Pas gjithë kësaj dhe pas shumë përpjekjeve për organizim më në fund në skenë doli edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe filloi të shihej drita në fund të një tuneli i cili me dekada ishte krejtësisht i errët për popullin shqiptar të Kosovës. Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shërngulur me shumë subjekte të tjera në Pejë ishte organizatore edhe e shumë akademive përkujtimore për fytyrat historike e posaçërisht për pejanët. Mund të përmend këtu sidomos edhe një organizim shumë të mirë në përvjetorin e Haxhi Zekës – një akademi e cila do të mbahet në mand një kohë të gjatë nga bashkëqytetarët tanë. Organizimi ishte i përkryer.
Ne njiheshim nga modestia dhe ishim të interesuar vetëm që të bëjmë një rezistencë aktive kundër serbëve. Për shkak të kësaj modestie dhe respekti, ne në Këshillin organizativ vendosëm për kryetar akademik Mark Krasniqin. Ishte e vështirë të organizoheshin kësi lloj manifestimesh në kohën e represionit dhe të përcjelljes së vazhdueshme nga sigurimi serb. Gjithçka ishte pregaditur ashtu siç duhet. Fjalë rasti në këtë akademi mbajtën akademik Mark Krasniqi dhe historiani Zekeria Cana. Tubimin e përshëndeti edhe përfaqësuesi i familjes së Haxhi Zekës.
Fillimisht dua të them se varri i Haxhi Zekës për shumë pejanë është i njohur, por për më gjerë me siguri se jo. Varri ndodhet në oborrin e çarshi xhamisë në qendër të Pejës ku çdo ditë tubohen me qindra qytetarë për të bërë tregti dhe për të blerë gjërat e nevojshme. Ne kishim planifikuar vënien e kurorave te varri i atdhetarit tonë Haxhi Zeka, mirëpo nuk i kishim informuar qytetarët për shkak të frikës se do të reagojë policia serbe dhe do t’i shpërndaj njerëzit e grumbulluar, si ka ndodhur shumë shpesh.
Unë udhëhiqja organizimin dhe për vënijen e kurorave e kishim lajmëruar akademik Mark Krasniqin. Në orën 12:00, profesori me avokatin Bajram Kelmendi dhe me disa veprimtarë nga Prishtina, është dashur të ishin në Pejë. Fatkeqësisht automobili i avokatit Bajram Kelmendi kishte mbetur pa benzinë. Në këtë kohë, në Kosovë dihej për një krizë shumë të madhe për derivate të naftës. Me një vonesë rreth një orë e gjysmë avokati i nderuar kishte gjetur mundësinë që të furnizohet me benzinë. Mirëpo, gjatë pritjes pranë varrit të Haxhi Zekës u tubuan shumë njerëz. Tani kisha frikë se mund të ndodhë intervenimi i policisë meqenëse ishte shumë e qartë se ky ishte tubim i qytetarëve dhe propozova që ne të përfundojmë me vënien e kurorave mbi varrin e Haxhi Zekës dhe të shpërndahemi.
Sali Caca, një veprimtar dhe anëtar i Këshillit Organizativ, tha se kjo s’ka mundësi pa ardhur organizatori nga Prishtina. Unë e kisha të qartë se Saliu ka respekt të posaçëm ndaj profesorit dhe nuk donte të thoshte se unë s’kam respekt por kisha obligim dhe përgjegjësi të madhe që të mos ndodhte pritja e gjatë e profesorëve nga Prishtina mund t’i kushtonte ndokujt eventualisht me ndonjë maltretim nga ana e policisë serbe.
Patëm një duel intelektualësh me Sali Cacën dhe, pas disa bindjesh, përfundoi edhe kjo skenë. Përfundoi, mirëpo profesori ishte i informuar për këto dhe të nesërmen, meqenëse pas përfundimit të akademisë, isha me një temperaturë të jashtëzakonshme dhe isha i shtrirë në shtëpi, pata nderin që të më vizitojë profesor Mark Krasniqi dhe të më përgëzojë se kam pasur guximin intelektual që të kërkojë që të mos pritet profesori dhe askush, çdoherë i interesuar për njerëz që të mos pësojnë eventualisht nga ndonjë maltretim.
