-Si jeni ndjerë kur keni dalë me librin tuaj të parë poetik?
-Sipas meje, peshën më të madhe emocionale e ka botimi i krijimit të parë. Dhe si çdo herë e parë, sigurisht që kënaqësia ndjehet më shumë se në çdo rast tjetër. Pavarësisht nga mosha, ëndrra e çdo krijuesi është të prodhojë dhe të pëlqehet. Me botimin e parë kam kuptuar shumë gjëra, për të cilat nuk do të doja t’i sillja në vëmendjen e lexuesit, sepse mbeten vetëm tek krijuesi si sublimitet.
– Të shkruash është emocion, s’ka vend për fitim dhe interesa. Si lindi ideja për të qenë pjesë e gazetarisë, ishte dëshirë, sfidë apo detyrim moral i rëndësishëm nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve social-ekonomike dhe politike në komunitet, apo…?
-Ekzistojnë disa kushte që njeriu të mund të angazhohet drejt vetes dhe realitetit. Krijimi është diçka e brendshme, shpesh realiteti të tërheq fort dhe ti ndjen se duhet të kodifikosh çastin, emocionin, ngjyrat, lëvizjet dhe të duket se aty gjendët e gjithë bota. Nuk ka objektiv, ka spontanitet që të bën të krijosh emocionalisht një raport të realitetit me identitetin tënd përmes një marrëdhënie kongnitive dhe afektive, tek të cilat “varesh” plotësisht dhe me dëshirë. Sigurisht që në këtë proces luajnë rol të rëndësishëm kultura, historia, fenomenet social-politike në komunitetin ku jeton e shumë faktorë të tjerë mjedisorë. Pra, nuk lind ideja të bëhesh krijues apo gazetar, por të shtyn faktori i brendshëm i dhënë dhe i pasuruar gjatë jetës.
Vizioni e ka bazën tek imagjinata, thuhet nga disa studiues. Vetëvlerësimi e ka bazën tek vetëdija dhe ndërgjegja. Të dyja i mban në jetë forca e vullnetit vetëveprues. Njeriu, aftësitë vizionare dhe vetëvlerësuese, fillon t’i mësojë në mënyrë intuitive që në familje. Jeta i mundëson kushte të reja, kërkon një proces të studiuar pune këmbëngulëse, duke zbatuar dhe praktikuar metoda, mjete dhe ide të përparuara, duke krijuar terrenin e përshtatshëm social – psikologjik, përmes një rruge të lodhshme, por që synon një fund të lumtur.
-Çfarë mëkati i njihni vetes nga puna si poet dhe gazetar i dy kohëve: para dhe pas viteve ‘90?
-Mëkatin e krijimit. Këtë ia njoh vetes në të dy kohrat. Brenda këtij mëkati ka dashuri, ka pasion, ka ëndrra, ka realitete të tjetërsuara imagjinare, ka emocion, shpresë, besim, trill…
– Ç’është poezia për ju: kënaqësi, krenari apo diçka tjetër?
-Thjeshtë është arratisje. Arratisje nga realiteti, është një lojë, ku përvoja dhe realiteti përplasen mes tyre në një arenë shumëdimensionale dhe japin një aliazh sintetik të ngarkuar me emocion. Në ato momente kur nivelet e nxitshmërisë rriten, rritet gjithashtu dhe “arratisja” e individit deri në pikën e “lindjes” dhe pasi “lind”, merr vlerat, ku ndjehet dhe krenaria, emocioni dhe kënaqësia.
-Keni tashmë një penë të çiltër, të ndjeshme dhe njëkohësisht të thjeshtë dhe mjaft emocionale. Prej ku buron kjo energji?
-Fatmirësisht dimensioni afektiv dhe marrëdhëniet krijues – realitet lidhen dhe me edukimin e hershëm, me traditën, me genin dhe me mënyrën se si e “thith” realen, se si “shkëputesh” nga realja për tek simbolikja dhe vjen duke u pasuruar me edukimin, përvojën, mjedisin social dhe natyror e shumë të tjera. Mosha dhe kushtet e marrëdhënies me realitetin kanë një ndikim shumë të madh mbi mënyrat me të cilat shfaqet krijimi.
-Të jesh poet duhet të jesh i gjithanshëm, mendoj se ke investuar në vite pune, ku tashmë jeni bërë i njohur në qarqet sociale dhe mediatike.
-Esenini i madh thoshte: “Të jesh poet i pavdekur kurrë, shpirtin njerëzve për t’ua përkëdhelur, / gjak nga ndjenjat nxir, plagos lëkurë, / të vërtetën jetës pa ia shkelur…/. Ky është një ndër parimet që më ka udhëhequr në fushën e krijimtarisë time.
Çdo krijim i imi është një pjesë e shpirtit tim dhe për këtë kam lexuar gjatë të gjithë jetës time, që kur kam mësuar të lexoj. Brenda meje nuk ka urrejtje, vetëm dashuri. Kjo është arma ime e përjetshme, me të cilën kam luftuar dhe ky është investimi im më i madh në këtë drejtim.
-Në poezitë e librave tuaj poetikë jeni mbështetur më shumë tek dashuria e pastër njerëzore. Shumë tituj poezishë e thonë këtë. Beson se dashuria, mirënjohja, respekti reciprok dhe vlerat njerëzore janë triumf në poezitë tuaja?
