përulet e bie në gjunjë Ilir Meta, por mund të mbledhë edhe 500 000 firma.
Atëherë një fuqije të tillë popullore nuk mund t’i bëjë ballë jo vetëm politika shqiptare, por as ajo evropiane apo amerikane, sepse do të fillojë të zgjohet nga gjumi i gjithë njerëzimi.
Ju duken të pamundura këto fitore?
Po këto janë fare të thjeshta për t’u realizuar. Nuk kërkojnë as luftë, as gjakderdhje, as shkatërrim, as humbje jetësh siç ishte dhe vazhdon akoma “Pranvera Arabe”, që u kthye në mjerim për të gjithë popujt e Afrikës Veriore. Kërkojnë vetëm bashkim të popullit rreth një qëllimi të përbashkët, tërësisht të drejtë e të ligjshëm, jo vetëm për popullin shqiptar, por edhe për të gjithë njerëzimin. Shikojini pasojat e luftës për pushtet edhe në Amerikë dhe përpiquni të krijoni bindjet tuaja të palëkundura se gjithçka që thuhet në botë për demokracinë është pseudo-demokraci, dhe se rrugë tjetër të drejtë e të ligjshme (përveç demokratizmit), nuk ka dhe as që mund të ketë.
Ti o lexues që arrin t’i kuptosh këto të vërteta.
Përcillja miqve të tu këtë mesazh, sepse do të bësh mirë për vendin dhe shoqërinë. Njerëzit kanë nevojë të mësojnë të vërtetat shkencore, në mënyrë që t’i flakin tutje gënjeshtrat dhe mashtrimet politike të partive.
Ilirian Liçi më 8-1-2021
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.