14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

KE/ Miratohet fondi 70 milionë eurosh për vaksinat për Ballkanin Perëndimor

Komisioni Evropian miratoi një paketë prej 70 milionë eurosh në kuadrin e Instrumentit për Para-Anëtarësim (IPA II) për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19 të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së.

“Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne i trajtojmë vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të privilegjuar. Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë që në fillim hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin e rëndësishëm dhe grupet më të prekshme në rajon. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar për përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, tha Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë për mbulimin e kostos së vaksinave për grupet me përparësi në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjeve të BE-së me gjashtë prodhues, me shtetet anëtare individuale të BE-së që do të ndajnë një pjesë të dozave të tyre të paracaktuara.

Ndërsa BE-ja vazhdon të mbështesë nismën COVAX, struktura botërore për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave sipas kësaj skeme pritet të fillojë më vonë se fushatat e vaksinimit në BE. Qasja në një numër dozash nga marrëveshjet e blerjes së BE-së do t’i mundësojë rajonit të nisë vaksinimet paralelisht me shtetet anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë gjithashtu rajonin për finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për të siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave. BE-ja po financon gjithashtu një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.