17.5 C
Tiranë
E enjte, 22 Maj 2025

KODET E VLERËSIMIT, BUKURIA E KRIJIMIT DHE PËRPARIMIT

Shkruar nga Gjon RROKU

(Komente e interpretime: “Fletëza poetike për njerëz të thjeshtë e Prend Buzhalës, poezi, botoi Lenagraphic, Prishtinë 2019)[1]

 

Rreth sofrës poetiko-lirike lexuesit njihen me filozofinë e jetës, me detyrat dhe obligimet në rrugën e gjatë të shndërrimeve e përparimit. Bashkëbisedimi i pandërprerë me NJERINË, e bën krijimtarinë e autorit të veçantë, të personalizuar! Në themelin e çdo krijimtarie dhe bukurisë së saj qëndron madhërishëm DASHURIA! Pa dashurinë për njeriun, familjen, shoqërinë dhe vendlindjen-atdheun, çdo gjë është e zbehtë, e brishtë, pa ngjyrat e ngrohta aq të nevojshme!

 

  1. Krijimet poetike për zejet

 

Gjurmët e dëshmive, të kulturës materiale e shpirtërore janë vepër e paraardhësve, që mishëruan mundin, djersën e shpirtin krijues.

Tek thjeshtësia, tek punët dhe veprimtaritë e njerëzve të zakonshëm, lindën zejet dhe zejtaritë nga më jetësoret.

Krijimet poetike për zejet sjellin jo vetëm artin e thënies artistike, dhe jo vetëm vlerësim, por dhe respekt. Nga zejet e thjeshta eshte persosur teknologjia dhe zhvillimi.

Mjeshtëritë pasurojnë jetën materiale e shpirtërore, por mjeshtri, punëtor i mendjes, është i veçantë nga të tjerët, çdo gjë me vlerë dhe virtyte kalon në mendjen, fjalën dhe shembullin e tij. E vërteta se në komunikim jemi nxënës të njëri-tjetrit, ku marrim dhe japim dije e përvoje, kaloi tek njeriu i mësuar e edukuar në fushat e dijes njerëzore.

Të sjellësh në formën mË të bukur poetike mendimet dhe ndjenjat e mjeshtrit zejtar, është jo vetëm aftësi krijuese, por dhe njohje e gjerë jetësore.

Lirika poetike, me mesazhet jetësore, është ilustrimi më i mirë i dashurisë për Njeriun dhe Jetën.

”Fletëza…” është jo vetëm vlerësim e njohje, por dhe respekt për njerëzit e punës !

 

  1. Tekstet komentuese

 

MJESHTRI: Nderimet pagane për zjarrin, ujin e dheun kanë përcjellë forcën e mendimit e krijimit në shekuj; me pishtarin në dore është përhapur drita, duke mënjanuar errësirën e dijes dhe krijimit. Në kudhrën e kovaçit krahas veglave të punës për jetësë, zë fill liria kundër tiranive në shekuj; përhapja e ideve për teknikat e stërholluara moderne. Zejet dhe zejtaritë përsosen nevojat dhe kërkesat e përparimit e zhvillimit. Simbolika e sfurkut, kundër ligësive, dhe shandani i qirinjve, përhapës i dritës, mishëron luftën e përjetshme të të MIRËS kundër  të KEQES. Kudhra mbetet metafora më e bukur e krijimit dhe mendimit të pjekur.

 

NDËRTUESI: Në vazhdën e traditës MJESHTRI bashkëkohës krijon në hapësirat që gjen BOSH, duke lartësuar bukurinë e krijimit e përparimit. Mjeshtri ka detyrën e shenjtë të ndërtimit të URAVE, të mirësisë, bashkëpunimit e marrëdhënieve njerëzore e ndërkulturore. Sa e sa mjeshtër krijues të të mirave materiale e shpirtërore janë anonim! Anonimati, populli, është dashuria për atdheun, traditën e historinë !

 

BUKËPJEKËSI: Zeja e përgatitjes së bukës, bukëpjekësit, ose në popull magjetores, ruan vlera, jo vetëm historike, por dhe morale, tradicionale e historike. Pa zjarrin buka nuk përgatitet, ndaj dhe urimet e mallkimet kanë burim të hershëm sa vetë njerëzimi. Shprehjet e tilla i gjejmë jo vetëm në të folurën e përditshme ,por dhe në krijimtarinë artistike. Shenjtërimin e bukës e kemi të lidhur me jetën, me moralin, traditën dhe historinë. ”Mos e shkel ,he të shitoftë zana- është kokërr misri! ”

Në sofër bëhet ndarja e bukës, shenjë e familjaritetit dhe dashurisë për jetën dhe unitetin e pjesëtarëve. Me ”ndarjen” e bukës, kuptohet ndarja e familjes, krijim i familjes së re. Tradita historike ka njohur shprehjet ”bukëdhënës”, ”shtëpi buke”, për dyert e mëdha që përcollën traditën e qëndresën ndaj pushtuesve. Zejtari bukëpjekës ruan nderimet dhe respektin shoqëror, mbasi trashëgohet.

 

PUNËTORI

Nëse e meriton kush nderimin e përjetshëm për vënien në jetë të krijimeve inxhinierike, zbulimeve dhe të rejave të kohëve, janë punëtorët,..”nga punëtor krahu e koke, bujqësie a industrie..”,..”..zhdukesh e përpihesh nga Kohë e Padukshme,…” ne shohim MREKULLITË e botës; kryeveprat njerëzore të arkitekturës, hidroteknikës, monumentet e kultit deri te qytetërimet e vjetra, disa prej të cilave janë të mbuluara nga dheu apo harresa, dhe në të cilat është dora e punëtorit. Qytetari i sotëm sheh rezultatet, jo sakrificat, mundin, djersën dhe gjakun në themelet e veprave të njerëzve të punës. Dhuna dhe mohimi i të drejtave ka shoqëruar punëtorin; mungesa e kushteve të punës e qetëses; arsimimit e nevojave kulturore, kanë qenë burim i rritjes së kërkesave për jetë më të mirë. Pse u dashka lënë në HARRESË punëtori, që krijon nga hiçi ? Me të drejtë thuhet nga autori për punëtorin : ”..( ti ) je i pari që gjërave të krijuara u jep emër. ”

