DO TË LË PAS ZËRIN TIM
“Lamtumirë botë!” s’do pëlqeja ta them kurrë,
Është fjal’e rëndë që më bluan me dhimbje,
Më djeg e më përvëlon si një furrë,
Zemrën ma copëton e ma bën thërrime.
Një ditë, në misterin pa fund të jetës në amshim,
Do t’më flak, si shtrëngata retë në detin që nxin,
Po unë pas do të lë zërin tim që s’do të vdes,
Si stuhi a si puhizë mes njerëzve do të thërres.
Ëmbël do të përkëdhel pranverës një lule,
Dimrit do t’i ngroh faqen vogëlushit,
Vajzës së dashuruar do t’i fal dhele e pekule,
Djalit që digjet do t’i ndez vështrimin e drenushit
Do të ngroh zemrat djegur nga malli,
Do të përtërij shpirtërat e vrarë nga brenga e halli,
Do të hedh dritë si dielli i mëngjesit,
Në errësirën e shpirtërave të mbytur prej vesit.
“Lamtumirë botë!” Sa peshon kjo fjalë, sa e rëndë!
Do dhimbte, do shtrydhej dhe zemra më shkëmb,
Ndaj unë zemrën e lë jashtë, të ndezur, të pa fikur,
Ju, miq, do t’më ndjeni e do thoni: Rron, s’ka ikur.