“Prelude dashurie” është libri më i ri i poetes Lulëzime Malaj.

Vetë titulli përcjell një mesazh ngrohës, pasi fjala prelud përcakton
pjesën hyrëse në një vepër muzikore apo pjesë e vogël muzikore,
që qëndron më vete dhe të elektrizon trupin. Pra, “Preludi i
Simfonisë” në këtë rast është “Preludi i Dashurisë” që i paraprin
ngjarjeve, veprimtarive, tematikave, situatave poetike, në tërësi,
lëndës së bukur të këtij libri melodioz.
Gjithë poezitë duken se përcjellin tinguj muzikor si të një
Simfonie Bethoviane, që asnjë element njerëzor nuk ndërhyn,
nuk i sfumon, nuk i tjetërson tingujt poetik të këtij libri modest,
por me përmbajtje sfiduese. Në këtë vëllim duket se tingujt e
poezive bashkohen me tingujt qiellorë dhe vallëzojnë hareshëm
jashtë ndikimit të ambientit, qofshin ato zëra, zhurma makinash,
industri, teknologji, etj. Në këtë libër vargu, poezitë, janë si
tingujt e natyrës, ngushëllues që na ndihmojnë të jemi në gjendje
të pushojmë dhe të gëzojmë në një mjedis më të përshtatshëm, më
artistik, më relaksues, paçka se realiteti jetësor është disi ndryshe.
Kjo është magjia e vargut, që sposton dhimbjen dhe të fton
në një botë tjetër, në një botë meditive, ku dëshira e poetes është
që njeriu të gjejë lumturinë. Në këtë libër befasi është tematika
e ngjeshur, larmishmëria e saj, shtrirja gjeografike, ndjesia e
dashurisë për familjen, fisin, shoqërinë, tendenca për të afruar
gjithçka me atdheun, koherenca e personazheve, sinqeriteti
intelektual, thjeshtësia jetësore, mendimi dhe meditimi racional
në emër të ngadhnjimit mbi vështirësitë. Në shumë poezi, ku ka
dhe kritikë brenda, autorja nuk tenton që t’i mëshojë gabimit, ta
dënojë atë, por ta bëj prezent dhe të gjejë rrugën e përmirësimit.
Si vetë emri që ka mbi vete, poetja ka një shpirt human dhe e
përcjell humanizmin plot virtyt në varg, pasi e ndjen si përgjegjësi
rolin e këtij emri në shoqëri. Me pak fjalë, me nënteks, humanizmi
vjen tek pena e saj në mënyrë lineare, duke e ditur se nuk është e
vetmja që sfilon me këtë emërtim, por bëhet pjesë e një plejade
të tërë filozofësh, shkrimtarësh, sociologësh apo poetësh që,
dashuria për njeriun, të marrë vlerat reale në këtë botë të mbushur
me padrejtësi, luftëra, drogë, prostitucion, etj…
Sa bukur vjen vargu poetik për poezitë e viteve të vegjëlisë,
për brengat e jetës, hallet, shqetësimet, për nënën, babanë, vajzën,
emigrimin, atdheun, miqtë, dëshirat, befasitë e jetës, lodrat,
ankthet, ëndrrat në sirtar, të cilat janë qëndisur me pjalmin e
zemrës dhe me një sinqeritet fëminor ku sheh vetëm përgjegjësi
dhe reflektim. Poezia e këtij libri është autentike, specifike
individuale, mushti i së cilës mishëron një hapësirë lëndore që t‘i
mundësojë lexuesit identifikimin e mesazhit dhe të perceptimit të
vargut, larg ndikimit të vet autores.
Autorja harkëzon dhe përballon vlerat mes brezave duke
bërë diferencat brenda një brezi dhe më tej, me të gjitha vlerat e
kundërvlerat e veta dhe sjell një ndërthurje, ku mund dhe duhet të
jetohet me ndryshime në çdo aspekt të jetës, si në familje, shoqëri,
tradita, pavarësisht diferencave të vlerave. Një ndër poezitë që
dua të përcjell tek lexuesi për harmominë e fjalës, dashurinë e
sinqertë, madhështinë e idesë është:
Nënë e dashur…!
Kur të lexosh këtë letër, do të jem larg,
Hapësirës nëpër botë, në fluturim,
Të lash librat e mia, jam aty në varg,
Kur t’i lexosh, do ndjesh timin përqafim.
Kjo poezi fisnike duket si një lloj balade e komunikimit të bijës
me nënën. Poezi që nxjerr në pah, lotin e mërgimtares, kujtime
e përkushtime të ndryshme që shprehin mallin e saj për nënën,
dhe çka lënë pas. Por, njëkohësisht, me një metaforë të fuqishte
autorja, mallin e nënës do që ta shuaj me librat e saj. Për nënën
dhe të bijën libri është drita, komunikimi, besimi, siguria, ura
lidhëse mes të dyjave. Nëna e ka edukuar me dashurinë e madhe
për librin, si të vetmin mik besnik dhe vajza e di dhe e kupton që
ngushëllimi, për nënën në këtë rast do jenë vetëm librat e saj. Po
më këtë ndjenjë autorja i këndon dhe dashurisë.
Për të dashuria është një kocept i gjerë, një emërtim fisnik,
që duket si ajo lloj ndjenje që kemi lexuar nëpër përralla dhe
mendojmë se do zgjasë përjetë, do jetë vetëm e bukur, e ndritshme,
vezuelluese dhe pa anën tjetër të medaljes. Por e vërteta është se
dashuria është një oqean me lule shumëngjyrëshe por edhe një
mal me brenga. Një poezi e bukur është dhe për Ditën e Poezisë.
Shpeshherë poetët e neglizhojnë këtë ditë në krijimet e tyre, por
autorja duke e bërë pjesë të jetës poezinë, kurrsesi nuk mund ta
anashkalonte këtë ditëlindje që ajo e sjell me notat më të bukura
të zemrës…
Atdheu
Dashuri e parrëfyer më je Atdhe,
Ndër vise, në gjith’ dheun mbarë!
Metropoleve, parzmore ti më veshe,
Askund s’më ngroh ky diell i marrë!
Poetja e pajisur me dhunti shpirtërore, e pasur në mendime, e
vlerëson si një të mirë të paçmueshme Atdheun, ku historia dhe
lavdia është gjëja më e vyer për të. Shqipëria ky vend i vogël
mesdhetar, ka natyrë të virgjër, ku misteret kulturore kombinohen
me malet, fushat e mbuluara nga lulëkuqet në pranverë. Peizazhi
i Shqipërisë është gjithnjë në ndryshim me stinët, tingujt e natyrës
janë shumë ngushëllues dhe frymëzues. Për poeten atdheu është
nëna fisnike, babai kreshnik, familja solide, madhështia e kombit
me tragjedi nga më befasueset në botë.
Libri i ri i Lulëzime Malajt ka një tendencë afirmimi unik,
ku metafora e poezisë përshkohet nga ndjenja me nota specifike
lirike. Kjo metaforë është pjesë përbërëse e realitetit shqiptar që
duhet të sfidohet me sakrifica të mëdha, si sublimim i ndjenjave
përjetuese, që lë gjurmët e një krijimi artistik. Poezia e saj është
lakonike, e vërtetë, si një materie në lëvizje e cila pasqyrohet me
zhvillimet e ndodhive duke u materializuar si një kurorë lulesh
shumëngjyrëshe që përcjellin të gjitha stinët e vitit.