16.5 C
Tiranë
E shtunë, 4 Prill 2026

K Hajdari Poezi

KUR VJEN TI, DASHURI
Herë më vjen si prill i bukur,
Herë si maj me plot ngjyra,
Herë kujtimesh bredh si flutur,
Zjarr e flakë të merr fytyra.
Shkon e vjen në shpirtin tim,
Nëpër duar ndjej të mbaj,
Si një syth në gjelbërim,
Si një gonxhe pa një pafaj.
Sa herë shpirtin ma ndez flakë,
M’i çon ëndrrat lart në qiell,
Nga ty zemra rreh me vrap,
Mbushur mall e mbushur diell.
Atje ku çelin rrezet tua,
Lumturinë e mbjell pamasë,
Ashtu si sonte flet me mua,
Cilës zemër s’i fale gaz?
Nëse gjërat do shikonte,
Me ëmbëlsinë e syrit tënd
Sa shumë bota do ndryshonte,
Do harronte hall’e brengë.
Nga libri “Do t’u them”
Kujtim Hajdari
“”””””””””””””””

NDARJE
As prekje duarsh, as puthje, as përqafim,
Veç dhimbje, urrejtje dhe zëra të dridhur,
Mbi trotuar, fjalët akull villnin veç dëshpërim,
Në rruzuj lotësh digjej dhimbja e hidhur.
Agimi u duk sikur po ftohte më shumë,
Dhe era shtynte djalin përtej si me zor,
Nuk mund ta shoh vajzën aq keq, nuk mund,
Dhe për shall i mbledh pak diell mëngjesor.
Pastruesja shtynte sikur po fshinte një njollë,
Unë vija rrotull e kërkoja nje tjetër kafe,
Dikush shikonte shtrëmbër e psherëtinte hollë,
Piskama e trenit largohej e thosh: pse, pse…?
Kujtim Hajdari
“””””””””””””””””””

MBETI NJË YLBER
Edhe pse kërkova botën mbarë, s’u lodha,
Shpresa, me aq forcë, në djalëri më kthente,
Ndaj hapat s’u rënduan, vetëm brodha, brodha,
Dhe pse zjarrin ndezur shpirti s’do ta gjente.
Kujtimet u tretën si vitet në mërgim,
Si gjethet në vjeshtë, u vranë pak nga pak,
Në perëndime zemrash shkuan në harrim,
Prushi i fikur humbi shpresën për një flakë.
Po kjo rreze mbeti nderur si një ylber,
Dhe nën dritën e saj vitet na përcolli,
Të prita e të thirra unë me mijëra herë,
Ylberi buzëqeshte e një fjalë s’e foli.
Mbeti një ylber i ëmbël dhe i bukur,
(E kështu do të mbesi për mua përherë)
Si fjalët që më thoje, si hapi yt si flutur,
Sa do t’më gëzonte dhe ti ta kishe ndjerë!
Kujtim Hajdari
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.