8.5 C
Tiranë
E martë, 18 Mars 2025

Kastriot Myftaraj

Ana më e errët e çështjes “Becchetti”, përzierja e Deutsche Bank dhe e eurokratëve në Bruksel
Në 22 maj 1997, ditën kur me vendim të Këshillit të Ministrave të kryesuar nga socialisti Bashkim Fino u miratua kontrata e koncesionit midis qeverisë shqiptare dhe kompanisë BEG SpA të Becchettit për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, Ministri i Drejtësisë i kohës Spartak Ngjela, i cili sipas ligjit kishte detyrimin që të shqyrtonte posacërisht kontratën, në një intervistë televizive ku doli në krah të Becchetit, tha se ky projekt ishte më i rëndësishëm se ai i Fierzës dhe Komanit të realizuar dikur nga shteti komunist. Sot Ngjela hesht për rolin e tij në këtë histori.
Gjithsesi, edhe ashtu si shkuan gjërat, qeveria shqiptare do ta kishte pasur shumë të thjeshtë që të fitonte në gjyqin ndërkombëtar ndaj Becchettit nëse në këtë histori nuk do të ishte përzier banka gjigande gjermane Deutsche Bank A.G, në atë mënyrë që u përzie. Koncesioni iu dha Becchettit me afat tre vjecar ne 22 maj 1997. Pra brenda tre viteve ai duhet ta ndërtonte hidrocentralin. Por, në përfundim të afatit Becchetti nuk kishte gjetur ende as paratë për investimin. Ne vitin 2000 Qeveria “Meta” ia shtyu afatin e koncesionit, duke i dhënë kohë që të gjente një kreditues. Dhe Becchetti gjeti Deutsche Bank A.G. Kjo bankë, një nga bankat më të mëdha të botës, hyri në një partneritet me Becchetti-n, duke pranuar të financonte realizimin e këtij projekti.
Pyetja është se si u bind Deutsche Bank A.G. të përzihet në një aferë mëse të dyshimtë, të nisur nga një aventurier italian, kur për më tepër nga bashkëpunimi me të cilin ishte tërhequr edhe “Enel” kompania më e madhe energjitike italiane? “Enel” u tërhoq në momentin që Becchetti nuk arriti dot të përmbushte detyrimin për sigurimin e ndërmarrjes së tij në Shqipëri në një kompani sigurimesh italiane të specializuar. Asnjë kompani sigurimesh e tillë nuk pranonte të bënte një gjë të tillë pasi të gjithë e kishin të qartë se Becchetti ishte një mashtrues që nuk donte të ndërtonte një hidrocentral në Shqipëri, por thjesht donte ta përdorte këtë projekt për të fituar para me anë të mashtrimeve të ndryshme. Merret vesh, Becchetti do ta përdorte edhe kontratën e sigurimeve për të krijuar ndonjë situatë të tillë që t’ i merrte kompanisë të sigurimeve para me anë të mashtrimit.
Gjëja më e çuditshme në partneritetin Deutsche Bank me Becchettin është se Deutsche Bank nuk ka hyrë në aventurën e Kalivaçit si bankë kredituese, por si bankë investimesh, pra është bërë investues në një joint venture, në trajtën e equity injection. Domethënë duke dhënë paratë e nevojshme për realizimin e investimit, në këmbim të të cilave do të merrte aksione.
Shkalla më e lartë e riskut e imagjinueshme për një bankë.
Ajo që ka ndodhur është se Becchetti i ka paraqitur kësaj banke një ofertë për një joint venture, pra për krijimin e një kompanie të përbashkët për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit dhe kjo bankë ka pranuar. Sipas procedurës normale të një banke, aq më tepër të Deutsche Bank, në raste të tilla bëhet një analizë risku, për të cilën bëhet një raport i detajuar. Që në këtë rast, normalisht do të përjashtonte kategorikisht çdo bashkëpunim me Becchettin.
Si mund të ishte ndryshe kur Deutsche Bank mori një ofertë nga kompania BEG SpA e Becchettit, e krijuar në 1995, me kapital themelues, në letër ekuivalentin e 1 milion euro, nga i cili në cash qe depozituar vetëm ekuivalenti i 340 mijë euro dhe pastaj kjo kompani kishte marrë nga qeveria shqiptare të drejtën e ndërtimit me koncesion të një hidrocentrali, për të cilin as që kishte nisur puna?
Kjo kompani e cila nuk kishte asnjë lloj rekordi për realizimin e projekteve të tilla, kërkonte bashkëpunim për një projekt të cilin e vlerësonte në 159 milionëe euro? Ky ishte rasti klasik kur një aventurier financiar kërkon të mashtrojë një bankë.
