13.5 C
Tiranë
E mërkurë, 19 Mars 2025

Kujtim Boriçi

PËRSHËNDETJE!
Doli nga shtypi libri “Tahir Hoxha i Çermenikës”-monografi. Së shpejti, ky libër do të promovohet dhe në Muzeun Historik Kombëtar, moment për të cilin kolegët, miqtë e dashamirësit do të njoftohen.
Faleminderit!
Kujtim BORIÇI.Mund të jetë një imazh i 2 persona, duke përfshirë Kujtim Boriçi dhe teksti
Vështirësitë e një libri, për një
personalitet të vlerësuar ‘bardhë e zi’
Vlerësimi i jetës, aktivitetet dhe personalitetit të njerëzve të gjykuar ‘bardhë e zi’ në kohën që jetuan apo vepruan, sipas psikologëve të njohur, ka një sërë rreziqesh, pasi pavarësisht se vlerësimi bëhet në një kohë të mëvonshme, pavarësisht përmasave të këtij aktiviteti, nuk mund t’i shpëtojë plotësisht gjykimit të kohës që shkoi, pra ‘bardhë e zi’. Dhe kjo ndodh, si për ngjarje madhore apo personalitete me peshë kombëtare e ndërkombëtare, ashtu dhe për ngjarje apo personazhe me aktivitet lokal, deri në trevë apo fshat.
Po sipas psikologëve, së pari, kjo ka të bëjë me civilizimin e shoqërisë dhe faktorëve të tjerë të saj, të cilëve u serviret vlerësimi për personalitetin apo ngjarjen. Këtu nuk përjashtohet dhe roli i atij që merr përsipër (ose atyre) të bëjë vlerësim, mënyra e sigurimit dhe përdorimit të dokumentacionit zyrtar, administrimi i dëshmive apo elementëve të tjerë (foto, faksimile etj…), pra qëllimi nga niset për të bërë këtë vlerësim.
Kështu mendoj se ndodh dhe për atdhetarin Tahir Hoxha nga Zdrajshi i Çermenikës, për të cilin vlerësimi ‘bardhë e zi’, jo vetëm ka qenë i kontestuar (pavarësisht masës së animit të peshores), por vetë ai, në të dy kohët, atë të mbretërisë e pushtimit të vendit, si dhe pas çlirimit, provoi vlerësimin ‘Atdhetar’ , por dhe u dënua, pra, provoi arrestimet, gjykimet dhe dënimet e të dy kohëve.
Kur kalojnë vite, dekada apo edhe shekuj, koha bën të sajën. Dalin dokumente të reja zyrtare, ka reflektim nga dëshmitarët e djeshëm rreth gjykimit të shkuar, shoqëria dhe marrëdhëniet tërësore të sajë janë në nivel tjetër social, intelektual e kulturor, e në këtë kuadër, gjykimi e vlerësimi është më ‘i ftohtë’, më afër realitetit të sotëm.
Duke iu rikthyer asaj që shpreha shkurt që në fillim, si autor i monografisë “Tahir Hoxha i Çermenikës”që keni në duar, pohoj se shtysa dhe ndërmarrja e hartimit të një libri për ‘të, nuk ka qenë e lehtë. Por mendoj se duke i qëndruar besnik misionit, për të pasqyruar në këtë monografi mundësisht atë produkt që të jetë sa më afër realitetit, nëpërmjet dokumenteve të kohës, (një pjesë e zbuluar 2-3 vitet e fundit) dhe atyre të sotme, me mbështetjen e studiuesve që e njohin mirë zonën dhe historinë e protagonistit Hoxha, gatishmërinë e pasardhësve të tij, kontakteve të shumta me bashkëkohës të tij, konsultës me organet e shtypit të shkruar (lokal e qendror) dhe ndihmës së kolegëve, mendoj se ja kemi arritur. Sigurisht, e mira nuk ka fund, sikundër dhe gjykimet e vlerësimet nuk mund të jenë të njëjtë (e kjo, është më se normale), por është lexuesi ai që bën vlerësimin për produktin.
