TË EDUKOSH, DO TË THOTË TË RRITESH KAPACITETIN KRIJUES, INTELEKTUAL TË MBARË SHOQËRISË
-Me z. Ndue Dragusha,Supervizor i SHPS, DAR, Qarku Lezhë-
-Edukimi i fëmijëve është kusht parësor i shkollës sonë sot. Si e shihni këtë çështje, në raport me të shkuarën?
-Edukimi i fëmijëve ka qenë dhe mbetet një ndër detyrat themelore të prindit, shkollës dhe shoqërisë, e cila, me edukimin e brezave, zgjidh definitivisht ekzistencën e saj. Për këtë ngre dhe reformon në mënyrë të vazhdueshme institucionet e saja të edukimit. Dhe një ndër institucionet kryesore me definicion mësimin dhe edukimin është shkolla, si qendra me përqëndrim të theksuar të grupmoshave të ndryshme, të cilat kanë në vetvete jo vetëm brumin e “pasistemuar”, por edhe një “vullkan hormonal”, që i bën të zjarrtë dhe nganjëherë “të vështirë”. Prandaj, për të kapërcyer dallgëzimet shqetësuese të tyre dhe për të rikuperuar mundësitë shumë të mëdha të të edukuarit, kërkohet që shkolla të vihet përballë tyre, duke bërë përpjekjet maksimale për t’i kuptuar ata, për të parë se çfarë ndodh vërtetë në situatat që kërkojnë reagim dhe të venë në lëvizje aftësitë profesionale për të përcaktuar veçantitë dhe stimujt që kërkon situata.
Koha ecën me hapa gjigande dhe kjo bën që secili të mendojë seriozisht për të prezantuar mundësi të reja brenda realitetit të ri të krijuar. Me këtë dua të them se raporti me të shkuarën nuk e favorizon të sotmen, prandaj është shumë e domosdoshme që të shikohen ndryshimet dhe përshpejtimet fizike, psikologjike, fiziologjike të fëmijëve të sotëm dhe të kuptojmë se edukimi në shkollë duhet të ketë më shumë hapsirë dhe vëmendje nga profesionistë, siç janë mësuesit. Haim Ginott (psikolog amerikan), thotë: “Kam nxjerrë një konstatim të tmerrshëm se unë jam elementi vendimtar në klasë. Qëndrimi im krijon klimën. Disponimi im i përditshëm krijon kohën. Si mësues, unë kam fuqi të madhe që ta bëj jetën e fëmijëve të mjerë ose të lumtur. Mund të jem vegël për torturë ose instrument inspirues. Mund t’i poshtëroj ose t’i disponoj, t’i lëndoj ose t’i shëroj. Në të gjitha situatat, përgjigja ime vendos se a do të eskalojë apo jo kriza ose a do të humanizohet apo jo fëmija.”
-Familja luan rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijës. A mendoni se është liberalizuar roli i familjes në edukimin e fëmijëve në ditët e sotme?
-Patjetër që familja luan rolin kryesor. Përfytyro një ndërtesë shumëkatëshe, e cila nuk ka themele të forta. A do të qëndrojë ajo përballë lëkundjeve tektonike? Kështu dhe fëmija, që ka marrë një edukim të mirë në familje, që përfaqëson vlerat qytetare, do të jetë i aftë të kualifikohet si qytetar i denjë dhe në personalitetin e tij nuk do të ketë çrregullime me shfaqje antishoqërore, ai nuk e vuan shumë krizën e identitetit, sepse edukimi në familje ka ndikuar për të krijuar vizione të qarta për të ardhmen e tij, ka vetëvlerësim real për veten dhe procesi i ngritjes mbi të kundërtat kryhet me vendosmëri.
Dante Aligeri, mësuesit dhe prindërit që nuk i përgatisnin fëmijët për të ardhmen, do t’i vendoste në radhët e fundit të ferrit si dëmtues të kapacitetit krijues intelektual të mbarë shoqërisë njerëzore.