 

LUFTËTARI:  Luftëtari i vjetër, luftëtari i lirisë, i skalitur në gur, toponime dhe sarkofag varrezash, sjell mesazhe nga thellësia e shekujve, për luftërat e pandërprera në të gjitha drejtimet. Me bekimin e dashurisë për atdheun luftoi Dardani, Mollosi, Enkelei, Taulanti. Ardiani! Emri dhe zulma e qëndresës u përcollën nga populli për anonimët luftëtarë ilirë, arbër nga….. Shqypja tek Shqipja e tek të gjitha shqipëritë… Mesazhi i qëndresës i ngjizur në urtësitë epike e baladat për guximin, vetëmohimin dhe heroizmin që… kurrë nuk e shitën lehtë lëkurën e vet. Luftëtari i Lirisë përcjell devizën e jetës me fjalët e thjeshta që burojnë nga zemra: ”E, kush nuk bie si luftëtar, kur dhimbjen e kohës e merr përsipër”!

 

MËSUESI: Tek mësuesi mishërohen aftësia për të patur njohuri dhe shprehitë për t’i trasmetuar ato tek dëgjuesi i etur për dije. Aftësitë dhe shprehitë janë dhurata më e madhe e mjeshtrit të dijes, mësuesit! Dashuria për nxënësin, për ta shndërruar në qytetar aktiv, pa vese e plot guxim për jetën, është e lidhur me respektin e mungesën e paragjykimit për këtë krijesë që rritet mendërisht para teje. Mësuesi lë ”gjurmë” në formimin e njeriut; gjurmë që nuk shlyhen duke e ruajtur në zemër respektin e duke e shprehur thjeshtë: të uroj shëndet, mësues!

Mësuesi shfaq karakterin e tij në marrëdhënie me nxënësit, ndaj jo kushdo mund të bëhet ”punëtor i mendjes”. Mësuesi jo vetëm jep, por dhe bashkëbisedon me nxënësit për të zbuluar mangësitë, të cilat i plotëson me artin e fjalës së bukur e shkëlqimin e dijeve. Autoriteti i rremë e dhuna verbale e fizike, janë të huaja në formimin qytetar. Mësuesi shndërron tek njeriu botëkuptimin e prapambetur dhe krijon tipare e vlera të reja emancipuese. Krijimi poetik është vlerësim për mësuesit dhe punën e tyre!

 

BLETARI: Bletari (a), zeje e vjetër sa njerëzimi. Njohja e mënyrës së jetës e familjes së bletës, është plot të reja në organizimin e punëve! Nga vëzhgimi mësojmë se puna është kryesore, e cila nuk lë shteg për jetë parazitare. Harmonia, jo vetëm në sjellje, por dhe në lëvizje i ngjan një truri të vetëm. Instinkti i krijimit të mahnit me ndërtimin e hojeve, arkitekturë befasuese dhe për mjeshtrin bletar! Informacioni i ri shpërndahet aq shpejt sa që përcakton dhe drejtimin e marrjes se nektarit. Bletari duke njohur këtë ”botë të pasur ”u vjen në ndihmë, por a i ndryshon ai marrëdhëniet e tij në shoqëri!?

Bletaria e zhvilluar nga ilirët, mori emër në vendet e Mesdheut, jo vetëm për eksportin e mjaltit, por dhe prodhimin e një pije të veçantë me bazë mjaltin, aq sa fisnikët romakë krenoheshin kur e kishin si pije në sofrat e gostive.

Bletaria vlerësohet e shenjtë; ajo nuk ”pranon ”që bletari dhe familja e tij të përdorin fjalë pa vend dhe veprime të pamoralshme. Vlerësimi në shenjtërinë e saj i dha të njëjtën fjalë si njeriut kur ndërron jete: bleta vdes! Me këtë kod është vlerësuar mbarëvajtja e bletarisë dhe fryti i saj. Nga ”Fletëza..” e bletarit sillen mesazhe jete, vëzhgimi e filozofi e kuptimit të saj. !

 

NDËRTUESI I URAVE: Biseda poetike, me mesazhet njerëzore për të lënë gjurmë në jete, kësaj radhe i drejtohet ndërtuesit të urave. Poezia, me sens të theksuar gjithëkuptimor, me metaforën e lidhjes së brigjeve, i drejtohet frymës njerëzore; shpirtrave që vuajnë nga smira, egoizmi, konceptet penguese raciale e gjinore, nacionale dhe hegjemoniste. Shkrirja e ”akujve në zemrat” njerëzore është hap i sigurt për krijimin e urave të miqësisë e mirëkuptimit.

Në të folurën popullore, në fjalët e urta, gjejmë sentenca urtësie që sjellin këtë mesazh të rëndësishëm: ”gjuha të lidh, gjuha të zgjidh!”, ”gjuha tulit është, kocka thyen!” ose ”mos u hidh kripe groshëve të huaja“, ”nuk është mik, ai që kërkon të bëhet zot shtëpie në shtëpinë tënde!” Në moshën e tretë kupton se sa “ura ”ke ndërtuar; sa njerëz të nderojnë e respektojnë; sa gjurmë mirësie e harmonie ke lënë!

Përmasat e URAVE fillojnë nga individi deri në mirëkuptime ndershtetrore. !

 

KOPSHTARI: Jeta e ka drejtuar njeriun gjithnjë në bashkëjetesën me natyrën; njohjen e dobisë dhe të ushqyerit me të mirat e saj. Gradualisht u kalua nga empirizmi në një degë të ekonomisë familjare e më gjerë. Kopshtari e shndërron bimën e egër në të dobishme; vendin me shkurre e arnaje me hardhi, kumbulla e dardhë, perime e zhardhokë nga më të vlershmet për njeriun. E, cila krahinë mban emrin e një kopshti? Është DARDANIA, vendi i dardhave aq të nevojshme për fëmijët që të rriten të shëndetshëm e pleqtë me mendje të freskët!