Me këtë rast dua të them edhe dy-tri fjalë për të vërtetën historike të një ndodhie. Meqenëse shumë shpesh në kohë të ndryshme është thënë se himni ynë kombëtar për herë të parë pas viteve të ‘90-ta është kënduar në kishën katolike në Prishtinë, unë edhe kësaj radhe, e këtë e ka potencuar edhe profesor Zekeria Cana, në një referat të tij, se për herë të parë në Kosovë himnin kombëtar e ka kënduar publikisht Kori i Burrave të Gjakovës nën dirigjimin e Rauf Dhomit në prezencën e më tepër se 500 apo 600 njerëzve me rastin e përvjetorit të Haxhi Zekës në kinoteatrin e Pejës, tani “Jusuf Gërvalla”. Ndoshta ndonjëherë, për interesa të ndyshme, edhe mund të shtrembërohet e vërteta, por kjo është e vërteta e plotë dhe do të shënohet jo vetëm nga unë por edhe nga shumë njerëz të tjerë që kanë marrë pjesë në organizimin e këtij manifestimi dhe me fjalën e vet e madhështuan këtë tubim.
Organizime të këtilla me siguri se ka pasur edhe për heronj të tjerë kombëtarë. Mund të them se çdo vit është organizuar përvjetori për Enver Hadrin. Normalisht ndonjëherë në kushte e rrethana më të mira apo më të këqija por çdoherë me prezencën e anëtarëve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut nga Prishtina, të profesor Zekeria Canës, Ymer Jakës edhe të profesorëve të tjerë. Në të njëjtën kohë mund ta përmend përvjetorin e vdekjes së profesor Ali Hadrit, i cili u mbajt në sallën e sporteve të Shkollës “Tetë Marsi”. Me këtë rast për veprën dhe jetën e babait të historisë dhe të vërtetës shqiptare folën profesor Skender Riza, profesor Jusuf Bajraktari e u dha edhe njëp rogram artistik.
Dua t’i përmend edhe organizimet e tjera, posaçërisht protestat për arsimin. Ishte një organizim i të gjitha subjekteve të Pejës. Në shtëpinë time u organizua shtabi për përcjelljen dhe informimin e opinionit kosovar për protestat në Pejë. Dua të them se shumë njerëz defiluan nëpër shtëpinë time, ku patëm mundësinë të përdorim një telefon dhe një faks me të cilin ishim të lidhur drejtpërdrejt me selinë e LDK-së në Prishtinë. Do të shtoja edhe se këto protesta ishin të përgjakshme e shumë nxënës u traumatizuan. Imazhet e protestave të arsimit në Pejë kanë kaluar nëpër shumë mediume botërore. Pas dy-tri ditësh në Prishtinë qëndroj një grup i mjekëve të dërguar nga përfaqësuesi special Mazovjecki, të cilët nuk besuan se mund të ndodhë një gjë e tillë. Në atë kohë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Zenun Çelaj, Bajram Kelmendi e të tjerë më lutën që të organizohemi dhe t’i sjellim disa raste traumatike në selinë e LDK-së në Prishtinë për të dëshmuar para mjekëve dhe para Mazovjeckit. I solla disa raste nga Peja dhe një rast tjetër të cilin e kishin fotografuar e që ishte rasti më tragjik kur njërës nxënëses me kondakun e pushkës ia kishin këputur laprën e veshit. Sabrijen, nxënësen e cila kishte pësuar, nuk patëm mundësi ta sjellim ne Prishtinë, por unë e solla laprën e veshit dhe fotografinë e Sabrijes. Kjo fotografi me siguri ka shëtitur shumë organizata ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ne Pejë u organizuan edhe shumë aksione të tjera. Për asnjë moment nuk dua të harroj as Bedri Pejanin, të cilit i bëmë respektin e duhur me akademi dhe me sesione shkencore. Meqenëse Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur ishte e paregjistruar dhe funksiononte ilegalisht në zyrën e saj gjetën strehim, përveç partive politike, edhe veprimtarët e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Këtu shumë punëtorë patën rastin që të ushtrojnë edhe veprimtarinë e tyre.