Unë jam i bindur në vetvete se prindërit, jo për shkak të liberalizimit, por për paaftësinë e tyre edukuese, i dëmtojnë fëmijët e tyre më së shumti, duke i tejngopur me dashuri, që i kapërcen kufinjtë e edukimit. Rëndom shikon prindër që çojnë fëmijët në shkollë dhe janë ata që marrin në krah çantat e tyre të librave. Kjo, për mua, është shumë e dëmshme, sepse nuk i jep fëmijës mundësinë të shijojë kënaqësinë e të kryerit të një detyre, nuk i jep mundësinë të vetëvlerësojë aftësitë e tija, nuk i jep mundësinë që të kuptojë se në jetë duhet të jesh vetë i aftë për të kryer detyrat etj. Kështu fëmija fillon të mësohet si një lloj “paraziti”, që e pret gjithçka nga të tjerët, duke mos qenë kurrë i aftë për t’u orientuar se për çfarë e bën këtë apo atë punë. Vjen një moment që fëmija ka mungesë interesi dhe gëzimi, mungesë motivi për të jetuar dhe shumë shpejt fëmija bie në depresion dhe në familje fillojnë përplasjet. Më së shumti, prindërit, nuk kanë durim për t’i kupuar fëmijët e tyre. Ata shpesh u bëjnë “moral” të thatë, ose i urdhërojnë, ose i neglizhojnë, duke e krijuar vetë precedentin në familje. Fëmijët nuk duan ata që u tregojnë rregullat e lojës, por duan ata që luajnë me ta.
-Ç’mendim keni për raportin fshat/qytet dhe premisat e edukimit të fëmijëve. A mendoni se në ditët tona kemi dy tabllo në fushën e edukimit, përderísa fëmijët e qytetit janë më në kontakt me teknologjinë e sotme?
-Zhvillimi i madh i teknologjisë së informacionit ka bërë të mundur që ky raport fshat – qytet të mos jetë i thelluar, përkundrazi, ka shumë përafrim dhe njësim. Por këtu mund të theksojmë mundësinë e vakuumit që krijohet në aktivitetet e zhvilluara dhe në mënyrën e motivimit për jetën në përgjithësi. Fshati e mbyll ciklin e aktivitetit në perëndim të diellit, kurse qyteti ka mundësira të tjera.
Tek fëmijët e zonave rurale zë vend më shumë tradita, duke u mbledhur më shpejt në darkë në shtëpi, u jepet mundësia që të lidhen më shumë me familjen, të krijojnë raporte hierarkike brenda familjes, çka mund të sjellë edhe një disiplinë të imponuar dhe shpesh edhe frustuese, por ata e shikojnë familjen edhe si një mundësi e përbashkët për të përballuar jetesën. Kurse fëmijët e qytetit bëjnë një jetë më shumë sedentare dhe si e tillë lind nevoja e “shkarkimit” të energjive, të cilat shpesh marrin kahje negative, duke shfaqur dhe sjellje antisociale.
-Duke qenë se jeni një nga njerëzit më të njohur në fushën e psikologjisë së edukimit, ç’porosi do t’u jepnit prindërve të sotëm për të edukuar fëmijët e tyre me normat e moralit shoqëror?
-Sipas meje, nuk ka dhe s’duhet të ketë zgjidhje me forcë të gjërave dhe as me izolim. Në radhë të parë, prindërit duhet të arrijnë të njohin fëmijët e tyre, të përpiqen për t’i kuptuar ata, të jenë të sinqertë në bisedat me ta, të mos e paraqesin veten e tyre ashtu siç nuk ishin apo nuk janë, por t’u flasin realisht dhe pa fshehje të dobësive, të kujdesen që, sipas stadit të zhvillimit të tyre moshor, të përfshijnë fëmijët në mbështetje të familjes, duke u caktuar detyra që ata mund t’i përballojnë, të përpiqen të kuptojnë vizionin e tyre personal dhe ta mbështesin atë, të njohin sistemin biologjik të fëmijës, që t’i krijojë mundësitë që fëmija të ndjehet mirë. Në sistemin psikologjik të stimulojnë aftësitë individuale të fëmijës për të perceptuar drejt realitetin, për të reaguar dhe për të kontrolluar e përshtatur sjelljen e tyre apo gjendjet e tyre emocionale.