Sa ndjenja të pastra lindin nën lulëzimin e pjeshkeve e mollëve; sa dashuri për të bukurën në jetë! Sa frymëzime burojnë në zemrat e poeteve! Sa e vjetër dhe e pasur ka qenë kopshtaria dhe zeja e kopshtarit, e tregojnë burime historike. Që në mugun e mesjetës thuhet se aty ku shtriheshin sipërfaqe vreshtash e pjergullash, sot ka vetëm shkurre. Pushtuesit larguan popullsinë dhe veprimtaritë e tyre. Kjo ka qenë dhe mbetet një nga format e luftës, prerja dhe dëmtimi i burimeve të jetesës. Sa i rëndësishëm është edukimi me dashurinë për kopshtarinë! Jeta qytetare e ka shmangë sado pak këtë veprimtari jetësore. Trajtimi poetiko-mesazhues sjell jo vetëm dobinë, por dhe mjeshtërinë e njeriut të thjeshtë, kopshtarit.

 

GURGDHENDËSI: Ëndrrën e ruajtjes së përjetshme të shëmbëlltyrës njerëzore, mjeshtri artist e punoi në baltë, e gdhendi në dru, por nuk arriti atë që dëshironte. Atëherë iu drejtua gurit, duke kërkuar më të fortin, me jetëgjatin !

Dëshmitë e gdhendjes ruhen si pasuri materiale e shpirtërore të kohës. Mjeshtri në krijimet e tij, paraqet jo vetëm imagjinatën dhe fantazinë e tij, por edhe etikën, e besëtytnitë e kohës. Gurgdhendësi i varreve në Selcën e Poshtme i qëndron besnik paganizmit, më vonë gjejmë imazhe paleokristiane e kristiane. Muret e kështjellave ruajnë relieve e basorelieve; shtatore të thyera luftëtarësh të kthyera në gjendjen e mëparshme. Mjeshtëria e gdhendjes së gurit, përveç elementeve artistike, ruan dhe veçoritë e stilit dhe aftësive të artisteve. S’ka si të jetë ndryshe kur shoqëria jetoi epokën e gurit, duke arritur përsosmërinë në format e përdorimit e shprehjes. Me sa durim kryhet një vepër e tillë arti; sa përllogaritje dhe matje për të arritur saktësinë! Po me të njëjtin ”durim ”vepron dhe pika e ujit dhe ndryshimi i temperaturave mbi veprat e gdhendura. Sa e sa mjeshtër kanë mbetur anonimë, kështu që mbeten krijues popullorë.

 

KËPUCARI: Kur flitet për këpucarin mendja të shkon tek njerëzit në nevojë, veçanërisht te  fëmijët ; tek ”Lulët e vocërr”.

Me ritmin e goditjes së çekiçit, këpucari mendon sikur këpucët të drejtonin mbarëvajtjen e njerëzve në jetë; të bënin punët më të mira në dobi të familjes tyre… por një …ah!  Sikur të metat dhe dobësitë t’i rregullonte kallëpi i këpucëve.., por jo ! Ritmi i jetës tregon shumë më tepër! Varfëria e trashëguar në vitet e para të demokracisë u shoqërua me ndihma; veçanërisht k ë p u c ë për fëmijët. Këpucë të përdorura nga fëmijët evropianë. Ndihmë dhe simbolikë! Simbolike për të ecur në një rruge të re!

Kurrë nuk do të dëshironte mjeshtri që këpucët e përgatitura prej tij të vendosen në stendat e muzeve të përgjakura! Kurrë nuk do të dëshironte që me to të thyheshin dyert e shtëpive, apo të dhunohesh njeri!

Po këpucari ndjen dhe gëzim kur ruhen këpucët e para të bebes, me të cilat nisi rrugëtimin e gjatë në jetë. Gëzohet si fëmijë për këpucët e dhëndrit e të nuses!

Mendimi i shkon tek ”gjurma ”që lë këpuca; gjurma është metafora më e bukur që poeti e ka huazuar nga mjeshtri këpucar! !

 

ROJTARI: “Rojtari!” Nuk bëhet fjalë për njeriun e zakonshëm me detyrën e mbrojtësit nga keqbërësit ndaj ndonjë objekti a pasurie, por për një ROJTAR të veçantë. Me bukurinë e shprehjes, autori thotë  :..ti je gjithkund ku e ke gjurmën tënde, gjithkund je edhe aty ku ke marrë frym…”E ky rojtar i përhershëm e i përjetshëm është dashuria! E vetmja që shoqëron krijesën njerëzore në dallgët e jetës për të dalë fitimtar, ndaj egos, të keqes e çdo mjegulle që zë rrugën.

Thuhet se çdo njeri e ka engjëllin mbrojtës; mbrojtësin dhe ndriçuesin e mendjes e ky është vetëm një shpirt i mbushur me dashuri! E ky rojtar nuk mund të mashtrohet as të fshihet; ai e kupton kur je i frikësuar dhe gjithë ankth apo kur përdor dyfytyrësinë. Rojtari i padukshëm është dashuria!

Poezia liriko-filozofike shtjellon me stil të veçantë e mjeshtri të shprehjes artistike një ”zeje”, që duhet ta mbajmë të pastër gjithë jetën. Jeta pa dashuri është e zymtë, pa ndjenja dhe emocione të bukura !

 

 

RROBAQEPËSJA: Qëndistarja! Nuk mjaftonte prerja dhe qepja e pëlhurës së linjtë, të pambuktë e a e mëndafshtë për djalin e vajzën, dhëndrin e nusen, burrin a burrneshën apo plakun e plakën, por duhej dhe qëndisja! E kush tjetër më mirë se dora dhe mjeshtëria e kombinimit të ngjyrave nga qëndistarja mund të krijojë atë laryshi motivesh të veçanta nga natyra dhe tradita! Çdo moshë dhe raste gëzimi e hidhërimi, kishte veshjen me qëndismat dhe motive të kohës. Etnografia e tregon më së miri diversitetin dhe unitetin në veshjet kombëtare. Me çdo fije të gjilpërës ti thur një histori, bashkon fije, se kështu ripërtërin shpirtin. Sa motive këngësh e ninullash janë ”thurë”së bashku me motivet e veshjeve!

