15.5 C
Tiranë
E premte, 13 Mars 2026

Lan Qyqalla

Tregim….
Vjeshtë e mall në Prishtinë
Në “Vendum” në Prishtinë vjeshta kishte shkelur para kohe. Një restoran i qetë, i futur ne skajin e rrugicës, jo shumë larg nga zhurma e përditshme e sheshit “Skënderbe”, ishin ulur një çift e bisedonin të hareshëm, të këndshëm e plot dashuri. Floriani ishte i vetëm sot. Ishte data e përvjetorit të njohjes me Nerënxën. Këta përherë vinin bashkë në këtë vend, uleshin në këndin e djathtë andej nga dritarja, ndiznin qiriun në tavolinë dhe ishin edhe këta plot shend e verë.
Floriani hoqi çantën e vogël, që e barte me vete, u ul në vendin e vet të përhershëm dhe nxori telefonin për të lexuar nga lajmet e fundit. Çifti ulur në tavolinën përball bisedonin lirshëm e me zë paksa të lartë, por që nuk e pengonin askend. Vajza e përcillte me tërë qenin burrin që i fliste pandërpre. Sytë i shkëlqenin vajzës, i përpinte tingujtë e fjalëve të shprehur nga goja e burrit. Floriani u mallëngjye kur pa çiftin e hareshëm. Banakieri priste në këmbë te banaku. Muzika e lehtë qytetare ia shtonin mallin edhe më shumë. Dy vajza që ishin ulur bashkë dhe mbaruan pijet, paguan e dolën. Jashtë filluan të bien disa pikla shiu me imtësi. Kaluan pesëmdhjetë minutë që Floriani rrinte ulur pa i shërbyer askush. Nisi, nga malli i zhuritur, të bëhej nevrik për këto sjellje të banakierit. Hedh shikimin kah banakieri, por sytë i ndalen në tavolinën e çiftit përballë. Vajza qeshej me zë. Burri fliste me shumë dashuri. Edhe shiu e shpejtoi ritmin e rënies. Floriani ishte tretur në botën e vet…… – Nerënxa kishte ardhur të studionte në kryeqytet. Ishte ditë e premte, por jo “E premtja” e Brunilldes. U njohën shumë shpejt. U dashuruan që takimin e parë. Nuk e pyetën asgjë njëri-tjetrin, as për dashuritë e Florianit, as për vendin se nga vjen. Atëbotë ishte vjeshtë në njohjen e tyre. Shi nuk kishte rënë, por një ftohtë e mbante më vete nata e vjeshtës, nga vapa e verës që kishin ikur. Nerënxa e bukur, shtatlartë, ballin e gjerë, buzët e ëmbla e sytë e hapur ia shquanin zgjuarësinë e vajzës. Atë mbrëmje Floriani e shikonte me ëmbëlsi Nerënxën dhe sytë e saj që shkëlqenin sikur te vajzës së sotme këtu ne “Vendum”.
Ç’bukuri kishte ardhur në atë vjeshtë në Prishtinë. Fati e deshi që të njiheshin, të afroheshin e të dashuroheshin. Nuk kishin kufij ndalese, e as pengese. Prishtina ishte e tyre. Në këtë restoran vinin në mbrëmje zakonisht. Bisedat nuk kishin mbarim. Ishin në takime natën edhe ditën. Shetit në Gërmi, në Prizren, në liqenin e Batllavës me anije, sikur i ngjallnin kujtimet Florianit në këto çaste.
Biseda e çiftit e mallëngjeu . Shikimi i vajzës në sytë e burrit, e ngazëlleu Florianin. E shikoi edhe njëherë banakierin. Matanë tavolinës burri u qesh me të madhe kësaj here. Vajza ia mori duart në pëllëmbën e saj dhe ia përkdhelte lehtas. Edhe shikimi i vajzës ende rrezatonte hirësi e respekt për burrin.
– Banakier , ju lutem, a do ta merrni porosinë nga unë- foli me zë Floriani
– Më falni, unë prisja që të vij edhe ajo vajza ( e theksoi si arsyetim), me të cilën ju vini përherë. Nuk ju kam parë asnjëherë të vini i vetëm….- arsyetohej banakieri
– Eh, – ofshani Floriani dhe e shikoi në sy banakierin. Keni të drejtë, por … si po e shihni sot , jam …..këtu iu lidh fjala në fyt. A, thua me kend është ulur Nerënxa sot, në një restoran tjetër dhe e vështron djalin që e ka ulur pranë vetes, mu si kjo femra me këtë burrin që janë ulur vizavi tij….
– Më sjellni një espresso…
– Po, si përherë- ia plotësoi banakieri.
Floriani e rrufiste me të shpejt kaffen. Edhe banakieri e priste ardhjen e Nerënxës… Shiu e rëndoi flokun dhe sytë e Florianit. Sot, edhe shiu kishte mall, si atë mbrëmje poetike në Prishtinë…..
17 shtator 2021, e premte
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.