Gjithashtu, në aspektin e sistemit social, duhet të tregojnë kujdes në shpjegimin e pozicionit të qenieve njerëzore në ambientin social ku bën pjesë, mundësitë që krijon ky rreth për plotësimin e nevojave të ndryshme dhe zhvillimin e individëve pjesëmarrës. Çdo kohë krijon moralin e vet, prandaj prindit i duhet që të studiojë dhe vetë ose të komunikojë me specialistët e fushave përkatëse për t’i dhënë mundësi fëmijës që të perceptojë drejt dhe të përvetësojë sistemin e ri të moralit bashkëkohor pozitiv.
-Cilët mund të jenë disa faktorë unikalë për bashkërendimin e punës edukative mes shkollës dhe familjes, nisur nga problemet që po kalon shkolla jonë sot?
-Detyra e parë dhe e rëndësishme, si për mësuesin dhe për prindin, është të njohë dhe të inkurajojë fëmijët. Të jenë pozitivë në të folurit me fëmijët dhe me çdo kusht duhet t’u shmangen nënçmimeve dhe poshtërimeve, t’i bëjnë bashkëpunues, duke marrë dhe mendimin e tyre edhe për probleme të rëndësishme. Prindi dhe mësuesi duhet të kontaktojnë shumë shpesh dhe të marrin e japin informacion për arritjet apo dobësitë e fëmijës. Asnjëherë të mos u bëhet gjyq fëmijëve.
MAS, me RA që po zbaton, ka një ide shumë të favorshme për gjithëpërfshirjen dhe për një shkollë komunitare, që do të krijojë një komunikim dhe bashkërendim të veprimtarive të shkollës, të prindërve dhe të shoqërisë civile shumë të mirë dhe që besoj se do të jetë shumë rezultativ në se do të mbështetën me infrastrukturën e nevojshme.
Pjesëmarrja në aktivitete zhvillon mundësinë e shprehjes së vlerave individuale dhe kolektive të fëmijëve dhe angazhon dhe prindërit e mësuesit në bashkëpunimin e tyre. Kjo do të bëjë të mundur dhe shumë efektive lidhjen e shkollës me komunitetin, si bazë reale e orientimit të veçorive individuale të integruara në mënyrë të natyrshme me vizionin kolektiv bashkëkohor dhe me veçoritë globale të zhvillimit.
-Mendoni se ka ardhur koha të rishikohet Ligji për Arsimin Parauniversitar, sa i takon masave ndëshkuese ndaj nxënësve, nisur nga aktet e padenja që po duken në mjediset shkollore sot?
-Tek kjo pyetje duhet shumë konsensus me lexuesin, sepse akoma filtri ynë social është i papastër, për shumë arsye. Ne e theksuam dhe më sipër se çfarë duhet bërë lidhur me edukimin, bashkëveprimin e bashkëpunimin mes familjes dhe shkollës. Por ajo që është shumë e rëndësishme në këtë kërkesë tuajën, sipas meje, është të kuptuarit e rolit të prindit, e rolit të eduaktorit, e rolit të psikologut jo vetëm nga ata vetë, por edhe nga shoqëria. Sigurisht që ligjet duhet të përmirësohen e ndryshohen në raport me kërkesat që paraqet para tyre realiteti i ri, por me ketë vrull duhet të kthjellohen dhe të gjithë aktorët dhe faktorët socialë. Aktet e padenja të fëmijëve gjithmonë e kanë një arsye.
Le t’i referohemi hierarkisë së nevojave të Abraham Masllov, i cili vendos në themel të nevojave, nevojat fiziologjike, si ajri, uji, ushqimi, strehimi etj. pastaj vijnë me radhë nevoja për siguri – mbrojtja nga faktorët e jashtëm, sëmundja, frika etj., nevoja për përkatësi dhe dashuri, nevoja për respekt, njohuritë, nevojat njohëse, nevojat estetike, vetaktualizmi – plotësimi i potencialeve, arritja e të gjithave çfarë mendohet.