Poezia evokon mjeshtërinë e heshtur, por që është vlerë e traditës e historisë. Motivet e ruajnë origjinën më të hershme të popullit tonë në shajak e të linjta ; shprehëset më të bukura të kulturës e traditës popullore. Me të arrirat sot stilizohen dhe përhapen anë e mbanë. Sa bukur, kur arti i qendisjes vjen në harmoni me bukurinë poetike!

 

LULESHITËSJA: Në tufën e lidhur me fjongo në mes, formohet imazhi më i bukur i virgjërisë së natyrës me shkëlqimin e petaleve. Luleshitësja e njeh mirë ”gjuhën ”e çdo luleje e ngjyre: cila është për dashurinë dhe afron zemrat; qetëson shpirtrat apo largon mjegullën e smirës e xhelozisë! ”Liria dhe lulja janë shpirti i Hyjit.” Ndaj në pafajësinë e bukurinë e tyre është mishëruar dhurata e dashurisë e dëlirësisë! Drandofilet në degëzat e tyre mbajnë gjemba; gjembat ndaj të keqes dhe petalet për dashurinë, ngrohtesinë që afron zemrat! Brishtësinë dhe finesën e ruajnë zambakët dhe tulipanët; më i bukuri, i veçanti, lilium albanica -zambaku shqiptar! Simbol i një populli që njeh dhe ruan të bukurën, dhuron mirësi e paqe!

Në dorën e luleshitëses shihet lule ”Durham ”, dhuratë nga studiuesja Edit Durham, familjes shkodrane. Poeti thotë se çdo lule përcjell urti, mendim dashuri dhe kujtime. Buqetat me lule, në respekt të qëndresës e heroizmit, i vendosim pranë memorialeve, përmendoreve e varreve. Poezia qëmton mesazhet njerëzore që përcillen me ngjyrat dhe bukurinë e luleve.

 

KUZHINIERJA: Kuzhinieri-ja një zeje e vjetër sa njerëzimi; jeta është e lidhur me shujtën, ushqimin e përditshëm. Jemi aq të lidhur me mënyrën e të ushqyerit qysh në fëmijëri sa që kudo që ndodhemi, kujtojmë gatimet e nënës a të gjyshes. Që këtu, me qumështin e gjirit, ninullat dhe shijen e veçantë të gatimeve, zë fill dashuria për vendlindjen.

Në shpirtin krijues të kuzhinierit, dëshira për shijen më të mirë gjithnjë lidhet me vlerat e ushqimit; i veçantë për fëmijët, të sëmurët e të moshuarit. Vaktet: të nevojshme për çdo njeri, por në derë trokasin dhe të uritur! Zemërbardhësia e kuzhinierit i shuan urinë dhe i shton dëshirën për jetë!

Mjeshtërinë e gatimit, artin e kuzhinës, e shohim në shijen e ushqimit, kënaqësinë që e shoqëron. Në shumë restorante prestigjioze ruhen fotot e personaliteteve që janë ushqyer dhe emri i kuzhinierit. Po cili nxënës, ish konviktor, nuk e mban mend këtë emër? Të ushqyerit e pjesëtarëve të familjes nga nëna kuzhiniere, i ngjan një riti me rregulla të përcaktuara: me falënderimin e përjetshëm për punën e shëndet për të gjithë. Nga emrat e gjellëve përdoren dhe në metaforat artistike. Kur themi ”sallatë”politike ose politikanët ”gatuajnë” çorbën e zgjedhjeve -kuzhinieri mund të ofrojë dhe emërtime tjera. Poezia sjell mjeshtërisht punën krijuese të kuzhinierit, që i ngjan një artisti të mirëfilltë.

 

INFERMIERJA:  S’ka më bukur, kur fryma poetike end në vargje nderimi e mirënjohje përkushtimin për shëndetin e ruajtjen e tij nga infermieret! Në kohë paqe e në zjarrin e luftës; në pritjen e të porsalindurit e kurajon për jetë deri në fjalën e fundit, gjendet me kujdesin e dashurinë për jetën.

E kush e ka ndjerë butësinë, buzëqeshjen kurajuese dhe dorën e lehtë në mjekimin e plagëve, përcjell respekt për këtë profesion.

Afërsia me të sëmurët ka thyer ”rregullat ”duke mos përdorur tituj, por duke krijuar afri krejt familjare, duke i thirrur: Motra! Shembulli i tyre ka dalë jashtë ”mureve”të spitalit, duke fituar përdorim qytetar. Shenjtërimi i EMRIT merr përmasa hyjnore kur merr hapësirën gjithënjerëzore; modelin e gjejmë te motrat e urdhrit Nëna Tereze. Magjia e shërbimit për shërimin e të sëmurit, është thjesht Fjala e Mirë. Fjala qetëson shpirtin dhe shëron të sëmurin. Populli thotë: fjala është mehlem!

Autori thotë : ”Dita e falënderimeve kremtohet për çdo ditë, aty ku gjendesh… është Arti i Bekimit për jetët e të tjerëve”.

 

PESHKATARI: Sa shumë është shkruar për bukurinë, dobinë dhe sfidat e kësaj zeje të vjetër, peshkimit! Sa imazhe dhe figura me halucinacionet më të çuditshme ka krijuar mendja njerëzore ballë për ballë me të fshehtat e ujërave: të bukurat e të paarritshmet Nimfat dhe Nereidat! Hapësirat e ujërave bëhen një me qiellin, duke lidhur peshkatarin me shumë me hyjin, me shpresën dhe dëshirën për mbushjen e rrjetës. Në luftë me egërsinë e natyrës, njeriu dhe hyji, fiton durimi dhe vullneti në emër të Hyjit: ”..njeriun mund ta mposhtësh, jo ta asgjësosh!