-Krijimtaria është dashuri. Nëna krijon qenien. Përmes krijimit i japim kuptim jetës, zhvillimit, i japim vlerë dhe kuptim ekzistencës së shumë faktorëve mjedisorë dhe në qendër të të gjithave është dashuria, janë vlerat për çdo krijues. Aspekti “terapeutik” i krijimit është jo vetëm me vlerë individuale, por dhe sociale, sepse shpesh gjëndet brenda krijimit vetëshërimi, kapërcehen zhgënjimet dhe për këtë çdo krijues ndjen përgjegjësi. Kjo ndodh dhe në poezitë e mia.
-Në vendin tonë, këto 25 vjet, ka shumë që bëjnë dhe duan të bëjnë poezi në rryma të ndryshme dhe këndvështrime gjithashtu. Të pëlqen realja apo absurdja?
-Mendoj se individualiteti është dhe bukuria, jo vetëm e krijimit, por dhe e gjithë jetës, sepse e diversifikon shoqërinë. Prandaj dhe shikimi i botës në kënde dhe mënyra të ndryshme, i jep bukuri krijimit. Ndërsa realja dhe absurdja janë pazgjidhshmërisht brenda një realiteti, sepse ne veprojmë në një realitet të gjallë dhe ecim çdo sekondë mbi absurdin. Kështu që krijimi ka krahë, ka fantazi, imagjinatë, ide, të cilat shkojnë përtej reales dhe çdo poet nuk mund t’u shmanget, sipas meje.
-Si të duket sot vendi i mediave vizive dhe të shkruara në përgjithësi? Sa janë ato pranë gjërave, njerëzve të ditur dhe sa hapsirë ju japin politikanëve?
-Krijimtaria përbën një pikënisje për zhvillimin kognitiv të vetë krijuesit, sepse zbulimi, arsyetimi dhe mendimi lindin nga veprimtaria e organizuar, por marrin jetë nga imagjinata, e cila është dhe baza kryesore e vizionit individual të çdo krijuesi.
Mediat, sipas meje, sot janë pjesë e shoqërisë dhe si të tilla do të mbeten gjithmonë pazgjidhshmërisht si fëmija që merr tiparet e prindit deri sa të arrijë të kuptojë vetë jetën dhe të fitojë pavarësinë e plotë. Duke qenë kështu, ata përpiqen të bëjnë aq sa i lejon “buka”, duke na dhënë të kuptojmë që realiteti nuk përbëhet vetëm nga ato gjëra që duken.
-Poeti mbetet gjithnjë poet, kurdoherë do të krijojë. A do të kemi një libër tjetër prej jush në të ardhmen?
-Patjetër. Unë kam përfunduar vëllimin e pestë me poezi, të cilin do ta nisi shumë shpejt për botim. Kam dhe një vëllim me tregime të gatshëm për botim.
Gjithashtu po përfundoj dhe një libër profesional mbi komunikimin në familje, për të cilin kam disa vite që punoj. Kam dhe një monografi që është në fazën përfundimtare të saj, e cila e çon në tre numrin e librave monografikë të bërë nga unë.
-Po ta shikoni botën me syrin e poetit, ku do të ishte Shqipëria, më përpara apo nuk të interesojnë stadet e saj në poezi, pasi emocionet e shkrimtarit janë emocione dhe të tilla mbesin përherë?
-Struktura emocionale e njeriut dhe sidomos e krijuesit, ka në vetvete edhe një funksion tjetër, atë të monitorimit të mjedisit ku lind, rritet, zhvillohet dhe si i tillë bëhet pjesë reale dhe kontributore në këtë mjedis. Rregullimi i emocioneve është shumë i rëndësishëm për njeriun dhe për shoqërinë në tërësi, për sjelljet dhe sinjalet ekspresive që i japim mjedisit social. Shqipëria ka shumë resurse, por njeriu ka shpesh ngutje të madhe dhe kjo ka bërë që shumë gjëra të bukura të “sakrifikohen”, ndoshta dhe emocionet, të cilat kanë bazë përherë realitetin. Krijuesin e ndihmon fantazia për të kapërcyer shumë herë dhe “stadet”.
-Ju në krijimtarinë tuaj paraqisni personazhe nga jeta reale apo ato janë thjeshtë pjellë e fantazisë?
-Njeriu ka rëndësi që të rregullojë emocionet e veta, por kjo ka rëndësi dhe për vetë shoqërinë njerëzore. Në krijimtarinë time përpiqem të jem në një gërshetim të reales me simboliken, duke pasur në kujdes kapacitetet e mundshme për të rritur kontrollin e emocioneve, jo për t’i penguar ato, por duke intensifikuar ndjenjat, që janë pjellë e realiteteve tona dhe të ngjyrosura me fantazinë, e cila është bazë e vizioneve personale, siç e theksuam dhe më lart.
-Si mendoni për statusin aktual të kritikës?
-Nuk mendoj se ekziston kritikë letrare apo ndonjë tjetër e ngjashme me të. Ka më shumë hipokrizi dhe “drogim” të saj. Kritika e sinqertë dhe objektive është shumë – shumë e minimizuar. Sot, po të thuash të vërtetën, krijon një urrejtje. Kjo po kthehet në patologji.
-A ka kritikë të mirëfilltë sot për sot?
-Sipas meje, jo! Ka hipokrizi dhe egoizëm të mirëfilltë.
-Mesazhi juaj.
– Krijuesit janë krijesa të kulturave dhe konteksteve tona sociale, të cilët duhet të shfrytëzojnë fuqinë e situatës, fuqinë e tyre individuale dhe sociale dhe të bëjnë të mundur që reagimet e tyre të jenë në përshtatje me ndryshimet, asnjëherë si të indoktrinuar, por gjithmonë “të arratisur” nga vetja dhe jashtë urrejtjes.
– Faleminderit!
Bisedoi: Fran Gjoka (Gazetar)