Sikur ne të arrinim të bashkëpunonim për realizimin e këtyre nevojave, sigurisht që do të eleminoheshin shumë veprimet sociopatike të të rinjve dhe nevoja për shtrëngime ligjore apo “dënime” do të ishte shumë e limituar. Gradualisht edhe sistemi ynë kurrikular dhe shkolla komunitare do të sjellë në evidencë përmirësime të legjislacionit. Këtë po e bën mjaft mirë Reforma e re Arsimore si dhe projekti “Policimi në komunitet” për të parandaluar shumë nga sjelljet antisociale në mjediset shkollore.
-Ç’ndikim ka zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit sot tek nxënësit. Ndikon pozitivisht apo negativisht përdorimi në masë i telefonit dhe facebook-ut në edukimin e pakontrolluar të tyre?
-Asnjëri nga ne nuk mund të thotë se ky zhvillim nuk është pozitiv në jetën tonë, sepse ka bërë që të shkurtohen distancat, të globalizohen idetë, mendimet, të sjellë komunikimin në çast etj. Mendoni për një moment që baruti i shpikur në Kinë, vonoi të vinte në Europë për 1000 vjet. Sot të vjen me të qindat e sekondës informacioni nga çdo anë e globit, sikur ta kishe brenda dhomës tënde të punës. Por përdorimi pa kriter i internetit nga ana e fëmijëve dhe adoleshentëve ka sigurisht pasojat e veta, sepse qëndrohet pa kriter, pa orar dhe pa e kombinuar me lëvizje të organizmit, me daljet në natyrë etj., çka sjell dëme në sistemin nervor, kufizon rrezen e shikimit tek ata, duke krijuar probleme në shikim, dhembje koke, pagjumësi dhe shpesh dhe humbje të oreksit etj. Përveç kësaj, është bërë shumë evident dhe shqetësimi në shkolla i përdorimit të facebookut në orët e mësimit, i cili e dobëson shumë interesin për mësim dhe ul në maksimum vëmendjen për të mos thënë se e largon plotësisht.
-Keni një jetë të tërë në fushën e arsimit dhe të studimit pedagogjik. Sa është e vërtetë thënia se “fëmija është pasqyrë e prindit”. Sa vlen kjo shprehje sot?
-Kjo është një e vërtetë jo absolute, por shumë e rëndësishme, e cila e ka burimin në një njohje të gjatë historike të fenomenit. Populli thotë: “Në mos rrjedhtë, pikon.”, që do të thotë se duam apo nuk duam, diçka do të mbetet nga geni. Duhet një punë shumë e madhe dhe e kujdesshme edukative nga ana e prindërve që të bëjnë të mundur një edukim bashkëkohor, duke lidhur ndryshimet cilësore të proceseve, gjendjeve dhe vetive psikike si dhe të vëmendjes në mosha të ndryshme të zhvillimit të fëmijës, në bashkëpunim edhe me strukturat e tjera sociale, mësimore e edukative, për ta realizuar dhe formuar fëmijën. Gjithsesi, fëmija është deri në një farë mase pasqyrë e familjes dhe shkolla është pasqyrë e shoqërisë. Sigurisht që nuk mund të përjashtohen dhe trashëgimia, mjedisi social ku rritet dhe zhvillohet ai, ndikimi i kulturës ku është rritur etj.
-Si mund të shmanget fëmija i sotëm nga veset e këqia në kuadrin e edukimit familjar?
-Siç dhe e theksuam, çështja më serioze në jetën familjare është edukimi i fëmijëve, i cili është një proces i vështirë, që meriton shumë sakrificë dhe angazhim prindëror dhe familjar. Sot psikologët mendojnë se nuk ka fëmijë të këqinj që në lindje, por edukimi jo i mirë është ai që i bën fëmijët e këqinj. Kur lind fëmija, ai llogaritet si “tabula rasa” nga latinishtja, që dmth dërrasë e bardhë, e cila pasurohet nga përvoja dhe perceptimi jetësor. Në këtë “tabula rasa–dërrasë të bardhë”, ne mund të “vizatojmë” ç’të të duam, ose diçka të bukur dhe të këndshme, ose mund të “zhgaravisim apo të vizatojmë” diçka të shëmtuar. Në bazë të kësaj, psikologët vërtetojnë se shkak i sjelljes së dhunshme të psikopatëve dhe sociopatëve janë pasojat e fëmijërisë së çrregullt të tyre, pasi ato shpesh kanë qenë dëshmitarë apo edhe vetë viktimë e dhunës në familje, kur kanë qenë fëmijë.