Por duket se ky raport i Deutsche Bank ka qenë anormalisht ndryshe. Ajo që ka ndodhur është se Becchetti, i cili që nga viti 1997, kur kishte marrë të drejtën e koncesionit për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit, nuk kishte mundur që të gjente asnjë euro apo dollar të vetëm financim për këtë projekt, në çfarëdo mënyre qoftë, befas pa të derdhej mbi të një lumë parash të Deutsche Bank.
Deutsche Bank pranoi të marrë pjesë si investues në projekt, pra do të krijohej një kompani e përbashkët, ose si quhet joint venture vehicle, mjeti i partneritetit. Përse Deutsche Bank duhet të krijonte një kompani e përbashkët me një kompani praktikisht inkezistuese? Nëse Deutsche Bank e shihte projektin si me interes mund t’ i jepte një kredi BEG SpA? Sa herë ndodh që një bankë e madhe globale si Deutsche Bank krijon joint venture me kompani praktikisht inekzistuese?
Bashkëpunimi Deutsche Bank- BEG SpA u konkretizua në 2007 me krijimin në Itali të kompanisë Hydro srl me 55% të kapitalit që i përkiste në letër BEG SpA dhe 45% që i përkiste Deutsche Bank.
Sipas raportit të pjësmarrjes së palëve në joint venture, BEG SpA për të përmbushur pjesën e saj duhet të jepte 87 milionë euro në këtë investim të përbashkët. DB duhet të jepte 72 milionë euro. Bujarisht DB pranoi që në 55% e pjesës së kapitalit të Becchettit të llogariteshin si me vlerë 16,8 milion euro marrëveshja me qeverinë shqiptare për koncesionin e Kalivaçit, e paraqitur këtu si asset.
Gjithashtu, si asset me vlerë një milion euro u llogaritën disa dosje me letra që supozohej të ishin projektet e hidrocentralit, studimet, një automjet off-roads Nissan, një kompjuter personal dhe një thes me shkresa!!!
Deutsche Bank A.G. derdhi në llogarinë e Hydro sr. fillimisht 8 milion euro. Por Deutsche Bank nuk ka dhënë vetëm kaq para. Më pas Deutsche Bank pohoi se ka dhënë 35 milionë euro. Kjo është e vërtetë.
Sado e pabesueshme të duket, Deutsche Bank i ka dhënë këto para që pa nisur konflikti.
Me çfarë e plotësoi BEG SpA pjesën e saj të kapitalit deri në 40 milion euro, paralelisht me livrimin prej Deutsche Bank të 35 milionë eurove, sipas raportit të aksioneve që zotëronin. Nuk e përmbushi këtë detyrim.
Kompania Hydro srl, domethënë joint venture BEG SpA-Deutsche Bank krijuan në Shqipëri kompaninë “Kalivac Green Energy”, e cila duhej të kryente punimet për ndërtimin e hidrocentralit.
Në praktikë joint venture Becchetti-Deutsche Bank nuk kishte para të tjera veç atyre që i jepte Deutsche Bank.
Por Becchetti këto para mund t’ i përdorte lirisht vetëm me miratimin e përfaqësuesve të DB në joint venture. Se tashmë Deutsche Bank bëhet partner me BEG s.p.a. në ndërtimin e hidrocentralit të Kalivacit. Kjo do të thoshte se Deutsche Bank do të kishte përfaqësuesit e saj në Hydro srl që do të ndiqnin fatin e parave të dhëna nga Deutsche Bank.
“Kalivac Green Energy”, që ishte kompania bijë e joint venture Hydro srl bëri një kontratë për punimet me shoqërinë “Energy”, ku 80% të aksioneve i kishte nëna e Becchettit, Liliana Condomiti. Këtë e aprovuan përfaqësuesit e Deutsche Bank. Pra përfaqësuesit e Deutsche Bank i dhanë leje Becchettit të vepronte lirisht me paratë e Deutsche Bank. Dhe “Energy” i shiste kompanisë “Kalivac Green Energy” punime të rreme për miliona euro.
Në 2011 Deutsche Bank u tërhoq nga partneriteti me Becchetti-n pasi i kishte dhënë atij 35 milionë euro dhe e paditi atë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar për moskryerje të pjesës së tij të investimit. Atëherë doli dhe një fakt tjetër, se juristët e Deutsche Bank e kishin bërë kontratën në mënyrë aq diletante sa prej saj dilte që Deutsche Bank kishte detyrim që të financonte krejt koston e investimit.
