Për ta sensibilizuar opinionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve formoi edhe redaksinë e botimeve dhe kjo redaksi nxori tetë botime, kryesisht me tema mbi shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta. Redaksia, në përbërje të dr. Pajazit Nushi kryeredaktor, Skënder Riza sekretar, anëtarë dr. Hakif Bajrami, dr. Rifat Blaku, Kristo Frashri, Kristaq Prifti, Asllan Pushka, Shkëlzen Raça, dr. Masar Rizvanolli dhe dr. Ramiz Shtylla. Shumë punime të rëndësishme mbi shpërnguljen e shqiptarëve u botuan me punën e palodhur të profesorëve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, d.m.th. nga tokat shqiptare dhe botuan edhe shumë dokumente të rëndësishme të cilat opinioni ndërkombëtar dhe ai sllav, nuk i kishte publikuar asnjëherë. Dua të them se libri i parë, “Shpërnguljet e shqiptarëve gjatë shekujve”, grup autorësh, u mirëprit nga shqiptarët dhe nga qarqet shkencore, kudo që u paraqit.

Promovimi i librit u bë në shumë qytete të Kosovës e në fshatra, por edhe në Shkup, Tetovë, Ulqin dhe në Tiranë. Promovimi i librit të parë “Shpërngulja e shqiptarëve gjatë shekujve “, në shumicën e rasteve, u shfrytëzua dhe për debat të hapur, për t’u shpjeguar qytetarëve të Kosovës, se historia po na përsëritet dhe se tani duhet të qëndrojmë, pa marrë parasysh çmimin e lartë, të cilin po e paguan populli ynë çdo ditë, nga dhuna dhe represioni i pareshtur i forcave policore, ushtarake paramilitare serbe.
Me këtë rast dua të përmend edhe botimet e tjera si “Shpërngulja e shqiptarëve gjatë shekujve”, libri II, “Dëbimi dhe shpërngulja e shqiptarëve në Turqi” dokumente të dr. Hakif Bajramit, libër i cili në konkursin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë fitoi çmimin e dytë, pastaj, një libër faktografik “Pastrimet etnike të trojeve shqiptare” 1953-1957, të autorëve Ferid Shehu dhe Sevdije Shehu, libër ky që është përkthyer edhe në gjuhën angleze. Pastaj vjen libri “Shpërngulja e Shqiptarëve nga Peja e rrethina” në vitet 1912-1994, i autorit Jahja Lluka. Është botuar edhe një përmbledhje e poezive nga konkursi mbarëkombëtar, të cilin Shoqata e shpalli në vitin 1994, në katër fusha, në pikturë, në poezi, fotografi artistike dhe muzikë. Libri me poezi “Malli i atdheut”, është libri i parë i këtij lloji, ku janë përfshirë poezi të poetëve bashkëkohorë, të cilët, në veprimtarinë e vet, e kanë trajtuar jetën e mërgimtarëve.