8.5 C
Tiranë
E enjte, 26 Mars 2026

Istref Haxhillari

Një vit pa Vladimir Torrovecin..Mund të jetë një imazh i 1 person

Rrallë kam pasur rastin të njoh njerëz të shqetësuar si Vladimir Toroveci, shqetësim që i buronte nga thellësia e qenies, si pjesë e karakterit të vet intelektual. Nuk kishte asgjë t’i shpëtonte vëmendjes, vëzhgimit, sidomos brengës së tij. Me nuhatjen e kërkuesit dhe logjikën e analistit, në prozat prek deri në kockë mjerimin e kohëve moderne.
Vëllimthi “Tom Luari dhe të tjerë” ideuar dhe përvijuar nga miku i tij i afërt Riza Braholli, sjell sqimën e hershme që e dallonte korçarin nga banorët e trevave të tjera, vendos gjithçka në vendin dhe kohën e vet, në koherencë me dimensionin e parapëlqyer filozofik të autorit. U bën thirrje qytetarëve të ngrihen kundër figurinave që rreken të burgosin progresin, modelon një realitet paralel, ndoshta më të ashpër, por sigurisht më të pranueshëm e më të banueshëm se ai real. Meditimet janë pretencë e drejtpërdrejtë për kohën e mbrapshtë të pushtetarëve dhe pasanikëve të rinj që nuk e kanë as sharmin, as inteligjencën e zotërinjve të dikurshëm korçarë. Me penën e njeriut të bezdisur nga realiteti shpesh absurd, ravijëzon botën pa maska e hije, në të cilën lexuesi s’ka si të mos nuhasë aromën e një kohe të turbullt, stampuar në kujtesë.
Ashtu si poezitë edhe këto proza me natyrë filozofike prezantojnë shqetësimin e përditshëm qytetar për personazhe të kohës së sotme alla Tom Luari që manovrojnë me shkathtësi pehlivanësh nëpër labirintet e lirisë, duke u ngjitur në shtresat e larta të shoqërisë pa qenë në shpirt të tillë, skalit karaktere dhe tipa që i shohim përditë se janë pjesë e kohës, madje më tepër se kaq i vënë vulën kohës në të cilën jetojmë.
Përveç këtyre dukurive brengosëse në vëllimin eseistik “Tom Luari dhe të tjerë”, autori i ndjerë i ka vënë vetes misionin t’u shpalosë bashkëqytetareve individë të pranishëm mes tyre të cilët, në pamje të parë nuk dallojnë prej të tjerëve, porse mbyllur nëpër studio dhe mjedise private, larg kënaqësive të vogla të jetës, krijojnë pareshtur vlera. Personazhet janë të ndryshëm për të krijuar një tërësi në plejadën e protagonistëve të rinj të kulturës korçare e më gjerë. Ka evidentuar piktorë, poetë, aktorë, intelektualë të spikatur të kohës së sotme dhe në këndvështrimin e vet filozofik, analizon ndihmesën e gjithsecilit, nxjerr në pah produkte që nuk mund dhe nuk duhet të anashkalohen. Përmes meditimeve jep definicione të diskutueshme, duke e vënë lexuesin në dilemë për të shkuar më larg në arsyetimet vetjake. Dhe ai dinte të evidentonte talente të spikatura, qofshin ata të afirmuar si Sotiraq Xega e Sofokli Koci, apo në fillesë të karrierës si Dasara Xhangolli.
Ky është synimi dhe ngulmimi i librit.
Të njëjtin shqetësim derdh nëpër vargje. Poezitë e fundit, madje edhe ato për dashurinë, janë mbushur me dhimbje. Poeti i “Kohë parvenysh” nuk pajtohet me shkeljen e traditës në emër të modernizimit, as e pranon modernizmin diskret që cek norma morale të rrënjosura në shekuj.
Mes librave të tjerë, ky vëllim mendoj se do tw mbetet almanaku intim i Vladimir Torovecit, diçka testamentare shkruar me pasionin e shpalosjes së një afresku të qytetit. Motivet e shkrimeve, mënyra si i finalizon të mbeten në mendje.
Familjarëve, lexuesve, ne, miqve të Ladit, mjafton tu kthehemi poezive dhe prozave të tij për ta sjellë të gjallë sa herë të na marrë malli.
Istref Haxhillari
Pogradec,
4 dhjetor 2021
“””””””””””””””””””””

