7.5 C
Tiranë
E premte, 14 Nëntor 2025

Iliriana Sulkuqi

 

MË PARË SE T’JU FALENDEROJ PËR GJITHÇKA, GJATË QËNDRIMIT TIM NË VENDIN TONË – MËMËDHE…( në prag fluturim…)
BIOGRAFIA IME NDRYSHE…DHE NJË PREMTIM…
(Për Dashurinë jap jetën. Për urrejtjen – Dashuroj-i.s)
Kam lindur në qytetin e lindjes para se të lindesha…
Jeta ime, vrapim që nga para brezave.
Vazhdova të vrapoj, sipas genit, aq sa vrapimi m’u bë “profesion” i lëkurtë (ashtu si rrobaqepësit që i shpohen sytë nga gjilpërat; si këpucarit që i thumben gishtrinjtë nëpër këpucë; si pjatalarësit që i thyhet një gotë e kristaltë, ku kanë venë buzët shumë dashuri; ashtu si një mjeku që bluza e bardhë i “nxihet”, kur nuk shpëton një jetë, pa fajin e tij; ashtu si një poeti që vargu s’i mbërrin te një dashuri; ashtu si dhe vetë koha që as moshën, as stinën e saj nuk e di).
Në Vrapim e sipër, u rrita, shpesh duke u përmbytur me fytyrë në llucë…
Vrapo e rrëzohu. Vetëngrihu…. Vrapo e rritu.. Vrapo e vrapo e ler gjurmë gabimesh. Me gomën e rritjes u mundova t’i fshij…
Sërish vrapova. Drejt Dashurive të mëdha. dashurive të “vogla” (të shenjta,të pakushtëzuara)…
Dashuritë e mëdha, m’u bënë “globale”, më rrëshqitën nga vetja… Të “voglat” m’u shtuan deri në dhimbje…
Vrapoj ende, deri në pambarim të vrapimit… Edhe pas një gurgullime; edhe pas një devijim Shkumbini; edhe pas një gjetheje Rrapi të plakur; edhe pas një vajtim kumurije; edhe pas një këngë zamani; edhe pas një smogu pa ikje; edhe pas një malli prej vajze; edhe pas një varri në thirrje…
Vrapoj, edhe pse, padashje, lëndoj shpirtra si unë, të trazuar, që u kërkoj, pa britma internetesh, Falje – me peshë më të rëndë sa kilogramët e trupit tim pa prehje…
Vrapoj si gjithnjë kam vrapuar, pa iu qarë botës.
Duke vetëqarë lotin tim, mund egon e kohës brenda vetes, që të jem me ju, siç jam lindur, para shumë brezave…
Oh, harrova… në biografinë time ndryshe mësoni edhe diçka që nuk ka asnjë vlerë….: Nuk kam shtëpi, në asnjë qytet-shtet të globit. Nuk kam asnjë numër llogarie.
Kam vetëm emrin e familjes sime dhe emrin e të gjitha dashurive të vrapimit tim – ÇMIM i Përveçëm nga ZOTI.
VRAPOJ…
PREMTIM:- Një ditë, pa stinë (se atje stinët emërtohen – Dëborë e Vullkan), nga maja e Kilimanxharës do t’ju jap përgjigje për pyetjet që na hëngrën jetën…: – PAQEN mos e kërkoni në Qiell, as nëpër Udhëkryqe pa krye. E keni brenda vetes suaj!
Premtoj!
Iliriana – Premtim pa stinë
23 tetor, 2018, Brooklyn, NY
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.