11.5 C
Tiranë
E shtunë, 15 Shkurt 2025

KRYEAGRONOMËT E POLITIKËS SHQIPTARE

Abdurahim Ashiku

Fletë leximi për shtëpiakët e koronavirusit

KRYEAGRONOMËT E POLITIKËS SHQIPTARE

Fejton

Ditë më parë kryeministri ynë u shfaq ekraneve të gjalla të televizioneve, gazetave print e portaleve, në një profesion të ri që ngjalli interes sa në Divjakë, në Fushën e Korçës dhe majëmalesh deri në Shishtavec.
Foli për pataten. Nuk tha se ajo “është bukë e gjellë” se me siguri shigjetat e komunistëve të shndërruar në demokratë do ta bënin “iriq me gjemba”, por tha se Korça nuk duhet të mbjellë patate sepse ato i mbjell e i shkul Divjaka, bile dy herë në vit!!!
Një vit më parë, kur ishte në bashkëngastër me Ramën, zonja Kryemadhi bëri thirrje që Shqipëria të mbjellë… shafran !
“I bëj thirrje gjithë qytetarëve, tha Ajo, të shkojmë sa më shumë drejt kultivimit të bimëve që do të përmirësojnë dukshëm jetesën e qytetarëve. Dhe jemi në zonën ku duhet të mbillet shafran. Përveçse luftojmë kundër kultivimit të kanabisit largojmë njerëzit nga mentaliteti në shërbim të kësaj bime të krimit të organizuar por kultivojmë ndërkohë produkte tejet elitare. Është një zonë kjo e Dumresë, Cërrikut, Peqinit e Gramshit që është shumë e mirë për kultivimin e shafranit. Ndihmon në biznese familjare por edhe në punësimin e madh të grave”…
Vite më parë, kur bujqësia u shkatërrua në themel, në organizim e në strukturë, Berisha president i “kuotës zero” fliste për bujqësinë si të kishte në njërin xhep diellin e në tjetrin shiun.
Dhe për ç’nuk fliste, si të ishte shkencëtari më i madh për bujqësinë.
Hante një kokërr pjeshkë dhe thërriste “Unë e dua pjeshkën”…
Gërryente në guaskën e shegës kokrrat e kuqe dhe thërriste “Unë e lakmoj shegën”…
Shihte ndonjë kokërr ulliri në pjatë dhe thërriste “Të mbillen dyzet milionë rrënjë ullinj”…
Thyente një kokërr arrë dhe bërtiste “T’i mbushim kodrat e malet me arra, lajthi e bajame”…
Desh të imitonte babanë e tij ideologjik por përveç fjalëve në fjali çjerrëse asgjë nuk bënte.
Një pasardhës në karrigen e tij do t’i çudiste të gjithë kur pas takimit me një emigrant do të zbulonte panxharin e kuq, sjellë e mbjellë në Fushë-Krujë (!) Pas kësaj do të bënte thirrje që të mbillet sa më shumë panxhar i kuq!!!
Qesha asokohe, madje bëra edhe një fejton për këtë zbulim të presidentit fizikan.
Një fjalë e urtë popullore thotë se “Vreshti nuk rritet me urata, por me shata e lopata”.
Në 27 vjet kalimi, bujqësia shqiptare ka njohur (dhe fatkeqësisht vazhdon të njohë) shkatërrim, përbuzje dhe braktisje të saj.
Kryeagronomët e politikës e përcollën atë në ngastrat e vogla, bujqësi kopshtare.
E kujtoni ish ministrin e bujqësisë në daljet televizive? Gjithnjë do ta gjeje në ndonjë serrë me luleshtrydhe, shalqinj apo perimesh të ndryshme. Asnjëherë nuk e gjeje në ndonjë ngastër gruri, misri apo drithërash të tjerë jetikë për vendin. Sipërfaqet e mbjella me grurë, misër, e drithëra të tjerë janë me dhjetëra herë më pak se sa sipërfaqet e mbjella tre dhjetëvjeçarë më parë.
E patë këto ditë kryeministrin Rama me gjithë qeverinë e tij në Berat? U gëzohej ngastrave me perime nën plastmasë si i gëzohet nikoqirja luleve në ballkon.
Për bimët tekstile, etero-vajore, për pambukun, panxharin e sheqerit e të tjera nuk flitet a thua se ato sjellin gërbulën e flamën.
Gjatë këtyre viteve bujqësia shqiptare e detyruar të ngujohet në ngastra të vogla ku vetëm kafshët në plug mund të rrotullohen “lirshëm”, humbi gati plotësisht lidhjen me industrinë, çoi në zhvillime amatore bujqësore duke i dhënë vetes pak krah pune e industrisë thuajse aspak.
Një bujqësi me ngastra copa-copa nuk mund të krijojë hapësira pune për vete e jo më për industrinë.
Është parë kryeministri i vendit të flasë me zë të ngjirur (nga sindroma e frikës se mos e akuzojnë me të kaluarën) për kooperim në bujqësi, për kooperativa bujqësore. Do të desha ta ngrejë zërin. Bujqësia nuk mund të zhvillohet me ngastra ku nuk rrotullohet dot “dum-dumi” e “gomari në plug”. Me prit akumulimin kapitalist në bujqësi, akumulim që në praktikën kapitaliste ka zgjatur (dhe vazhdon) tash disa shekuj, tokat bujqësore shqiptare do të mbeten për një kohë të gjatë djerr e nën ujërat e kënetave.
Këshilli i Ministrave vendosi ta pezullojë ligjin 7501 për shpërndarjen e tokave në zonën fushore, kryesisht në ndërmarrjet bujqësore. Të mos lëshojë tapi për përfituesit e këtyre tokave.
Sikur ato toka të mos ishin shpërndarë por të ishin shndërruar në ferma të mëdha ku të aplikoheshin teknologjitë moderne bujqësore tjetër fytyrë e tjetër peshë në ekonomi e punësim do të kishte bujqësia shqiptare.
Dhe një shtesë: Kryetari i Bashkisë së Tiranës është bërë “bajat” me daljet e tij ekraneve televizivë me lopatë në dorë rrethuar nga njerëz të shtresave e profesioneve të ndryshme duke synuar të mbillen deri më 21 mars njëqind mijë fidanë pyjorë.
Do të desha që kaq “bajat” të bëheshin edhe Rama e soji i “kryeagronomëve të politikës shqiptare”, thjesht duke dalë çdo natë në ekranet televizivë me shata e lopata ndër duar duke prashitur e vaditur, duke mbjellë e vjelë, duke pastruar kanalet e kulluar tokën për mbjelljet e ditës…
Kështu do ta justifikonin të qenët “Kryeagronomë të politikës shqiptare”…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 18 mars 2018

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.