“Ferri” i politikanëve të ferrit
Sipas Makiavelit, ai që arrin t‘i fusë frikën popullit, të paktën, për një kohë të gjatë, nuk ka arsye të ketë frikë nga populli.
Shteti i së padrejtës, që t’u fuste frikën njerëzve, krioi “ferrin”. Ua tregoi atyre atë dhe i vuri në gjumë.
Ferri i Dante Aligierit (1265-1321) ishte më i tmerrshëm se “ferri” i vërtetë. Njerëzit i trembeshin më shumë “ferrit” të tij se atij të Zotit.
Në ndërtimin e “ferrit” politk marrin pjesë jo vetëm politikanët. Akademikë, shkrimtarë, gazetarë, artistë, shkencëtarë, media e shkruar dhe ajo elektronike dhe…kush e di sa të tjerë, bashkëpunojnë me politikanët në ndërtimin e tij. Ca vullnetarisht dhe ca të tjerë të detyrar. Dhe pasi politika e ka përfunduar së ndërtuari “ferrin”, ia vë emrin “siguri”. E mendon, siguria kombëtare.
Një kritik i kishës katolike, në shek. E 14-të, thoshte: “Nëse fretërit nuk do të flasin për ferrin, do të vdesin nga uria.”
Hebrejtë, gjithnjë kanë qenë të padëshirueshëm, për krishtërimin dhe politikën evropiane. Kjo ka bërë që, herë pas here, të ndërtohet “ferri” hebre.
Në vitin 1173, një murg anglez shkroi një libër mbi një djalë të zhdukur. Sipas tij, hebrenjtë e kishin therur djalin për ta bërë kurban të perëndisë, për mbarsitë e tyre. Libri u shpërnda në të gjithë Evropën dhe “ferri” hebre u ndërtua. Filloi ndjekja dhe persekutimi i tyre.
Diku nga fillimi i vitit 1300, në Evropë u shfaq kolera e zezë. Mendohet të kenë vdekur rreth 25 milion njerëz. Sipas kronistëve, vdiqën aq shumë, sa të gjallët nuk mjaftonin për të varrosur të vdekurit. Politika antihebre, e shfrytëzoi këtë rast për të përforcuar “ferrin” hebre.
Mbreti francez, Filipi V (1293-1322), përhapi fjalën se sëmundja kishte ardhur si pasojë e helmimit të burimeve me virusin e sëmundjes vdekjeprurëse, nga hebrenjtë. Kaq mjaftoi. Hebrenjtë u shpallën ferri, armiku i të gjithëve dhe, gjithë të tjerët, duhej të ngriheshin kundër armikut të tyre të përbashkët.
Në vitin 1630, Filipi IV (1605-1665), përhapi zërat se në Madrid, objekte të caktuara po përhapin virusin e murtajës të ardhur nga Milano. Sipas informacionit, virusi ishte fshehur në një lloj paste dhe përhapja e tij bëhej duke lyer objekte të ndryshme me të. Njohuritë biokimike në atë kohë, ishin aq të pakta, sa gjithkush mund të spekullonte me një ide të tillë. Mbreti e ndjente orën e fillimit të torturës dhe për këtë, atij i duhej një sebep për të krijuar “ferrin”.
Me 21 janar, një vejushë, nga drtarja e shtëpisë së saj, pa një njeri me emrin Guglielmo Piazza, i cili doli nga rruga kryesore në atë dytësore, para banesës së saj. Ai ecte i ngjeshur pas murit, gjë që vejushës i ngjalli dyshim. Të njejtën gjë kishte vërejtur dhe një grua tjetër. Rreziku i virusit i kishte bërë njerëzit e qytetit vigjilentë.
Gruaja e denoncoi personin e dyshimtë. Ajo thoshte se, Piazza, kishte lyer muret me diçka të dyshimtë. Gruaja e dytë, thoshte se, ai ka pikturuar në mure dhe, i kishin pëlqyer pikturat e tij. Lajmi u përhap shpejt gojë më gojë dhe njerëzve u hyri paniku, aq më shumë kur u vërtetuan gjurmët e sendit të dyshimtë në mure. Piazza u arrestua menjëherë, por nuk pranonte asgjë nga ato që mendonin hetuesit. Tortura mbi Piazza-n filloi, megjithatë, ai kishte shumë pak për të thënë dhe këtë përsëriste vazhdimisht: “Unë nuk e di se përse e keni fjalën. Po ta dija, do ta thosha. Doni të më vrisni, më vrisni!”
Në aktet e hetimit të tij, diku thuhej se, Piazza, nuk kishte më as gjymtyrë dhe as kocka.