Në shoqërinë e peshkatarëve gjen tregimet më të këndshme, me rastet e çuditshme, me figurat më tërheqëse që e bëjnë këtë zeje, krejt të veçantë për njerëzit e zakonshëm. Me rrjetat dhe grepat e hedhur ka dëshire të ndodhë mrekullia biblike e Jezusit, por jo çdo herë ndodh kjo, ndaj Lutja dhe Besimi është në zemrën e tij.

Meditimi në peshkim është jo vetëm për të siguruar fitim, por edhe për pastrimin e mendjes dhe ndërgjegjes në lidhjen e Tokës me Ujin.

Sa mirë e ndjen veten, ky mjeshtër peshkimi, kur sheh kënaqësinë e ushqyerjes së fëmijëve në familje, a klientëve në restorante! Kur mediton në të bukurën e peshkimit sheh romantikë e poezi, por në të vërtetë është Realitet me shumë mund dhe vështirësi.

 

PUNËTORI, II: Punëtori, njeriu i punëve nga më të thjeshtat deri tek zbatimet bashkëkohore inxhinierike, mban mbi supe peshën e shndërrimeve të mëdha me shumë mund, djersë dhe gjak në ndërtimet e mëdha. Me qesën e bukës me vete ; me merakun për ushqimin e arsimimin e fëmijëve, mban barrën e rruzullimit mbi vete…

Janë punëtorët të parët në protesta e demonstrata e në greva për kushte më të mira pune.

Po ç’ndodhi me gjendjen e punëtorëve mbas shndërrimeve politike në Shqipëri e Kosovë? Me sloganet politike për teknologjinë e prapambetur; për rendimentin e ultë të makinave e makinerive, industria pësoi bllekaut. Punëtorët e papunë, përballë luftës për jetën, filluan të kërkojnë rrugët e mbijetesës: emigracion për punë nga më të thjeshtat dhe sigurimin e burimeve të fitimit nga ekonomia natyrore. Në kushtet e reja punëtori, i pambrojtur, nuk e ndërpreu luften e tij. Përsekutuesit e djeshëm u bënë pronarët e sotëm të shitjes e grumbullimit të hekurishteve, pjesa më e madhe në gjendje të mirë! Ato përfunduan në Mal të Zi, Metalurgjik e ku gjetën treg. Kur erdhi koha e pensionit, mungonin dokumentet, ndërsa persekutorët pronarë nuk përgjigjen(!!!)

Shfrytëzimi vazhdon me paga qesharake në fasoneritë. Punëtori e ka nostalgji fabrikën ku kaloi vitet më të bukura të jetës, ndaj në bisede me fëmijët u thotë: tek ato pallate ka qenë fabrika ku kam punuar 20 vjet. Nderimi për punëtorin vjen poetikisht me barrën më të rëndë të historisë: punës, lëvizjeve revolucionare dhe luftës për liri. !

 

TAKSISTI:  Çdo kohë dhe vend ka pasë shërbimin e lëvizjes; shërbim i bërë nga rikshat, me pajtone e varka deri në kohët moderne me taksi. Taksia moderne e lidhi drejtuesin e mjetit me klientët, e bëri pjesëmarrës në ngjarjet e ditës. Taksisti, me shërbimin e njohuritë për vendin, jep ndihmesë qytetare, për të moshuarit, të sëmurët e nevojtarët.

Taksisti ka kaluar në rrugët dhe rrugicat, njeh emrat e lagjeve dhe institucioneve, mjafton të kërkosh adresën. Të vjetrit në profesion janë të qetë, në dukje indiferentë, rrallë hapen në bisedë, po kur flasin, kërkojnë të dinë. Akumulojnë histori e ngjarje të ndryshme, për njerëz të shtresave të ndryshme, aq sa bëhen tregimtarë të vërtetë të përvojave nga më të pabesueshmet, me karakteret nga më të paparashikueshmet…

Taksistët në ”kodin ”e tyre ruajnë sekretin, nuk flasin për klientët e tyre, qofshin prostituta apo drogmenë. Kjo e kthen…. në një Mësues të Përvuajtur të jetës në lëvizje. Dëshiron të njohësh qytetin tënd në orët e vona; ke dëshirë të shohësh ”engjëjt ”e ditës si sillen kur të tjerët flenë: lëviz me taksistin! I veçantë në punën e tij, por i zgjuar dhe i ”regjur”me hallet dhe dertet sociale. Jo vetëm sociale, por dhe politike, mbasi në ato sedilje klientët ”zbërthejnë”hapur politikën e politikanët. Fletëza poetike depërton në psikologjinë e taksistit, jo vetëm si punonjës shërbimi, por dhe si akumulues përvojash e ngjarjesh.

 

MULLISI: Njeriu i thjeshtë, me punën e tij të përditshme, krijon lidhje aq të ngushta me jetën, sa që ruhet me nderim në kujtesën e popullit. Mullisi apo siç i thërrasin nga jugu millonai, e ndërton zejen e tij në anë të përroit; nuk ka mulli pa ujë. Mokra i la vendin një shpikje të re, bluarjes së drithit dhe rrahjes së shajakut në valanicë. E këtë zeje e përsosi mullisi! Me bluarjen e miellin është lidhur vazhda e jetës; mos e shkel he të shitoftë zana, është kokërr misri! Mullixhiu njihte bashkëfshatarët, të pasurit e nevojtarët ; dinte se me sa vuajtje e siguronin misrin, e rrallë grurin. Hallet dhe fukarallëkun e shihte tek ”barra”. E shpesh i takonte të mos u merrte hakun e blojës. Murmuriste :..një herë tjetër! Ritmi i çakalles tregonte rrjedhën e ujit në fletët e mullirit; me ritmin e saj monoton, i mësuar që në fëmijëri, njihte dhe cilësinë e miellit. Sa kujdes tregonte mullisi për k e p j e n e gurëve, që të plotësonte dëshirat e njerëzve : miell për bukën e përditshme ; miell për bukën e dasmës e kujdes të veçantë për miellin e Bukës se Pashkëve, bukës së bekuar!

Mullisi e drejton ujin tek valanica, ku rrihet shajaku; me ngjeshjen dhe pastërtinë e tij, tashme i njohur në tërë krahinën si mjeshtër i nderuar.

