Ishte dita kur qyteti i laçit përcolli me dhimbje e lotë tenorin e famshëm Lukë Kaçaj. Pjesmarrmarrja në këtë ritual mortor ishte e madhe, nga të katër anët e Shqipërisë kishin ardhur ta nderonin miq, shokë, artistë e njerëz të thjeshtë.

Pasditeve, si gjithnjë isha në punë te ferma e mbarështrimit të derrave kur rreth orës 17 vijnë fëmijët e më thonë, kanë ardhur ca njerëz te shtëpija me xhaxhin dhe të kërkojnë. Ndërrova rrobat e punës dhe u nisa drejtë shtëpisë. Mëndja për momentin më shkoi për keq. A thua kishte bërë fjalë vëllai me njeri, apo ndonjë aksident pasi ai punonte me furgon transporti udhëtarësh. Shtëpia nga ferma nuk ishte më shumë se dyqind metër. Hyra brënda. Ishin shtatë vetë. Dy prej tyre i njihja ishin Artistët e Popullit Avni Mulaj dhe Rifat Teqja.
Pasi u prezantuam me të gjithë Avniu mu drejtua:
-Ishim në varrimin e mikut dhe kolegut tonë Lukë Kaçaj, kur po vinim nga Tirana drejtë Laçit vëllai juaj që ne e faturuam të na shërbente me furgon, na tregoi se këtu e kemi shtëpinë unë dhe vëllai im. Na tregoi se ju shkruani poezi dhe shkrime në gazetë. I thamë, në kthim do ndalojmë të pijmë një kafe dhe ja ku jemi, mirë se ju gjetëm.
Vura buzën në gaz, sytë dhe gjithë mimika ime shprehnin një kënaqësi për një nderim të tillë.
-Mirse erdhët, më nderuat.
-Nuk do rrijmë gjatë, vetëm nga një kafe e gotë raki do pijmë, foli Avniu që e kishin lënë në krye të vendit.
-Kam raki Kumbulle dhe rrushi, kam verë të kuqe e të bardhë, kam kos edhe dhallë, çfarë dëshironi të pini? u thashë, duke ofruar bujarinë time.
-Raki shlivë duam, mori fjalën përsëri Avniu. Ishte fjala për raki kumbulle. Mbusha me raki jo gotat e zakonëshme, por gota uji. Raki kisha me u larë siç thotë populli.
Me një herë mu drejtua Avniu,

-Nuk kishe gota më të vogla, apo mendon se ne artistët e pijmë shumë rakinë?
-Do pijmë sa të duam, ja mirë se erdhët dhe takuam gotat të gjithë. Sakaq bashkëshortja ofroi pjatat me meze, ku gjithçka ishte prodhim nga ferma ime si djathi, perimet, sallata, ullinjtë, vezët dhe mishi i derrit.
Në një çast Fuati, që ishte shefi i financës së lidhjes së shkrimtarëve nisi të tregojë një histori, kur e ndërpreu Rifati. Ta tregojë Avniu. Kuptohej se do ishte interesante dhe Avniu si shkodran që ishte, kishte mënyrën e tij të këndëshme për ta treguar.
Ishte viti 1952, filloi të tregojë Avniu, Unë sëbashku me Rifatin Teqen, Ibrahim Tukiqin, Gjergji Athanas dhe Mentor Xhemalin u nisëm të vazhdonim studimet në konservatorin “Çajkovski“ të Moskës në BRSS. Na kishin porositur që të bënim kujdes se agjenturat e huaja mund të na rekrutonin në shërbim të tyre. Vajtëm për tu regjistruar. Sekretarja ishte një grua e thyer në moshë, mbante syza të bardha për të rregulluar shikimin. Syzat i kishte vendosur në majë të hundës dhe shkruante në një regjistër të gjithë emrat e të dhënat e studentëve nga vinin dhe çfar studionin. Unë isha caktuar kryetari i këtij grupi prej pesë vetash. Hyra i pari.
-Emrin ju lutëm, mu drejtua me sytë mbi xhamat e syzave.
-Avni Mula.
-Vendlindja juaj?
-Prizren.
-Jugosllavia, filloi të shkruante pasi Prizreni ishte nën shtetin jugosllav.
-Jo jo, Albania i thashë. E shënoi dhe vuri një kryq para emrit.
-Tjetri.
-Ibrahim Tukiqi.
-Vendlindja? Ulqin, foli qetë Ibrahimi.
-Cërna Gore. Njet, foli në gjuhë ruse Ibrahimi, Albania.
E shënoi dhe emrit të tij, i vuri një kryq përpara.
-Tjetri, Emrin dhe vëndlindjen.
-Xhorxh Athanas, Vendlindja Boston.
-Amerikan?
-Jo jo Albania.
E pa me vëmendje dhe me habi pak çaste: e regjistroi dhe ju drejtua Rifatit. Rifati ishte nga Peqini por gjuha ruse nuk ka “q” dhe shkruhet me “k”.
-Rifat Tekja, Vendlindja Pekin.
-Kinez, ju drejtua sekretarja.
-Jo ç’ne kinez, Albanez.
Në moment u ngrit në këmbë, hoqi syzat i lëshoi mbi gjoks, varur në një lidhëse pas qafe dhe përplasi stilografin mbi rregjistër.
-Ç’jeni more ju të gjithë Albanezë dhe asnjëri skeni lindur në Atdhe.
Në këtë kohë flet Mentori, Jam unë Mentor Xhemali, Përmetar, shqiptar i vërtetë.
Qeshëm të gjithë, edhe ata që e kishin dëgjuar disa here, ndërsa unë që e dëgjoja për herë të parë kam qeshur gjatë me lot.
Historitë e tjera nuk kishin të sosur, Tregonin kur dilnin për të peshkuar me Kadri Roshin, Timo Fllokon dhe artistë e aktorë të tjerë.
Koha kaloi pa u ndjerë. Jashtë nata kishte mbuluar dhenë, vetëm atëherë e kuptuam sa gjatë kishim qëndruar dhe sa shpejt kishte kaluar koha. Miqësinë e ruajtëm gjatë, gjer sa Avniu dhe Fuati ndërruan jetë. Le të jetë ky shkrim një homazh për jetën e tyre.