Korçës sime, që më mungon, këtë poezi i kushtoj
Në vendlindje

Në vendlindje lodron shkujdesur rinia ime
Me kurorën e gjelbër vjedhur syve të mi
Në aromë jargavani, kitara varet mbi një bli
Tingujt e zemrës pëshpëritin si valë të kaltra
Retë ndalin hapin, kur në Korçën time vi.
Në kristale shpirti kujtimet thërrmohen,
cicërimat e zogjve që vesojnë ndër degë,
në gjethe pranvere shndërrohen
e buzë lumit veshin një pemë.
Shemben muret e tejdukshëm të heshtjes
Mbi rrezet ku hedh frymëmarrjen dielli
Luleshpresat mbjell në kufi të shekujve
Për të lulëzuar katër stinët e shpirtit tek qielli.
Që të mos më zënë frymën e ëndrrës.
Me gishtat e territ, në qiell të furtunës vozis
Ardhur me një grusht uji nga e djeshmja
Në portën e shpirtit me spilën e dhimbjes
Luleshpresat për të ardhmen po ujis.
Yjet janë më afër se kudo në Korçën time,
Mblidh me grushta qiejve deri lart në Hënë.
Ndriçimi si Krishtlindje, tejkalon perlat e Topkapi,
Me diamante më kurorëzuan mua;
vajzë, grua e nënë.