QË TË MOS VDESË QYTETI…
U naltsuem me ëmnin tand
në çdo pritë që ramë
E Ty të patëm
shpatë e nderë !
Nuk vdiqëm…
edhe pse trupin tand e shqyen luanët!
Nuk u shuem…
edhe pse prej trupit tand u ngopën ujqrit!
…po vdesim tash
kur po t’çakërdisin hienat
o dheu im i dashtun!!!
Por.. çfar me bà unë…???
përveçse të ulem në një qoshe
e të vdes urie,
pa e shqye një kafshatë
në trupin tand…
e në shkimjen e syve të mi
të ngjizet harta jote e zezë
tërsisht
e pameritueme!
Nuk ka ‘Funeral’ që përcjellë vdekjen tande,
se mbytet në lotët e mi
që derdhen
si Lumi Kir
Drini
Buna
e përmbytja e gjithësishme!
Vërtetë,
që Ne kemi lindun për të vdekur
por…pēr të vdekur
që Ti të jetosh!
AMEN!
MBRAMJA E MBRAMSHME
Në qytetin tim
ka qindra ‘kolibe idealizmash!’
e dje u shqye një prej tyre!!!
Sa u idhnuen ‘profetët’ e gënjeshtërt!?
Ithtarët qanë
si kurrë më parë,
se dosjet e krimit
nuk kishin fotokopje!!!
Sipas tyre
Qytetaria u fundos
ndaj postuan shkrime elegjiake
të përlotuna e përqyrruna!.
E për këtë
mbramë i pinë kafet pa sheqer!!!
Kundesharët duartrokitën
ngaqë kolibet e tyre
qendronin përsëri në këmbë…
e për këtë
e shoqeruan kafen
me dopio
si asnjëherë tjetër!
Laikët
gjakftohtë
vazhduan në ritin e vetëdijes
kafe
ujë
cigare të dredhuna
nga duhani i zgjedhun
e fjalë të situna
pràjshëm
pa nerva
nga magjet e dlira!
Historianët
vendosen mbi tavolina
forografi
shkrime
urdhëresa
pamje nga masakrimet
arrestimet
burgosjet
kryqet e gjysmëhanat e thyera
Prifterinjtë
Hoxhallarët
e lidhun
e parullat e viteve 67 e 97′!
E në fund thanë:
” Ky qytet nuk vdiq atëherë, e jo të vdesë tash!!!