TOKËN E BABAIT MOS MA PREK
Mos ma prek tokën e babait, se pasha këtë shpirt që kam, ta nxjerr arrëzën e fytit.
Mos po mendon se ajo tokë nuk ka zot?!
Babai ka lënë pas vetës djem, o i panjeri…
E pasha atë hajrat të gjyshërve e të babait tim, ku rrita shtatin, djerrinë do ta lë e, pasha shpirtin tim, ty nuk ta lëshoj.
Kush ta dha të drejtën të futesh në tokën e babait tim se, sa herë e shoh atë tokë, më kujtohen vuajtjet e babait tim e shpirti më dhemb. Sa djersë, sa gjak ka derdh aty ne për t’na shkolluar.
Largomu sysh e mos më dil para, se be po të bëj në gjakun e t’parëve, do të të lidh për arrën e madhe në megjën afër sokakut.
Nuk kam tokë me shitë, as me falë, se e kam amanet nga të parët. E sa të jem gjallë, brez pas brezi do ta mbajë
emrin tonë, a more vesh, a jo?
Ule bishtin e hapi veshët çka po të them, mos e nguc grejzin me krande se po më mbetesh në dorë, po ta them për herë të fundit.
Nuk ka lekë që mund ta blejnë tokën e babait. Është hajrat që nuk lejoj kë të luajë me të, se është e gjakut e e shpirtit tim, se babai e ka ruajtur si sytë e ballit, na ka rritur me mundime, me sakrifica, por me nder.
Mos ma prek tokën e babait tim, po të them!