Shumëkush mund të pyesë me të drejtë se si është e mundur që një bankë kaq serioze u përzie në këtë histori me një mashtrues financiar ndërkombëtar. Kjo ndodhi sepse Becchetti arriti siguroi mbështetje politike nga zyrtarët italianë-eurokratë të Bashkimit Europian në Bruksel për të siguruar financim për një investim të energjisë së pastër. Këto projekte bëhen në bashkëpunim me bankat dhe janë investime te sigurta për bankat. Kështu u përzie Deutsche Bank në këtë histori dhe u mashtrua në pamje të parë nga Becchetti por në të vërtetë nga burokracia eurokrate e Brukselit nën ndikimin e pjesës italiane të saj.
Becchetti i kërkoi Deutsche Bank 690 milion euro dëmshpërblim. Në tetor 2014 u arrit një marrëveshje mes BEG SpA dhe Deutsche Bank për ta zgjidhur konfliktin. Sa para të tjera pagoi DB përveç 35 milionë euro që i humbi në këtë investim? Të dy palët nuk japin të dhëna por duket se Deutsche Bank pagoi krejt krejt vlerën e supozuar të investimit prej 159.4 milionë euro.
Këtë gjë e pohon tërthorazi Becchetti i cili thotë se investimin prej 40 milionë euro të televizionit të tij e ka bërë me paratë e sigurura nga marrëveshja me një bankë, për të cilën thotë se nuk mund t’ ia bëjë të ditur emrin. Por kuptohet se është fjala për Deutsche Bank.
Pse Deutsche Bank e humbi gjyqin me Becchettin? Një nga arsyet pse ndodhi kjo gjë është sepse Deutsche Bank ishte tradhtuar nga brenda, nga zyrtarë të saj të cilët bënë një marrëveshje me Becchettin duke vepruar në keqbesim ndaj bankës së tyre, për të përfituar tërthorazi shpërblim në trajtë mite nga Becchetti nëpërmjet llogarive bankare offshore. Bankat e mëdha i mbyllin me marrëveshje çështje të tilla të pakëndshme se duan të ruajnë reputacionin e tyre. Fajtorët nuk kallzohen si kriminelë për t’ u dënuar me burg. Thuhet se bankat kanë mënyra të tjera për t’ i ndëshkuar ata, me eliminim fizik të kamufluar si aksidente automobilistike, vdekje gjoja natyrale, vetëvrasje, etj.
Të vimë te problemi ynë. Mënyra se si e trajtuan juridikisht çështjen “Becchetti” Qeveria dhe Prokuroria e Shqipërisë, shkoi në favor të Becchettit në gjyqet e arbitrazhit ku ai paditi Shqipërinë. Prokuroria Shqiptare i kërkoi Becchettit burimin e parave të investimit, të cilin ai nuk e tregonte dot për shkak të një marrëveshje me bankën gjermane para gjykatës ndërkombëtare. Por Becchetti nuk ka bërë pastrim parash se ai ka marrë para vetëm nga Deutsche Bank A.G. dhe kuptohet se paratë e kësaj banke janë të pastra.
Mënyra më e mirë për të shpëtuar Shqipëria nga Becchetti është që Prokuroria e Tiranës të nisë një çështje penale ndaj Deutsche Bank, me akuzën e mashtrimit (përgjegjësia penale e personit juridik), gjë që është e mundshme sepse kjo bankë ka qenë partner i Becchettit në Shqipëri. Në këtë rast, Deutsche Bank do të ushtrojë presion ndaj Becchettit që thjesht të mos zbatojë vendimin gjyqësor ndaj Shqipërisë.
Para disa vitesh mësova një lajm që m’ u duk i pabesueshëm. Në Korçë, me një projekt të financuar nga qeveria gjermane, po ripopullohen pyjet me ujq, të cilët pothuajse janë zhdukur. Sipas atyre që bëjnë projektin ujku qenka një kafshë e nevojshme në zinxhirin ushqimor që shërben për ekuilibrat natyrorë. Kjo është e pabesueshme. Asnjë kafshë nuk mund ta hajë ujkun. Mbi ujkun është vetëm njeriu i armatosur, por kjo nuk ka lidhje me zinxhirin ushqimor. A e kuptojnë gjermanët këtë gjë? Them se e kuptojnë. Korça është vendlindja ime dhe une dikur i kam shëtitur pyjet që sot janë duke u populluar me ujq falë kujdesit të qeverisë gjermane. Në kohën që unë i kam shëtitur ata pyje ujqërit qenë zhdukur atje.
Historia e Becchetti-t është diçka e ngjashme. Becchetti është në fakt një “ujk” të cilin e kemi dhuratë nga Gjermania./Kastriot Myftaraj
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.