Edhe populli ka krijuar figura të të folurit me ”çakallen ”e mullirit. Në përdorim, për emërtimin e llafazanëve. Ose ”..mbeti..si mulliri pa ujë! ”. ”Bluan trash”, Fletëza me vlersimin poetiko artistik, i jep vendin e merituar kësaj zeje.

 

ZDRUKTHËTARI: Zdrukthëtari! Riti më i bukur që bëhet nga mjeshtri zdrukthëtar para drurit në pyll, ruhet si shenjë e largimit të tij nga natyra. Mbasi kontrollon trungjet, gjen më të moshuarin, ul sëpatën dhe bën kryqin, fillon prerjen, jo pa dhembje. Veglat e punës, të sistemuara për llojet e gdhendjeve, prerjeve, lëmimit presin radhën nga mjeshtri. Me duart e tij na lidh me natyrën! Gdhendjet e rozetave, kapiteleve me motive bimore në rafte e tavane, janë basorelieve e relieve me bukuri të rrallë. Ngjyra qershi, e thjeshtë, e drunjtë, i qëndron kohës gjatë. Nuk mungojnë punët e imta në pajisje e orendi shtëpiake. Syrit vëzhgues të etnografit nuk i shpëtojnë furkat, majat e të cilave simbolizojnë bedenat e kalave dhe fusha ku vendoset shtëllunga, është pasqyrë me motivet pagane të diellit, gjarprit dhe dragoit. Tjerrja e fillit është vazhdë e mendimit historik, e traditës, shoqëruar me këngë e ninulla për fëmijët. Me sa kujdes gdhenden djepat e rrathët e tyre! Nga njëra krahinë në tjetrën sheh larminë e krijimeve në motive dhe gjetje nga primitivet deri bashkëkohoret. Zdrukthëtarit nuk i mungojnë dijet; përllogarit rrathët, perimetrin e vozave dhe enëve me saktësi të pagabueshme.

Druri i lisit i shërben për dyer e dritare, duke e bërë shtëpinë të shenjtë e të paprekshme mbasi është me i dashuri e më jetëgjati. Rrasa -dërrasa e fortë e shoqëron njeriun dhe në amshim! Zdrukthëtari, me mjeshtërinë gdhendjes e dekorimit, bën punë artistike, krijuese që ruhet e mbahet mend gjatë! Fletëza për njeriun e thjeshtë të punës krijuese, është nderim dhe respekt për ustain zdrukthëtar.

 

BUJKU, BARU:   Lidhja e përjetshme e bujkut me token, burimin e të mirave ushqyese, krijon atë dashuri për vendlindjen sa që në gojën e tij vjen mallkimi. Ai që shkel këtë djersë, dheu e dëbon, kjo tokë e vret...Thirrja poetike : ”Bujq, shpirtin t’ia falim si jetës, tokës së bekuar….” përcillet si amanet nga bujku, njeriu i thjeshtë.

Baza e jetës social ekonomike ka qenë bujqësia dhe blegtoria; ndaj përkushtimi, mundi dhe djersa ka qenë shoqëruese e përhershme. Bujkun dhe blegtorin rrezet e diellit e kanë përshëndetur në krye të punës. Lirikat poetike, plot mendim dhe mesazhe, tregojnë traditën e dashurinë për punën.

 

SHTËPIAKJA:  Shtëpia si institucioni më besnik i ruajtjes së zakoneve e traditës, ka arritur vlerësimin më të mirë shoqëror, duke e quajtur Derë; Dyer të krahinës, të njohura për mikpritjen, besë e burrëri kanë luajtur rol të rëndësishëm në krijimin dhe udhëheqjen e lëvizjeve popullore për liri. Nga dora e ZOJËS SË SHTËPISË, është përgatitur ushqimi për pjesëtarët e familjes, miqtë, udhëtarët dhe fukaranë. Së bashku me shujtën përcillej fjala e zemrës së mirë, kurajës e guximit për jetën. Shtëpiakja, me shumë urtësi, ruante rregullin dhe harmoninë e brezave në familje; dinte respektin për fëmijët e të moshuarit, rejat dhe zejet e ndryshme në familje.

Mbarështimi i blegtorisë dhe trajtimi i bymenit kërkonte kujdes e përvojë, megjithëse empirike, trashëgohej e pasurohej vazhdimisht. Pastërtia dhe zbukurimet me qëndisjet, qylymat dhe sixhadetë dallonin dhe krahinat nga njëra-tjetra. Motivet me ngjyra të ndryshme ruanin unitetin e traditës se botës shqiptare. Oborret, të pastra e me lule tregonin kujdes e dashuri për të bukurën! E në të gjithë këtë ”univers” familjar ishte dora dhe mendja e shtëpiakes. Këngët, historike dhe ninullat pranë djepave rriten dhe edukuan breza të tërë trimash luftëtarë. Dhoma e miqve, Oda, kishte statusin e saj; kafeja dhe fjala jepej me respekt e bujari. Roli dhe vlerat e shtëpiakes janë shembulli më i bukur i traditës sonë.

 

PASTRUESJA: Pastrimi i mjedisit, sa i rëndësishëm aq i paragjykuar nga të kamur nga pasuria, por të varfër nga shpirti. Ndër punët e thjeshta, po që ndihmojnë në mënyrën e jetesës, është dhe shërbimi i pastërtisë. Modeli i pastërtisë shihet në veshjen dhe pamjen e pastrueses. E kujdesshme në çdo detaj: nga fshirja e llambave deri tek dorëzat e dyerve. Të reflektosh për njeriun e thjeshtë, duhet një model; e si mos ta kujtosh e nderosh ”teze”pastruesen, që si nënë e vërtetë na shoqëronte nga zgjimi deri në orët e vona në vitet e konviktit! Edhe mbas kaq vitesh e kujtojmë ”tezen ”për dashurinë dhe kujdesin që tregonte për secilin, vërejtjet për rregullin e pastërtinë. Kurrë nuk linte mbas dore lulet! Sa shumë mësues, kudo që punuan, ruanin të shenjta këto porosi që u shndërruan në shprehi.