Në këtë kuadër, janë shumë për të falënderuar për ndihmën dhe mbështetjen, por mendoj që të përmend disa prej tyre: Prof. Dr. Ferit Balla, studiues i njohur për zonën e Çermenikës, personi që falë përpjekjeve, arriti të sigurojë në arkiva disa dokumente zyrtare origjinale për aktivitetin e atdhetarit Tahir Hoxha dhe të pasqyrojë në medien lokale e qendrore, shumë shkrime me këtë objekt; kolegun e autorin e disa librave për Çermenikën, Ferit Fixhën; kolegun e gazetarin e njohur Albert Zholi, autor i shumë shkrimeve për Tahir Hoxhën; studiuesin dhe shkrimtarin Agim Qokun; ‘Mësuesin e Merituar’ dhe autorin e njohur të disa librave me vlerë për Çermenikën e Librazhdin, Rrahman Gjorga; këngëtarin, i vlerësuar ‘Bilbili i Çermenikës’, njëkohësisht nipi i Tahirit, Hysni Hoxha; studiuesin e publicistin Haxhi Balliu; inxhinierin dhe drejtorin e gazetës ‘Çermenika’, Maksut Balla; gazetarin Agim Blloshmi; studiuesen dhe arkivisten e njohur gjirokastrite Luli Hoxha, poeten dhe këngëtaren Afërdita Hoxha; poetin Çaush Kullafi; bashkëkohësit e Tahir Hoxhës, Faik Çota e Ymer Lleshi; punonjësit e arkivave shtetërore në Elbasan dhe Tiranë, si dhe shumë të tjerë…
Kjo mbështetje dhe ky bashkëpunim, kishte emërues të përbashkët misionin që duke sjellë të plotë portretin dhe aktivitetin e atdhetarit Tahir Hoxha, të zbardhen disa të panjohura të kohëve që shkuan apo dhe lënë enkas në heshtje, të një personi të vlerësuar ‘bardhë e zi’, për të cilin në kohë të ndryshme, ‘e bardha’ është quajtur e ‘zezë’ dhe në kohën tjetër, e kundërta. Fatkeqësisht, shumë ngjarje e personalitete, sidomos në sistemin socialist, janë parë ‘bardhë e zi’, gjë e cila ende dhe sot, nga dikush, vazhdon të jetë si metodë vlerësimi. Për sa më sipër, gjatë konstruktit të monografisë, është marrë në konsideratë dhe jepet shkurtimisht se kush ishte Tahir Hoxha; pjesëmarrja me armë në dorë kundër andartëve turq; rezistenca aktive kundër pushtuesve sllavë; miqësia dhe aktiviteti atdhetar me Beg Ballën, Lleshajt e Dibrës, parinë atdhetare të Elbasanit etj; qenia e tij mbështetës i Fan Nolit e kundër Ahmet Zogut dhe burgu që bëri më pas për këtë; miqësia dhe besë-dhënia e tij me parinë e Elbasanit, kryesisht me Ibrahim bej Biçakun që mbeti e tillë deri në fund; qenia me Ballin Kombëtar; lidhja e tij me LANÇ në të cilën renditi djalin dhe e mbështeti me pasuri këtë lëvizje; ndëshkimin si kulak, dënimin nga sistemi monist dhe kalvari i tij dhe familjarëve në dekada; dekorimin e tij si atdhetar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor etj…
Për sa i përket strukturës së librit, ai është ndërtuar përgjithësisht sipas kritereve apo modeleve të hartimit të monografive, ku dokumenti zyrtar, rri krahas dëshmive të bashkëkohësve, ku fotot shoqërojnë materialet në shkrime të veçantë, ku për të gjitha këto (materiale arkivore e dëshmi), është shmangur komenti, me synimin që lexuesi të nxjerrë vetë konkluzionin.
Sigurisht, çdo libër ka dhe ndonjë mangësi, veçanërisht monografi për personazhe të tillë të parë apo të vlerësuar në dekada ‘bardhë e zi’, nuk ka se si t’u shpëtojnë mangësive të mundshme. Bie fjala, disa detaje për ngjarje apo personazhe (ndoshta dhe ndonjë datë), sjellë nëpërmjet rrëfimeve të bashkëkohësve, dokumenteve apo dorëshkrimeve të tyre, mund të mos përkojnë plotësisht, por ne i kemi lënë pa prekur, jo vetëm se nuk na ndryshojnë gjë në thelb, por dhe për detyrimin dhe respektin ndaj bashkëpunëtorëve.
Duke ja lënë fjalën e vlerësimit lexuesit, dua të theksoj se me këtë monografi modeste, dua të shfaq dhe mendimin, dëshirën apo sipas meje dhe nevojën, që nga kushdo që i ka mundësitë dhe aftësitë, të shkruaj për personazhe të tillë, pasi kjo i shërben sa më shumë realitetit, të vërtetës (të mohuar apo të neglizhuar qëllimshëm deri sot), pasi kjo i shërben davaritjes së mëtejshme të mjegullës që ende në vendin tonë, ka lënë ndonjë gjurmë ‘lufta e klasave’ apo izolimi i dikurshëm.
Kujtim Boriçi
Autor i librit
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.