11.5 C
Tiranë
E martë, 10 Shkurt 2026

Jan A Kosova

PREMTIM ZEMRE

Mund të jetë një imazh i 2 persona dhe njerëz në këmbë

Mund ta hapësh secilën nga dritaret e shpirtit tim
Të dhomës së vuajtjes apo të dhomës së gëzimit
Me dy fjalë të vetme mbaron gjithmonë vargu im
Si në kohën e festave dhe si në çastet e trishtimit
E jeta na ofron gjëra të bukura dhe të shëmtuara
Na provon me ndjenjën e kënaqësisë, frikës e durimit
Përpara na mbesin edhe shumë gjëra të premtuara
Në kohën e rinisë, në kohën që na e patën vjedhur
Por kujtimet mbeten e do të mbesin të paharruara
Shumë pluhur i harresës mbi kujtimet është hedhur
Por atë pluhur e hodhi tutje era e fortë e lumturisë
Që na përcolli rrugëve të botës një jetë duke bredhur
Kujtimet e premtimet i lidha në vargjet e dashurisë
Vargjet që në çdo dhomë të shpirtit i kam shpërndarë
Çdo dritare mund t’a hapesh bukuroshja e Dardanisë
Do ta kuptosh se ndoshta asgjë s’mbeti si më parë
Se vitet edhe shkëlqimin e dritareve e kanë zbehur
E edhe lotin e fundit të derdhur mund ta kenë tharë
Por ende fare i njomë ka mbetur shpirti im i dehur
Edhe pse vitet e jetës shumë herë e kanë molisur
Se jeta nuk të godet vetëm me pambuk të krehur
Por dashuria jote gjithmonë shpirtin e ka stolisur
Si, kur jeta goditi me grusht të hekurt e dorë të gjatë
Edhe kur ka lulëzuar mes dimrit shpirti im i harlisur
Hape ti njërën nga dritaret e shpirtit në mesnatë
Dhe mos u brengos fare edhe nëse merr në thua
Se në shpirtin tim sundon sonte stuhi e shtrëngatë

Por nata i bashkon prap ëndrrat e mia e ëndrrat tua

E unë ndoshta shumë premtime edhe i kam harruar

Por jo një premtim zemre, dy fjalët e fundit: “Të dua”

“”””””””””””””””””””””””

VARGJET I KAM UJITUR
Dhe jo çdo rrezik në jetë ti mund ta keshë nuhatur
Rruga është plot të papritura që nuk i ke menduar
Deti i jetës është plot dallgë, çdo varkë ka luhatur
Por nuk është luhatur kurrë dashuria jonë e bekuar
Dhe jo çdo rrezik ti mund ta kesh nuhatur në jetë
Dhe jo çdo gjë shkon mu ashtu si e ke ëndërruar
E jo për çdo gjë ofron zgjidhje dashuria e vërtetë
Por zgjidhja më e mirë ëhtë një dashuri e bekuar

Dhe ti në jetë s’mund ta keshë nuhatur çdo rrezik

Rruga e jetës pas çdo kthese e ka një të papritur

E unë e di mirë se vargu im nuk është varg biblik

Por çdo varg të shkruar me dashuri e kam ujitur

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.