Njerëzit paskan nevojë për t’i hequr bëzhdilat nga shpirti i tyre”. E këtë punë e bën secili vetë, me formimin e mirë ; me përvojat jetësore duke mbushë boshllëqet e egoizmit me mirësi dhe dashuri. Kjo është ”lufta ”më e vështirë për t’ u pranuar, por më e lehtë për zbatim. Është betejë me mendësitë e prapambetura, paragjykimet, krenarinë, fudullëkun dhe dëshirën për jetesë komunitare. Sa të nevojshme janë bindjet qytetare për pastërtinë e mjedisit; tokës, ajrit dhe ujit! Fletëza evokon më të thjeshtën punë, por më të prekshmen nga njeriu!

 

LIBRASHITËSI:  Edhe ninullat e këngët e djepit, kënduar me kaq ëmbëlsi nga nënat dhe gjyshet pranë djepit, janë të shkruara në libra, që lexohen me ëndje në çdo moshë! Cili prej nesh nuk e njeh librarin; të vëmendshëm me lexuesit ; me dëshirat dhe interesat e tyre shoqërore, shkencore apo gjendjeve psikike. Pa vështirësi rekomandon më të mirin libër, mëtë përshtatshmin për moshën dhe intelektin. Njohja e autorëve klasikë, bashkëkohorë dhe botimeve të fundit, është përvoja e LIBRASHITEËIT. ”Fletëza” vjen me Ditët e Librit, bankës së informacionit të shekujve, sjellur me mjeshtri nga penat e Panteonit krijues. Libri është ndjekur dhe persekutuar; është trajtuar si sakrilegj, mbasi ka shkelur rregullin se tabutë janë të përjetshme. Herezitë dhe heretikët e mesjetës kanë shoqëruar lexuesin dhe në kohët moderne! Nuk gjendej në vitrina Fishta, Konica; mungonin iluministë, por përkthehej letërsia me heroin e kohës, heroin pozitiv revolucionar e njeriun e mbijetesës Lei Fen-in. Shpërndaheshin e komentoheshin fshehurazi librat e ashtuquajtur ”të verdhë”, në rrethe të ngushta shoqërore, nga frika e mekanizmave të diktaturës. Librashitësi nuk e humb dëshirën për përhapjen e librit: ato i gjen dhe në kioska, markete e trotuare. Po lexuesi ecën me ritmin e teknologjisë; informacioni përzgjidhet në morinë e interesave intelektuale duke arritur specializime të ngushta në përshtatje me kërkesat e kohës.

 

POSTIERI: Sa e rëndësishme për njeriun, shoqërinë e kombin është marrja e LAJMIT të MIRË! Mesia, lajmëroi fillimin e një epoke të re, të epokës se lirive e të drejtave njerëzore, ndaj shtypjes e shfrytëzimit. Lajmëtari, një shërbim i vjetër, ka patur dhe ka sipas të drejtave zakonore e ligjore STATUSIN e njeriut të paprekshëm. Sa shenja e simbole, sa objekte e vizatime ka përcjell lajmësi ; kanë qenë aq të pakuptueshme sa që kanë ruajtur kodin e vërtetë. Pritja e lajmit për shëndetin; për marrëdhëniet me kundërshtarin; për kushtet e luftës e gjendjen e robërve, kanë mbajtur në tension, jo vetëm udhëheqësit, por dhe njerëzit e thjeshtë!

Rend e thuaj…o marothonomak! I shndërruan në postierin modern, me mjetet e shpejtësisë e sigurisë, përcjell lajmin, pakon, dhuratën dhe albumet me fotot në mërgim.

E kush e shpërndan lajmin e shumëpritur“…për një komb të tërë që digjet në pritjen e një lajmi shpresëdhënës…? ” E ky LAJM merret jo nga një njeri, por nga shumica e shteteve; lajmi për njohjen e PAVARESISË se vendit me histori të lashtë e qëndresë heroike! Lajmi i mirë pritet për lëvizjen e lirë të qytetarëve, po kush bëhet pengesë!? E lajmësit e këtij VENDIMI, janë lajmësit e veçantë; lajmëtarët e kanaleve televizive, që nuk u shpëton asgjë!! Teknologjia e ka thjeshtuar shumë ”punën ”e lajmëtarit, duke përcjellë, jo VETËM lajmin e vërtetë, por edhe atë komercial.

 

FLOKTARJA: Të harmonizosh bukurinë shpirtërore me pamjen e jashtme, është jo vetëm dëshirë, por dhe kërkesë e çdo njeriu, veçanërisht e femrave. Kur vëzhgojmë statujat e panteonit pellazgo – ilir, shohim hijeshinë më të bukur mashkullore e femërore tek Baku e Dea! Shprehja e ndjenjës së dashurisë, ëmbëlsisë dhe paprekshmërisë së saj vjen si mesazh për të gjithë brezat. Floktarja e njeh të bukurën; i kthen buzagazin dashurisë së pafajshme duke ”luajtur ”me shumëllojshmërinë e modeleve të gërshetit; balukeve e formave të të prerit e të krehurit. Në karrigen e saj ulen dhe artistë të dramave dhe komedive ; personazhe të humorit dhe zonja të moshuara që dëshirojnë të sfidojnë vitet. Floktarja gjendet ngushtë me politikanen ; me atë zonjë që mban peshën e seriozitetit dhe besimin e qytetarëve; asaj i rekomandon thjeshtësinë që vjen nga tradita. E sa ndryshime sjell floktarja: brunet i kthen në bionde; luan me ngjyrat si një artiste e vërtetë! Sa mirë ndihet vajza e dashuruar me hijeshinë e paraqitjes në këtë harmoni! Mjeshtëria artistike sjell për lexuesin vlerat shoqërore të kësaj profesionisteje.

 

ELEKTRICISTI: “ Dhe Bota u vu në lëvizje e në zënien e rrufesë në grusht…shihet drita..” Drita, një ëndërr me plot dëshira dhe shpresë për të zbuluar të fshehtat e natyrës e bukurisë shpirtërore. Sa e gjatë rruga brezave për të arritur tek ELEKTRICISTI; nga pishtarët me lyrë deri tek poçet me gaz! Drita jo vetëm ëndërr, por përpjekje e shoqëruar me shumë zbulime; të gjitha e bënë njeriun krijesën më të mrekullueshme, të depërtojë në teknikën e teknologjinë e kohës.