Dikur, Piazza pranoi se i kishte lyer muret me virusin e mortajës. Nuk kishte rrugë tjetër. U ndërtua “ferri”, ai quhej Piazza.
Me këtë thenje të tij, do të fillonte tortura e madhe popullore. Gjithkush që torturohej, ishte i detyruar të fajësonte disa të tjerë dhe kështu tortura u përhap më shumë dhe më shpejt sesa mund të përhapej virusi i murtajës. Askush nuk e mësoi kurrë se nga e mori mbreti Filip informacionin se tre burra milanezë, kishin futur në Madrid virusin vdekjeprurës të murtajës së zezë. Analistët mendojnë se e gjithë kjo ishte vetëm sebep që, nëpërmjet torturës t’i kallnin frikën popullit.
Terrori prodhon frikë dhe frika i bashkon njerëzit. Ky bashkim i ka të dyja anët e medaljes: mundet që përkohësisht (ndoshta edhe për një kohë të gjatë), të kthehet në faktor pozitiv për jetëgjatësinë e diktatorit, por edhe në furtunë kundër tij.
Në vitet ‘70, organizata terroriste, RAF (Rote Armee Fraktion) në Gjermani, vrau 34 vetë të pafajshëm, burra, gra, fëmijë. Vetëm për terror. Brigadat e Kuqe në Itali, në vitet 70, vranë 400 vetë. ETA në Spanjë, në dhjetëvjeçarët e fundit, vrau 800 vetë. Organizata IRA, në Irlandën e Verit vrau 1000 vetë. Në vitin 2001, terroristët islamë, me atentatin në Kullat Binjake në Washington dhe New York, vranë 3500 vetë. Të gjitha këto, pavarësisht nga vendi, mjetet dhe mënyra, kanë vetëm një qëllim: Terror për frikë. Frikë të brendshme dhe frikë të jashtme.
Frika është pedali i luftës. Frika prodhon ligje të frikshme.
Në vitin 2007, kur u përhap virusi i pulave, ministri i brendshëm Italian njoftoi organet e sigurisë së shtetit, por dhe Evropën se, diku në Gjermani, terroristët islamë kishin ndërtuar një laborator, ku prodhohej virusi dhe se ky ishte rrezik aktual për njerëzimin. Makina e fshehtë evropiane i ndezi motorët, për të zbuluar dhe kapur terroristët biokimikë islamë. Në aeroportin e Mynihut u arrestuan dy veta, të dyshuar si prodhues të armës së rrezikshme. Një biokimist gjerman, i transvertuar në islam dhe një arab, i menduar anëtar i një organizate terroriste xhihadase. Laboratori nuk u gjet kurrë dhe personat u lanë të lirë. Përse e bëri ministri italian një gjë të tillë!? Nuk u tha kurrë.
Askush nuk ka për ta mësuar kurrë se kush ishin ato zbulimet e huaja “dashamirëse”, nga vendet mike, të cilat e informuan Sali Berishën, ish kryeministër i Shqipërisë se, më datën 21 janar 20011 se, opozita kishte organizuar grusht shteti kundër qeverisë që ai drejtonte.
Me këtë alibi, atë ditë, u vranë katër demonstrues, i vetmi faj i të cilëve ishte se u ndodhën në bulevard.
Në politikë, ajo që flitet, por nuk tregohet, nuk ekziston. Atij i duhej terror për të trembur popullin dhe armiqtë e vet, si opozitën, presidentin e republikës, organet kushtetuese.
Kjo është ajo që e lidh të sotmen tonë me despotizmin e Mesjetës. Sot ploitika mundohet ta ndërtojë “ferrin” me terrorin islam, me krizat financiare, me rritjen e kriminalitetit, me pandemi, me konflikte dhe luftëra lokale etj.
Gjatë „Luftës së Ftohtë“, për perëndimorët, ferri i botës, ishte Blloku i Lindjes. Për lindorët, ferri i botës, ishin imperialistët perëndimorë. Ra perdja e hekurt, u shemb Muri i Berlinit. Asgjë nuk ndryshoi. Në vend të tij u ndërtua muri i padukshëm, ideologjik, po aq i lartë dhe i rrezikshëm.
Sot, për perëndimeorët, ferri i botës, është imperializmi rus, Putini. Për Putinin, ferri i botës janë imperailistët perëndimorë. Lufta vazhdon. Kush është ferri i botës!?
O njerëz të plotpushtetshëm, ndalojeni luftën!
Ndal Putin!
Lufta nuk është zgjidhje, është politikë me gjakderdhje. L/Im