Në pritje të mrekullisë
Duket se frymoj në një tjetër kontinent
Në një tjetër shtet
Në një tjetër qytet-kryeqytet,
ku strehohen ëndrrat e mia.
.
Mes pallatesh që frymojnë nën qiellin gri.
Nëpër trafikun e rëndë, plot bori,
Jam bërë kalimtare e panjohur,
mes fytyrash të panjohura, rri.
Ec indiferente ndaj njerëzve e lypësve,
Me fytyra të bukura e të shëmtuara.
Pengohem në zhurmat e urbaneve
që zhduken stacioneve të tejmbushura.
Pyetjeve të mia u përgjigjet heshtja
Heshtja e heshtur, që më bën shoqëri
E vetmja e njohur e pabesdisshme
Mes bashkëudhëtarëve të mi.
Shëtis mes zhurma heshtjesh
Si pellgje të mbira rastësisht,
Hapat e mi si kërkesa të pamundura,
Zhurmojnë nëpër muzg përtacisht.
Të gjitha heshtjet janë të njëjta
me mungesat e tyre perfekte,
që mbajne kujtime të paharuara,
që zvarriten si unë të vetmuara.
Një fytyrë kërkoj vitrinave, në çdo fasadë,
Si në buzeqeshje edhe në trishtim,
Por e di, lodhem më kot
Ti qëndron strukur murreve të shpirtit tim.
Jam bërë banorja më e re
e një bote që s’qenka thënë të jetë imja, jo…
Mrekullinë i kërkoj Zotit në lutje
Me dhimbje mendje e shpirt përhapur kudo.
Perëndimit vesh shtresën e hollë të mbrëmjes
mes hapash që zvarriten në përditshmëri
E pathyeshme nga erërrat e kohës,
kthyer në fortesë, pres një mrekulli…