Elektricisti, njeriu i thjeshtë, që krijon lidhjen me dritën, gjendet në punë në çdo kohë. Është Ai, që përballet me rrezikun e vështirësitë e motit. ”E jeta kaq e vështirë, ta dhuron vetëm një herë gabimin….për të qenë në albume kujtimesh. ”A mund të mendohet zhvillimi i sotëm pa punën tënde !? A mund të lidhemi me tel e video, mesazhe e foni pa ndihmën e kësaj pune të thjeshtë! Tek thjeshtësia qëndron e bukura : drita që zhduk çdo errësirë.

 

SHITËSJA: Kujtimet e fëmijërisë të lidhin me dëshirën për plotësimin e nevojave; e kjo mbresë e pashlyeshme vjen nga shitësja e gështenjave të pjekura. Në strehën e shkollës, e mbrojtur nga shiu dhe era, iu shërbente me shumë dashuri nxënësve, shitësja e moshuar. Me buzagazin e vazhdueshëm plotësonte kërkesat e secilit; në fytyrën e saj vërehej dhembje, mirësi dhe bujari. Të ndryshëm nga gjendja familjare: qytetarë, të shtëpisë së fëmijës e konviktorë, i dallonte e respektonte në një mënyrë të veçantë, që vetëm ajo dinte ta bënte. Shitëset e sotme ndryshojnë; ato ruajnë buzëqeshjen duke reklamuar mallin, produktin a teknologjinë e kohës. Shpesh buzëqeshja ngrin, kur shtohet stoku i mallit dhe produkti rrezikon biznesin; kur shet në vendin e gabuar për të siguruar të ardhura për familjen…

Shitësja i njeh blerësit e saj, bile i përshëndet…, u premton për artikullin e nevojshem. Një punë e thjeshtë, por e nderuar, me të cilin jemi të lidhur për plotësimin e kërkesave tona. Fletëza është një qëmtim poetik, me bukuri artistike, duke vënë në dukje vlerat qytetare e mirësinë njerëzore të shitëses.

 

VRESHTARI: Fletëza poetike sjell për lexuesit mjeshtërinë e vjetër, që me bujari, bukuri dhe respekt ka shoqëruar sofrën e ilirëve deri në ditët tona. Vreshtari i ri e trashëgoi nga babai kujdesin për hardhinë; nga mbjellja deri në vjeljen e prodhimit; shërbimet e harrjes dhe krasitjes për rritje e për më shumë rrush; në kohën e duhur bën spërkatjen për të siguruar frutin sa me të shëndetshëm. Vjelja është shoqëruar me rite: këngë të trashëguara nga gjyshërit; pastërti për shtypjen e rrushit dhe nxjerrjen e mushtit. Vera (vena) përshkon një rrugë të gjatë e plot përvojë; jo kushdo mund të sigurojë më të mirën, më të shijshmen që me erën që vjen nga nuhatja dhe shija përcaktohet cilësia. Autori thotë : ”Etja e zgjuar e shpirtit e pranon këtë dehje të hirshme, se kënga më e bukur buron nga gjiri yt, me një kupë pranë.” Sa poezi kanë buruar nga kjo dehje; dehje hyjnore që lidh shpirtin me më të bukurat ndjenja; me dashurinë e përjetshme!

Vreshtari i mbjell hardhitë në kodër, aty ku dielli shoqëron bimën nga mëngjesi në të ngrysur; ku lidhja me Diellin i jep më shumë jetë dhe vlerë, e bën më hyjnore. I gjithë ky kujdes bëhet për ”Kokrrën e Rrushit”.A ka ngjashmëri fryma poetike me përkujdesjen e vreshtarit!? Duket se i bashkon DASHURIA, dashuria për të bukurën shpirtërore e në marrëdhëniet njerëzore!

 

MINATORI: Minatorët! Njerëzit e punës së vështirë, që bëjnë dy jetë, mbi tokë me familjen e nën tokë në kërkim të ”Kokrrës së Mineralit”. Ndarja e përditshme shoqërohet me dhënien e dorës e shikimin në sy; kujtohen shokët brinjë-thyer e jetëhumbur, poshtë traversave e xeheve të çmuara. Këtu ballafaqohet sakrifica dhe lumturia, mundi i minatorëve e shkëlqimi e luksi i disa grupeve. Këtu, me grafitin, zë fill shkrimi në letrën e bardhë: tregimet me heroin që depërton thellësive në kërkim të ”el dorados ”; poezive e krijimeve në gjinitë, që përjetojnë minatorin. Sado teknika të përdoren, puna e minatorit është e pazëvendësueshme; është zbatimi i kërkimit të specialistit, njohësit të shkencës me fantazinë dhe imagjinatën e veçantë. Rruga e vështirë deri te GURI i Çmuar Është mesimi me i mirë…se ç’është kërkimi në jetë, në histori, në studim, në vetvete, në galeri karaktetesh e shpirtrash, frymëmarrjesh e frymëzimesh.

Kërkimi!

Kërkimi në natyrë e në jetën shoqërore. E në këtë Datë përkujtimore, 1 Maji, minatori vazhdon të kërkojë ; të kërkojë VLERËSIMIN e mundit, djersës, sakrificës e ndarjes nga jeta parakohe nga sëmundjet profesionale. Fletëza poetike, e mbushur me dashuri e respekt, është vlerësimi artistik për minatorët; sa i drejte do të jetë shpërblimi monetar e shëndetësor për këtë shtresë!

 

(1- 30 prill 2019)

 

[1] Këto tekste janë përfshirë te libri : “Fletëza poetike për njerëz të thjeshtë e Prend Buzhalës, poezi, botoi Lenagraphic, Prishtinë 2019. Janë tekste komentuese në rrjetin social, prej datës 1-30 prill 2019, ku i ka publikuar autori.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.