Urrejtja – vendimmarrje personale.
Nga libri im “Dhuna”
Urrejtja është një emocion njerëzor që shfaqet në formën më të ashpër të antipatisë. Si ndjenjë e “egër”, shafqet në formën e injorimit, përbuzjes, neverisë dhe armiqësisë. Motivet e urrejtjes janë të pavetëdishme, por, mund të jenë edhe të vetëdishme. E kundërta e urrjetjes, me po aq fuqi vepruese, mendohet dashuria.
Urrejtja nuk lind dhe për më tepër, nuk zhvillohet, tek hiçi dhe nga hiçi. Në rradhë të parë, ajo lind dhe zhvillohet aty ku hakmarrja për dhimbjet e shaktuara nuk është kryer. Urrejtja është një formë “dueli” midis arsyes dhe ndjenjave. Shpesh ndodhë që ndjenjat “rebelojnë” dhe nuk i binden arsyes. Veçanërisht kjo kur ndjenjat janë dhunuar rëndë. Nëse është zhvilluar i gjithë “cikli”, zemërim, tërbim, inat-urrejtje, arsyeja e ka të vështirë fitoren.
Në kuptimin filozofik, sipas Kirchner dhe Michaels, urrejtja është antipatia e thellë ndaj asaj që na ka shkaktuar pakënaqësi. Urrejtja, si e kundërta e dashurisë, nuk mjaftohet vetëm me neverinë ndaj keqbërësit të mundshëm por, domosdoshmërisht me dëmtimin e tij dhe, sa më shumë.
Fromm dallon dy lloje urrejtje: -Urrejtjen reaktive dhe urrejtjen si element përbërës i karakterit.
Urrejtja reaktive është gjithmonë pasojë e një dhunimi ose e një situate dhimbjeprurëse, e momentit. Fromm thotë se, me urrejtje reaktive unë kuptoj një reaksion emocional që shkaktohet si pasojë e një sulmi real, mbi jetën dhe sigurinë time, të idealeve të mia ose, ndaj personave të tjerë, të cilët unë i dua apo jam identifikuar.
Urrejtja, si element përbërës i karakterit, shfaqet në të njëjtën mënyrë dhe formë si ajo reaktive por, ndryshimi është se në këtë rast, mendohet si natyrë e karakterit të njeriut, si qenie brënda tij. Urrejtja, si burim i karakerit të njeriut, vjen nga ndjenja e antipatisë, që gjendet brënda njeriut, për dikë, disa apo diçka. Në rastin e urrejtjes reaktive, reaksioni i urrejtejes shkaktohet nga situata konkrete, në vendin dhe kohën e caktuar ndërsa, në rastin e urrejtjes, si element përbëres i karakterit, armiqësia ndaj të tjerëve nuk varet nga situata. Eshtë në natyrën e njriut që vuan nga çrregullime të forta të personalitetit. Njeriu, me natyrën e karakterit dashalig, është i predispozuar për urrejtje, pavarësisht nga intensiteti i ngacmimeve të jashtme. Në mënyrë metaforike ai krahasohet me një vullkan që e mban zjarrin brënda deri në shpërthim por, që nuk dihet as se kur shpërthen dhe as sa herë shpërthen. Eshtë thjeshtë moment i vendmmarrjes së tij individuale.
Fromm, aktivizimin e urrejtjes si element i karakterit, në popull, e mendon si mjetin më të rëndësishëm për mobilizim për luftë.
Urrejtja mund të shfaqet si ndjenjë dhe afekt dhe si e tillë ajo mund të jet e kufizuar dhe e pakufizuar.
Urrejtja e kufizuar ( matur) është relative dhe e kontrolluar. Ajo është pjesë e përditshme e jetës tonë dhe lidhet me zemërimin, xhindosjen, inatin, premisa këto të urrejtjes. Njeriu i civilizuar, zakonisht, mbetet tek urrejtja e matur të cilën ai e mban vazhdimisht nën kontroll. Ai e ka të vështirë që të urrejë të tjerët dhe botën rreth vetes pa arsye të forta. Ai, megjithëse është i bindur se rreth vetes ka shumë “armiq”, prap nuk ka frikë nga prania e tyre. Urrejtjen jashtë kufirit ai e mendon të dëmshme. Do të ndeshej me inteligjencën dhe civilizimin e tij, gjë kjo që ai nuk ja lejon vetvetes. Ai krahason armikun me mikun dhe mendon se, në thelb, të dy janë njerëz.
Urrejtjen e civilizuar ne e ndeshim përditë, të kombinuar me ndjenjat e tjera dhe efektet e shkaktuara nga antipatia.
Antipatinë ne shpesh e ngatërrojmë me urrejtjen. Antipatia është premis që të çon në urrejtje por, nuk është vetë urrejtja. Veset e këqija të tjerëve, të cilat nuk na dëmtojnë ne dhe as nuk na prekin direkt, janë shkak për antipati ndaj tyre por, jo burim urrejtjeje.
