Troket dita përmbi glob,
veson vesa përmbi lule,
hapi dielli synë e zjarrtë,
ti më sjell një flutur puthje.
Troket zemra rrahje jete,
nis tek unë një dashuri,
dhe frymon nëpër planete,
këngë e mall plot gjallëri.
Vezullon ky diell i zjarrtë,
në çdo zemër, në çdo shpirt,
dashuri që përherë mbete,
shpresë jete për të gjithë.
Toka rrëzëllit shkëlqime,
dashuri ka dhe varfëria,
tek një lule plot vegime,
e nis rrugën dashuria.
E nise rrugën dashuria,
rrugë qe nuk mbaron kurrë,
aty ku bleron mirësia,
zbut shkëmbin e bën të urtë.
Janë përherë pranë e pranë,
si dy motra binjakëzojnë,
dit’ e bukur dhe dashuria
të pa ndara mbretërojnë.
Troket dita nëpër planete,
dhe çel dielli synë e zjarrtë,
ikën jeta, merr me vete,
dashurinë dhe lë mall.