Fëmijët janë imitues të fortë të prindërve, ato shohin çdo lëvizje të prindërve dhe antarëve tjerë të familjes dhe i imitojnë ata. Prandaj, për t’i shmangur fëmijët nga veset e këqia, përveç atyre që theksuam më sipër, ka rëndësi të madhe shembulli i prindit kundrejt sjelljes së fëmijëve. Fjala mëson, kurse shëmbulli udhëheq. Familja është vatra ku rritet presidenti dhe krimineli, edukatori dhe hajduti, implementimi i edukatës në familje do të thotë ndërtimi i një fabrike të suksesshme të së ardhmes së njerëzimit.
-Si duhet vepruar, profesor, me nxënësit agresivë dhe të dhunshëm, që sot janë të pranishëm në shkollat tona?
-Është një pamje mjaft e dukshme, shumë e shëmtuar dhe e shpeshtë, në disa ambiente shkollore, agresiviteti. Kjo gjë vë shumë në pikëpyetje rolin e prindit, edukatorit dhe perceptimin social të zbatimit dhe të respektimit të ligjit në përgjithësi dhe të atij specifik për shkollat, në veçanti. Për të bërë të mundur zotërimin dhe zbutjen e agresivitetit tek këto mosha, edukata është shkolla më e mirë, e cila nuk ka mundësi të arrihet pa edukatorë, mësues dhe prindër të edukuar dhe të aftë për t’i përballuar sfidat me fëmijët e tyre. Sot në shkolla ka një sistem të tërë jo vetëm mësimi e edukimi, por edhe mbrojtje të fëmijëve në shkolla, e cila fillon që nga drejtoria e shkollës, stafi pedagogjik, shërbimi psiko-social dhe zgjerohet deri në strukturat vendore dhe rajonale të sistemit shtetëror dhe organizatat joqeveritare e shoqatat e ndryshme. Bashkërendimi i veprimtarive të tyre, krijojnë mundësinë e uljes së nivelit të agresivitetit, por e shoqëruar dhe me metoda efikase komunikimi të vlefshëm dhe të mbështetur në respektimin e të drejtave të secilit.
-Dhe në fund, disa sugjerime për institucionet arsimore qendrore dhe bazë për normat që duhen zbatuar në fushën e rritjes së fëmijëve në shkollat tona.
-Institucionet arsimore në përgjithësi dhe shkolla në veçanti, duhet të ndërgjegjësohen se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje e përkujdesje të vazhdueshme dhe për këtë duhet të krijojnë një atmosferë pozitive e të sigurtë me qëllim që ata t’i shprehin lirshëm mendimet e tyre dhe të marrin në mënyrë frekuente mbështetjen e duhur. Por krijimi i një mjedisi të sigurtë, të mbrojtur, mikpritës dhe bashkëpunues në shkolla i shërben jo vetëm përgatitjes teorike dhe zhvillimit psikosocial të fëmijëve, por edhe rrjedhjes normale të procesit mësimor dhe edukativ.
Duke qenë se problematikat e shkollave tona në ditët e sotme janë të ndryshme, lind domosdoshmërisht nevoja e ngritjes së kapaciteteve të drejtuesve të saj, si një kusht kryesor, për të bërë kështu të mundur identifikimin në kohë të fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje dhe ofrimin e mbrojtjes së duhur në mënyrë sistematike si dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë, në Konventën për Mbrojtjen e Fëmijëve, në Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut etj. Gjithashtu krijimi i kushteve për punë, si sistemi i ngrohjes në shkolla, staf akademik cilësor dhe integrim të punës së shkollës me familjen, komunitetin dhe pushtetin vendor.