13.5 C
Tiranë
E martë, 17 Mars 2026

Kosovare Krasniqi

Tryeza e doktorantëve
(Letërsi)
Drejtues: Roland Peraj, Veron Dobroshi
Ligjëruese: Kosovare Krasniqi
Imagologjia si disiplinë moderne në fushën e letërsisë dhe hulumtimi imagologjik i letërsisë arbëreshe
Megjithëse të larguar në mesjetë, më konkretisht në shekullin e pesëmbëdhjetë, arbëreshët e Italisë për shekuj me radhë ruajtën në kujtesë atdheun e tyre Shqipërinë, ndërsa poetët arbëreshë në vargjet e tyre i përjetësuan ndjenjat e tyre të thella për atdheun matanë detit. Vendi i huaj i bën të ndihen të humbur në hapësirë, megjithatë ata, në vetminë e tyre, në imagjinatë e krijojnë atdheun e vet. Kështu, kjo vetmi, kthehet në liri të brendshme krijuese. Çdo poet arbëresh në poezinë e tij, atdheut i këndon me shumë dashuri, dhembje e mall. Të izolohemi, thotë Kamy, të veçohemi dhe të ruajmë unin prej mjedisit armiqësor, të mbrojmë lirinë tonë të brendshme dhe të mos e cenojmë atë nga marrëdhëniet shoqërore. Përveç kufijve që distancojnë “ne” nga “ata”, arti letrar paraqet një lloj komunikimi në mes poetit dhe atdheut.
Përcaktimi për temën “Vetmia dhe veçimi”, në variantin e konceptit të tjetrit, pra, veçimit prej shoqërisë si distancë higjenike prej “tjetrit” (edhe ai i zbulueshëm pikërisht prej vetmisë dhe veçimit) për të zbuluar kufijtë e vetvetes, është i një rëndësie të veçantë, sepse duke kaluar në kornizat e tjetërsisë, lexuesi zbulon botën e brendshme të subjektit të letërsisë arbëreshe, të cilin e shënjon vetmia, veçimi, tëhuajësimi, si dhe lufta për ta ruajtur qenësinë e tij e cila është gjithnjë në shprishje.
Studimi im rreth këtij problemi do të udhëhiqet nën titullin “Imagologjia si disiplinë moderne në fushën e letërsisë dhe hulumtimi imagologjik i letërsisë arbëreshe”
Qenësinë e arbëreshëve, të rrezikuar nga ndarja prej trungut kombëtar, e ruajti bota e krijuar shpirtërore: krijimtaria popullore, po edhe ajo e shkruar siç është letërsia. Poezia e arbëreshëve u krijua përgjithësisht jashtë kufijve kombëtarë dhe duke qenë se arti i imagologjisë bazohet në gjykimin e një imazhi tjetër nga ana tjetër e kufirit, atëherë pasqyrë kryesore e pikëpamjeve të arbëreshëve rreth së cilës sillet kjo krijimtari, bërthamë ka botën arbëreshe.
Kujtojmë se letërsia shqipe nuk është njohur shumë me nocionin e Imagologjisë si disiplinë e letërsisë krahasuese dhe qasja ndaj kësaj teme në këtë kumtese do të shtrohet në një rrafsh të tillë.
Fjalët çelës: Poezia, arbëreshët, vetmia, kombi, imagologjia.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.