Në këtë kohë të vështirë plot ngjarje e lajme të dhimbshme, po të më pyesnit: “Cili është vendi më i bukur ku ke qenë ndonjëherë ?”
Do t’iu përgjigjesha: Në një përqafim…në atë përqafim
ku frymojnë emocione malli, gëzimi, ngushëllimi, falenderimi, respekti…. Në pamundësi, miq të dashur, ju dërgoj një përqafim virtual kudo që të jeni. Një përqafim virtual mirënjohës edhe për studjuesin, arkivistin e njohur Petro Mejdi për vlerësimet e mëposhtëme në faqen e tij te fb:
Petro Mejdi
–Recensent në një botim dhe një autograf —
Prolog
Kam kohë që e kam shkruar këtë shkrim. E vendos në rradhën e botimit dhe nuk e lëshoj të lirë. Disa herë e kam bërë këtë. Nguroja që ta publikoja. Dhe arsyeja ka të bëjë se ky shkrim karakterizohet nga mungesa e modestisë. Nuk kisha si ta ndërtoja ndryshe. “As evllojisome qe mia fora ta jeniamas”, thotë një fjalë e urtë greke.(Le të bekojmë dhe një herë mjekrën tonë.) E, kur e thotë mënçuria popullore, le të bëhemi një herë dhe mburavecë. Një herë ama, se po u bë udhë, humbet dhe burrëria .
A
Kënaqësi të tillë kam ndjerë kur pashë së pari emrin tim në një shkrim portret në gazetën “Pararoja” të Gjirokastrës, në vjeshtën e vitit 1971, në atë kohë nxënës i shkollës së mesme. Edhe kur u botuan shkrime të miat në “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “ Mësuesi”, “Ylli” dhe ” Yllkat”. Edhe dhe kur pashë emrin tim në disa indekse bibliografike për shtypin e kohës të Bibliotekës Kombëtare.
Mbresë të veçantë më ka lënë, kur Radio Gjirokastra disa korrespodenca nga Zagoria në vitet, 1972 – 74, për emisionin e lajmeve, i dha me zërin tim. I jepja me telefon nga zyra e postës së Nivanit. Edhe kur Radio Tirana lexoi shkrime të miat të botuara në Pararoja, në emisionin “Nëpër faqet e shtypit lokal”, të martave, pas orës 10 të mëngjesit. Ishte një befasi për mua, isha dezhurn në mencë.
B
Ky libër, për shkak të largësisë dhe të kovidit, që të vinte tek unë bëri mbi një vit. Ishte miku im zagorit, Spiro Nika, që bëri çdo gjë me rradhë: ishte dhe në paraqitjen e librit në Tiranë, mori dhe një kopje me autograf. Por rrugëtimi i librit për tek unë nuk mbaroi këtu, ai ” udhëtoi” deri në Zagori, dhe që andej në Skore deri tek shtëpia e Thoma Nakës, një botues dhe dashamirës i librit, i cili e solli deri në Rafinë.
C
Kam qëndruar për disa çaste në fletën hyrëse të këtij vëllimi me prozë dhe publicistikë të shkrimtares, kritikes letrare dhe përkthyes Iskra Thoma, pasi për herë të parë emri im shënohet në emrat e atyre që përgatitin një libër për botim.
D
E di, ndihmesa ime në përgatitjen për botim të këtij libri është shumë e vogël, ajo konsiston më shumë në atë që nxita autoren, pasi lexova lëndën e dërguar, që të mos nguronte për ta çuar atë për botim. Emri im vjen pas emrit të studjuesit të njohur Harallamb Fandi, të cilit i kam lexuar ndër vite shkrime të botuara në Nëntori, Drita dhe Studime Filologjike, dhe sot u kthehem disave prej tyre në koleksionin e Nëntorit dhe Dritës .
DH
E megjithatë, pse ta fsheh, ndjeva një gëzim, një ndjenjë të veçantë kur pashë emrin tim.
Ky vëllim me prozë, publicistikë dhe intervista është pritur shumë mirë nga lexuesi. Këtë e dëshmojnë mendimet dhe analizat e shkruara për të nga lexues të zakonshëm, nga kritikë dhe eseistë.
E
Iskra Thomanë e kam lexuar shumë herët në shtypin letrar të kohës, me reçensionet, mendimet për librat e rinj, me shkrimet kritike në Drita dhe Nëntori, në diskutimet në redaksitë e shtypit letrar dhe të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, redaktore dhe titullare e të cilës ishte , për poezinë , prozën , kritikën letrare , përkthimet etj .
Me Iskra Thomanë, veç pasionit për letërsinë, na lidh dhe Voskopoja, origjina e saj e largët, nga e cila edhe unë e kam një degë prej metropolit të dëgjuar të vllehëve, Voskopojës me Akademi, që në shek e XVIII