
Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur një kohë të gjatë ishte mes dy rrugëve: përpjekjes për të krijuar kushte për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur dhe rruga tjetër e cila imponohej nga veprimtaria dhe angazhimi i sllavëve për dëbimin e shqiptarëve dhe pastrimin etnik të Kosovës. Para syve na kalonin me dhjetëra autobusë të mbushur me shqiptarë për dëbimin e tyre nga Kosova.
Kjo na shtyri të gjithëve të mendojmë shumë seriozisht. Projekti sllav për një Kosovë pa shqiptarë, pas dëbimit të shqiptarëve nga puna, filloi të realizohej. Shënimet ishin alarmante. Ne çdo ditë alarmonim përmes shtypit dhe mjeteve të tjera të informimit. Por, nganjëherë nuk kishim shumë mirëkuptim as nga partitë politike, por edhe nga disa individë që thoshin se ne po bënim panik të panevojshëm sepse “kjo është një lëvizje e rëndomtë e njerëzve”. Por, për ne, kjo nuk ishte një lëvizje e rëndomtë e njerëzve. Derisa me dhjetëra autobusë të stacionuar para Pallatit të Shtypit largoheshin çdo ditë drejt egzodit. Dua të them se kësaj shpërnguljeje i ndihmonin edhe disa shqipfolës të cilët, për përfitime të veta materiale, siguronin udhëtime e kalime ilegale të kufijve. Kishte shumë shqiptarë që kalonin kufirin ilegalisht nga Çekia në Gjermani nëpër male, nganjëherë disa pësonin edhe tragjikisht. Shumë njerëz nuk donin të kuptonin se ky është projekt antishqiptar dhe se edhe largimi i punëtorëve me dhunë nga puna ishte pjesë e këtij projekti, për t’u pamundësuar shqiptarëve jetën në Kosovë. Për këtë çështje ne mbanim shumë takime dhe vendosëm që të krijohet një lëvizje për pengimin e pastrimit etnik të Kosovës me emrin Lëvizja Hasan Prishtina.
Nuk besoj se është e nevojshme të theksohet pse Hasan Prishtina. Sepse e gjithë kjo lëvizje filloi nga kolosi Hasan Prishtina. Kësaj Lëvizje iu bashkuan shumë profesorë të nderuar të Universitetit të Prishtinës. Nuk lamë cep të Kosovës pa vizituar, duke organizuar takime me qytetarë nëpër oda, xhami dhe kudo që kishim mundësi për t’ua shpjeguar qytetarëve e rinisë shqiptare se qëndresa është garanci për fitore definitive ndaj okupatorit serb.
Pas një pune shumë të lodhshme, suksesi filloi të vërehet shumë shpejt. Agjencitë turistike filluan të ankohen se kishin shumë pak punë. Autobusët para Pallatit të Shtypit u përgjysmuan dhe ne vazhduam të punonim, mirëpo dua të them se pushteti me aparatin e vet të dhunës vazhdonte punën e tij për pastrimin etnik të Kosovë. Dhuna dhe maltretimet, rrahjet, burgosjet ishin çdo ditë prezente në Kosovë. Me qindra njerëz maltretoheshin nëpër rrugët e Kosovës. Rinia shqiptare ishte në pozitë të palakmueshme. Në njërën anë ishim ne veprimtarët të cilët bënim lutje e kërkesa dhe flisnim për historinë e qëndresës shqiptare në trojet etnike. Ne kishim mundësi vetëm të mbanim ligjërata, të bënim lutje e kërkesa, ndërsa përballë kishim aparatin e dhunës të një shteti i cili kishte para vetes një projekt për formimin e Serbisë së madhe pa shqiptarët. Ne ishim të vetëdijshëm se ishim në rrezik të madh, por ishim të gatshëm të sakrifikonim gjithçka për realizimin e synimeve tona. Shumë shpesh diskutonim se çka mund të ndërmerret për të penguar ikjen e shqiptarëve nga Kosova. Ishim të pafuqishëm ndaj aparatit shtetëror serb. Ata, përveç që kishin një aparat të tërë të dhunës, kontrollonin mjetet e informimit. Kishin edhe shumë njerëz të paguar të cilët flisnin për të mirat që mund të gjenden në Evropë dhe në vende të tjera, ku ata mund të shkonin dhe të vendoseshin. Me këtë rast dua të them hapur se shumë shqipfolës janë pasuruar në këtë kohë me hapjen e agjencive për shpërnguljen e shqiptarëve, me falsifikimin e pasaportave dhe të dokumenteve të udhëtimit.
Lëvizja Hasan Prishtina ishte një lëvizje e suksesshme që arriti ta zvogëlonte në masë të dukshme largimin e shqiptarëve nga Kosova. Mirëpo dua të shtoj se dhuna çdo ditë rritej dhe njerëzit kërkonin rrugë të ndryshme për t’u larguar nga Kosova. Unë dua të them me këtë rast se kontributi i Universitetit të Prishtinës, i profesorëve tanë të nderuar, i veprimtarëve në shumë qendra të Kosovës – ishte tepër i madh, e sakrifica dhe gatishmëria e tyre për të dhënë gjithçka, për të penguar shpërnguljen e shqiptarëve është për t’u çmuar e nderuar.
Nuk kishim makina, nuk kishim mjete financiare. Të gjitha ishin nga individë të caktuar, të cilët nuk kursenin për të mirën e kombit. Dua të them se vetë profesorët me makinat e tyre ishin të gatshëm të paraqiteshin në çdo vend të Kosovës, në çdo fshat të Kosovës, të vijnë të ligjërojnë, të qëndrojnë ndoshta edhe pa ngrënë dhe pa pirë, vetëm e vetëm për ta ndalë një shqiptar që të qëndrojë në Kosovë.