10.5 C
Tiranë
E hënë, 21 Prill 2025

Kjo esht Sindi Unike

‘Çmimi i një iluzioni dashurie’, një libër për dashurinë, si çelësi i të gjitha të mirave

Një ditë më parë, Sindi Shkrapi do të njoftonte e gëzuar miqtë e saj në rrjetet sociale: “Sot është një ditë e veçantë për mua,një nga ato ditët e mbushura me surpriza. Sot u botua libri im i parë,por jo i fundit, sigurisht. Jam shumë e lumtur dhe shpresoj t’ju pëlqejë të gjithëve!”. 20-vjeçarja korçare, studente në Slloveni, thotë për gazetën “Shekulli” se i pëlqen të shkruajë dhe të ndajë frymëzimin e saj poetik me të tjerët. Ndërsa redaktorja e librit “Çmimi i një iluzioni dashurie”, duke folur për autoren e re, thotë se “Nëse jeta për Sindin është sjellë si një dem në arenë, ajo ka ditur të jetë një gladiatore shumë e zonja, ta kapë atë nga brirët e pas kaq e kaq shkundjesh të mos bjerë , të jetë aty, me dinjitet e dëshirë për avancim.

Autorja 20-vjeçare e librit poetik

Më poshtë është parathënia e shkruar nga redaktorja e librit Diamanta Zalta Nikolaou.

Sindi Shkrapi! Një autore e re në lëvrimin me penën e shpirtit dhe zërin e zemrës së poezisë, një  qënie e brishtë, e kristaltë, që ke frikë ta prekësh sepse mund të thyhet e të kthehet e gjitha në cifla. Me botën e saj disi ndryshe nga të tjerët, në atë të sakrificës, durimit, dhe pjekjes para kohe të një fëmije të zgjuar e plot talent, Sindi qëndron kështjellë para humbjeve që Zoti deshi e ja dha. Por kurrësesi e ndëshkuar! Thjesht pranon fatin e saj. Sepse drita thonë, e gjen një ditë vendin për ku duhet futur… A ka dritë më të madhe te njeriu se Dashuria?

Sindi ka shumë dashuri brenda saj dhe kjo i jep kurajo kur çdo mëngjes i duhet të përshëndetet me ditën e re, po në të njëjtin vend, nga po i njëjti pozicion… pothuajse i përhershëm, e megjithatë i është mirënjohëse Jetës që është prezent edhe në ato të mira të vogla që i ka dhënë, e sidomos Dashurisë dhe Talentit.  Të gjithë përreth e duan, por ajo më shumë se të gjithë do dashuritë e saj, që disa ikin, disa qëndrojnë e bëjnë sikur ikin, disa janë të siguruara përjetë, si ajo e babait të kthyer në yll, e nënës që rrezaton dritën e mëmësisë. I pëlqen të shkruajë, i pëlqen të meditojë, me atë mendje fëmije paksa të rritur, që vetëm kërkon nga Universi të dijë! Bota e saj shpirtërore është një fushë e lulëzuar me ngjyra nga e kuqja e përflakur deri tek e zeza serioze e inatçore. Kështu e njoha Sindin, nëpërmjet vargut  shpirtëror. Sa herë jam befasuar me logjikën e saj, pendesat, të folurën e zemrës. Ka një këmbëngulje të fortë për gjithçka që e do, pa llogaritur masën e dashurisë së tjetrit, ajo dashuron për vete, jeton për vete, harmonizohet me gjithçka të kundërt, në sajë të logjikës së fortë, duke e shpënë ujin në avllinë e vet. Të krijohet një përshtypje fillestare, se në librin e saj të parë me poezi ka përsëritje, por jo. Është Këmbëngulje. Është dëshira për të patur atë që e di se nuk e ka fizikisht, por në shpirt ka hedhur rrënjë. Nëse jeta për të është sjellë si një dem në arenë,  ajo ka ditur të jetë një gladiatore shumë e zonja, ta kapë atë nga brirët e pas kaq e kaq shkundjesh të mos bjerë, të jetë aty, me dinjitet e dëshirë për avancim. Herë melankolike, herë kërkuese, poezia për të  rrëfen jetën, i jep asaj ngjyrë, e tërheq drejt të bukurës, e përmbush. Ka frymëmarrje vargu i saj, rritet bashkë me mendimin. Unë dua të jetoj, thotë ajo, sepse si të gjithë e meritoj. Dashuria për të është Dielli. Ajo, dy duar që e mbajnë atë disk të zjarrtë në duar. E lë të digjet, ajo është mësuar me sakrificën dhe dhimbjen.

Kopertina e vëllimit poetik

Në këtë libër Sindi përfaqëson atë njeri të bukur të sprovuar nga jeta dhe fati që herët, i cili nuk di të ndalojë ta dojë atë, pa kushte dhe pa i kërkuar shumë, përveçse Dashurinë. E habitshme, sa pak kërkojnë njerëzit e sprovuar! Këtu qëndron dhe madhështia e tyre. Ndonëse një fëmijë i rritur deri në kapërcimin  e një adoleshence, Sindi paraqitet para lexuesit me dinjitetin e një të rrituri, duke i dhënë një frymë të re poezisë, ndryshe nga ajo që kemi parë shpesh, paraqitja e saj na bën të mendojmë e të gjykojmë si ajo, pa bujë e kërkesa të mëdha, na bën thirrje të duhemi mes nesh, të respektohemi mes nesh, sepse e vetmja dashuria është çelësi i të gjitha të mirave. I uroj autores, të  jetë e bardhë udha e librit të saj të parë, dhe suksese të tjera në vazhdim.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.