Autokracia para gjyqit
(Përcjellje e romanit “Psherëtima e një qyteti” të shkrimtarit Thoma Angjellari)
Kur Pranvera Diamanti, vajza me bukuri përrallore, u emërua mësuese në një qytet të vogël në jug të Shqipërisë, s’kishte si të parashikonte fatin e mbrapshtë të jetës së vet të ardhshme. Banorët e qytezës, të goditur nga hijeshia e saj dhe meshkujt e zellshëm që donin të përfitonin diçka më shumë, e mbiquajtën Psherëtima e qytetit, po mësuesja e re refuzoi çdo propozim, me të vetmen arsye se nuk ndjente. Ia kishte lënë zemrës të fliste.
Zemra foli pas një viti.
Ajo iu bind si manare.
Dashuria me nxënësin e saj, Martinin 15-vjeçar, prej nga u ngjiz fëmija në një natë të ndezur viti të ri, do ta çonte në kufijtë e vdekjes. Rrugët e tyre u ndanë në mënyrë aq tragjike, sa më pas mallkoi veten pse nuk arriti ta shpinte deri në fund vetëvrasjen natën e fundit të atij viti.
Nganjëherë fati është i verbër…
Drama e Pranvera Diamantit është pjesës e fatit afro pesëdhjetëvjeçar të shqiptarëve gjysmën e dytë të shekullit të shkuar, të cilën autori e jetoi intensivisht në të gjitha dimensionet. Në mesin e shumë të tjerave, mësuesja e hirshme i zgjon instinktin human të zhbirojë shkaqet e vertëta të tragjedisë së rëndë, e cila për më tepër nuk ishte e vetmja. Inspirohet të vëzhgojë gjithçka lidhet me jetën, familjen, fëmijërinë, dashurinë dhe urrejtjen, deri vdekjen e pazakontë, duke lënë në mëshirën e fatit birin e vetëm, që shpejt do të pësonte të njëtin fund mizor. Armatosur me durimin e njeriut që i do njerëzit dhe respekton jetën, ngulmon ta shuajë kërshërinë që e vë në lëvizje nga brenda, për të depërtuar thellë e më thellë në dramën shpirtërore gjithëpërfshirëse të bashkëkombësve të vet. Nëpërmjet personazhesh të frikshme, situatash bindëse jetësore, marrëdhëniesh të ndërlikuara ndër njerëzore sendërton një kohë pa kohë, hyn me dorë mjeshtri në të gjitha qelizat e shoqërisë, deri majën e strukturave drejtuese. Falë njohjes së thellë të plagëve të shoqërisë autokratike, vizaton skena të vrazhda, gati të pabesueshme, që mbeten gjatë në memorien e lexuesit.
Gjithçka lind nga akti i shkrimit në këtë roman voluminoz, mbështillet me një lloj misteri të ngrohtë fshehur pas fjalëve dhe kuptimit të tyre, duke krijuar marrëdhënie intime mes shkrimtarit dhe lexuesit. “Psherëtima e një qyteti” ka aftësinë ta tërheqë lexuesin me sinqeritetin e narracionit dhe enigmat që zënë pritë në çdo faqe, e shtyjnë të mos jetë thjesht lexues, por edhe bashkëvuajtës i personazheve, ngaqë në çdo hap gjen pjesë të jetës së vet.
Romani, më tepër se çdo art tjetër, ka tagrin të depërtojë tek ato ndjesi që nuk janë vetëm të mistershme e të padeshifrueshme, por edhe të integruara në gjykimet dhe veprimet tona. Ndoshta ky detaj thelbësor, i pranishëm më shumë se gjithçka tjetër te një shkrimtar i mirëfilltë, i jep librit përmasat e një sage letrare, ku gjithçka është në vendin e vet, si një godinë funksionale.
Prozatori Thoma Angjellari ka gjetur mënyrën e vet origjinale të stimulimit shpirtëror dhe intelektual të lexuesit. Rrëfimi i ngrohtë, kthesat e befta të ngjarjeve, kalimet nga e rëndomta e jetës së përditshme te maja e piramidës shtetërore, jo vetëm e bën interesant leximin, por të shtyn më tej në hullinë e ngjarjeve. Procesi i perceptimit të librit kthehet kështu në një shtegtim të pandalshëm në pyllin e letërsisë, ku fëshfërijnë jo degë e gjethe, por imazhe dhe ndjesi, ku nuk rriten bimë e drurë të zakonshëm, po personazhe të dalë nga një tjetër botë e ngjashme dhe njëherësh e largët me botën e sotme.
Çdo frazë përzgjidhet me kujdesin e muzikantit për të krijuar simfoni mes rreshtash, çka i jep ngjyrë dhe dritë leximit. Kjo cilësi, ndoshta e ngjizur qysh në fillesë me karakterin, së bashku me humanizmin dhe përkujdesjen për të mos i lënë asgjë rastësisë, për të krijuar me fuqinë e irracionales përjetime të besueshme, e veçon nga të tjerë shkrimtarë që rrahin me shumicë këtë temë të nxehtë. Lexuesi do të gjejë kryqëzim historish dhe fatesh, që nuk mbeten vetëm të personazheve, porse më së shumti u bashkohen fateve tona.
Kryeinxhinier, drejtor ndërmarrjeje, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, kryetar i Komisionit të ekonomisë, doktor Thoma Angjellari është djali plëngprishës që rebelohet nga padrejtësitë dhe nxjerr të palarat e shtëpisë, pa keqardhje dhe pa iu dridhur dora. I njeh mirë personazhet e veta, nga njerëzit e thjeshtë, viktima të sistemit, deri te udhëheqësit më të lartë të shtetit autokratik, i di si rrallëkush metodat djallëzore dhe krimet e sofistikuara skutave të fshehta Askush nuk e ka bërë, as mund ta bëjë si ai skanerin e një kohe të përçudnuar, së cilës i shërbeu deri në fund. Ndryshe nga autorët e tjerë që evokojnë këtë periudhë të errët, nuk i interpreton ngjarjet, as i mallkon, thjesht rrëfen me ftohtësi profesionisti.
Analizën ia lë lexuesit.
Lexuesi, qoftë i pasionuar, qoftë i ftohtë, nuk ka si të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve të ngjeshura, fantazisë së pllejshme të autorit, mënyrës së çiltër të rrëfimit. Nuk besoj të ketë ndonjë që ta fillojë, të hyjë në vorbullën e ngjarjeve dhe të ndalojë. Thoma Angjellari ia ka dalë t’i japë lexuesit një roman gjithëpërfshirës, për një nga periudhat më të nxehta dhe njëherësh më të errëta të historisë së kombit tonë. Në një vështrim më të thellë tre volumet e romanit “Psherëtima e një qyteti”, janë gjyqi publik i një epoke të hidhur që për çudi vazhdon të mbijetojë ditëve tona.
redaktor
Worceser, Massaçutses, SHBA
2022 / gusht
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.