“””””””””””””””””
LOTI S’TË PUSHOI
Cepin e shamisë era ta kishte marrë,
Tundej shamibardha përmbi kokën tënde,
Shkelje nëpër vapën që përvëlon si zjarr,
Përtypje nëpër dhëmbë popuj edhe vende.
Dikush thoshte me zë ka ikur nga mendja,
Pa parë shpirtin tënd plot halle e brenga,
Po ti veç si hije i shihje përreth,
E dhimbjen e bluaje në shpirtin tënd brenda.
Në shtëpi s’të rrihej, shtëpia një kasolle,
Veç një kukuvajkë vajton lart, mbi çati,
E ndoqi hapin tënd që vriste kur dole,
Të thërret përvajshëm e të pret në zi.
Prej vitesh nuk të sheh më me burrin përkrah,
Rrugëve të mërgimit humbi e u tret,
Dhe në orën e zezë, kur botën e la,
Thirri emrin tënd: “Djalin amanet.”
Veten bëre copë dhe djalin bëre burrë,
Në rrugët e kurbetit edhe ai shkoi,
Kërkoi t’i shkoje pas por s’lëvize kurrë,
Mbi varrin e burrit loti s’të pushoi.
Burri të la dhimbjen e të la të vè,
Djali të la mallin e brengën e vetmisë,
Një ditë të bardhë, në jetë nuk e pe,
Lotin fshin e thanë me cepin e shamisë.
Kujtim Hajdari
“”””””””””””””””
DHIMBJET
Pjesë e jetës janë dhe dhimbjet,
Dhe pse nuk duam ato vijnë,
Si pjellë e keqe, vijnë nga grindjet,
Herë, për short, nga qielli mbrrijnë.
Nën vargonj helmesh shpirti vuan,
Ngjyrat jetës prapë t’ja ruaj,
Plagë të rënda që dhimbjet çuan,
Në një yll shprese prapë t’i shuaj.
Herë arrin e plagët shërohen,
Rrallë na mbysin si Laokontin.
(Retë e dhimbjeve që tërbohen,
Mbysin e nxijnë dhe horizontin.)
Atëherë ndodh që vet emri ynë,
Dhe pse rrallë, kthehet në dhimbje,
Në zemra njerëzish troket e hyn,
Si një fëmi në një praglindje.
Kujtim Hajdari