-1.5 C
Tiranë
E dielë, 9 Shkurt 2025

Kujtim Hajdari

JUVE EDHE TË VDEKUR, ZEMRA JU KËNDON !

(Dy miqve valltarë)Mund të jetë një imazh i 4 persona dhe njerëz në këmbë

Vitet fluturuan e më nuk u panë,
Ishin si dy vëllezër në valle e këngë,
Kur mori lajmin se ka shkuar matanë,
U nis vrap te varri me të madhen brengë
Çohu, more Dane, t’ja marrim njëherë,
I fërkoi foton me dorën që dhëmb,
Dukej do ta çonte vërtet si atëherë,
Kur vallen e hiqnin të dy këmbë mbi këmbë.
Çohu, more Dane, se është mbledhur fshati,
T’na spërkatin vallen me gota rakie,
Kanë dalur dhe pëllumbat jashtë nga hajati,
Të të sjellin lule mbi tënden takie.
Oshëtinte vendi, varret mbanin vesh,
Malli dridhte ajrin, dhimbja plaste gurin,
Këto fjalë zemre sa shumë kishin peshë,
Dukej se do hapnin, do çanin dhe murin.
Çohu, more Dane, pse më rri këtu,
Është sofra e shtruar në konakun tënd,
Kam ardhur të të marr, mos më shih ashtu,
Dikur kemi lënë përgjysëm një këngë.

Thonë se u hap varri, Dania filloi këngën,

Sa tundet kodra e lugina poshtë jehon,

Fshati për shumë vite u thuri legjendën,

Juve, bijë, dhe të vdekur, zemra ju këndon.

Kujtim Hajdari

“””””””””””””””””

GREKJA E BUKUR
Mund të jetë një imazh i fëmijë, në këmbë, ambiente të jashtme dhe pemë
Nga ballkoni shoh në rrugë,
Shoh makinat si vrapojnë,
Diku larg dhe ty për udhë,
Të thërresin, të kërkojnë.
Të thërret pranë vendi yt,
Dhe kujtimet lënë atje,
Shoh sa shumë të ndrisin sytë,
Sa dhe gjumi s’të merr më.
Dhe një ditë, e di, do shkosh,
Dhe këtu do lësh vetminë,
Vetëm unë e di sa bosh,
Do ndjej shpirtin dhe shtëpinë.
Fjongo rrezesh nëpër lule,
Do të mbledhësh në mëngjese,
Dhe kujtimet me pekule,
Do përkëdhelësh n’rruzuj vese.
Lart e poshtë ishullit t’bukur,
Bashkë me nipin dorë më dorë,
Do të bredhësh si dikur,
Diell do kesh në kraharor.
Ditët që lë tek mua pas,
Do rrinë në vite si gjerdan,
E unë do t’i ruaj, s’do t’i ngas,
Për të ndjerë ty gjithmonë pranë.

Të them hesht e prit dhe ca,

Vetëm dhimbjen do të shtoj,

Dashuria urdhëra s’ka,

Ajo di vetëm të çmoj.

Kujtim Hajdari

“”””””””””””””””

URË E VJETËR E PASHAIT
Mund të jetë një imazh i pemë, ambiente të jashtme dhe teksti
N’anë fshatit, nën një rrap,
Nusëron ura e lashtë,
Pret pashanë të kthehet prapë,
Pret të dalë nga varri jashtë.
Përmbi urë rrihte trokun,
Dhe turfullonte kali krifën,
Thonë pashai s’e kishte shokun,
Ku kalonte fuste frikën.
Dhe mbi urën e pashait,
Një fshatar s’e hodhi hapin,
Ishte pjesa e sarajit,
Me pashanë sherrin s’e kapin.
Dhe kur ngrinte kristale ftohti,
Mbushte përroin dhe rrebeshi,
Mbi urë kalonte veç i zoti,
Fshati gjithmonë këmbët përveshi.
Si një plagë e një mynxyrë,
Shihnin urën gjithmonë shtrëmbër,
Si diçka për ta pështyrë,
Si një plagë që vret në zemër.
Pas në vite u ndërtua,
Një tjetër urë e fortë, beton,
Urë e pashës s’u rrëzua,
Por mbi të asnjë nuk shkon.
Tash me myshqe mbytur keq,
Ura pret e rri e trembur,
Ç’është ky fat kaq i keq,
Erdhi koha për t’u shembur?

Një tjetër pashë nuk doli më,

Që kur sarajet i liruan,

Por urë e pashës, urë me zë,

Emrin e keq akoma ruan.

Kujtim Hajdari

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.