Njerëzit që vuajnë nga urrejtja si element përbërës i karakterit, kur shpërthejnë në urrejtje, nuk dinë të ndalen. Ata jo vetëm që janë gati të sulmojnë me të gjitha armët e mundshme objektin e tyre të urrejtjes por, pajtohen edhe me mundësinë e flijimit të vetvetes në luftë me armikun e tyre. Urrejtja e pakufizuar, tek individi, grupi, religjionet dhe nacionet, ka arsyet e veta të ekzistencës dhe zhvillimit.
Niveli i ulët i civilizimit mendohet si njëri ndër arsyet kryesore të urrejtjes pa kufi. Sipas H. Mann, përparimi i njeriut akoma nuk ka arritur deri tek mirëkuptimi me njerëzit.
Dushan Radoviç, shkon akoma më tej kur thotë se: -“Nëse ekzistojnë civilizime të zhvilluara në planetet e tjera, këtë tonin, me siguri, ata do ta mendojnë ferr”.
E kundërta e civilizimit është barbaria. Filli ndarës midis tyre është shumë më i hollë nga sa mund të mendohet. Ribarbarizimi i njeriut është i njohur dhe i mundshëm, në çdo vend dhe kohë. Është pabesia e hijes së prejardhjes e cila nuk heq dorë nga dhuna për tu rikthyer tek origjina, të paktën për zhvillimin e ndjenjës së urrjetjes deri në masën e kafshërisë, deri aq sa njeriu të vërtetojë vetë se është një bishë. Mjafton një propagandë e fuqishme, e dikujt ndaj disave, dhe fanatikët dremitës zgjohen menjiherë.
Urrejtja absolute, nga armë kundër objektit të urrejtjes, në të shumtën e rasteve, kthehet në armë vetëvrasëse për urryesin. Ndjenja e urrejtjes është njëra ndër ndjenjat e “egra” me fuqi shkatërruese të pallogaritshme për urryesin. Njerëzit që vuajnë nga urrejtja absolute, pavarësisht nga kultura, shkollimi dhe civilizimi që kanë, ata ndodhen në pragun e ribarbarizimit, të kafshërimit. Urrejtja absolute ndaj të tjerëve, është vetëvrasje me porosi.
Urrejtja në përgjithësi dhe ajo absolute në veçanti, lidhet ngusht me fanatizmin dhe fondamentalizmin.
Megjithëse fanatizëm nuk do të thotë direkt edhe urrejtje, ato gjithnjë qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. Fanatiku është tipi social i urrejtjes, thotë filozofi gjerman, G. Hole.
Fanatik mendohet ai njeri i cili, gjatë gjithë jetës së tij, qëndron tek e njëjta ide e tij, të cilën ai e mendon më të mirën, më idealen. Mbrojtja dhe përhapja e idesë së tij, për atë, është më e rëndësishme se sa vetë jeta e tij. Ata që guxojnë të jenë skeptikë, indiferentë dhe të kundërshtojnë idenë e tij, ai i deklaron të rrezikshëm dhe si të tillë i mendon armiq. Mendimi i fanatikut kufizohet në dy pole: -Me mua ose kundër meje. Ai që nuk është me mua, është kundër meje dhe duhet urryer, luftuar dhe azgjesuar. Fanatiku nuk njeh kompromise. Tavolina e bisedimeve për atë nuk ekziston. Meqënëse i duhen forca dhe solidaritet në luftën kundër armikut të tij, fillon propogandën e urrejtjes. Kjo mushkësi quhet fondamentalizëm.
Fanatizmi, në përgjithësi, është dukuri e natyrës së njeriut injorant por, jo gjithmonë. Nga kjo sëmundje, njeri dhe shoqëri shkatërruese, nuk shpëtojnë as të shkolluarët dhe as ata që ne i mendojmë intelektualë dhe modern. Intelektualët, fanatikë të traditës dhe zakonit të vjetër, moralit, artit, politikës, besimit, patriotizmit, etj, për faktin se përmbajnë në vetvete një potencial të madh urrejtje kundër atyre që nuk janë si ata, mbeten gjithnjë rreziku inteligjent dremitës. Ata, edhe nëse pranojnë atë ndryshe për arsye të fuqisë madhore, nuk pajtohen kurrë me ato dhe me ata që nuk janë si ata. Ata urrejnë dhe urrejtjen e tyre mundohen ta shpërndajnë në çdo pikë ujë të mundshme që të mund ta pinë që tek foshnjet dhe deri tek më të vjetrit. Edhe nëse kjo sjellje mund tu kushtojë vendin e punës, shëndetin , biles edhe jetën.
Njerëzit që urrejnë e vlerësojnë objektin e urrejtjes në mënyrë selektive. Pavarësisht se kush është ai dhe arritjet e tij, ai mbetet gjithmonë një njollë e zezë në psiqikën e tyre. Për çdo rast ata e shikojnë dhe vlerësojnë atë në mënyrë të njëanëshme, vetëm atë negative.
Urryesit njohin vetëm intolerancën ndaj objektit të tyre të urrejtjes.
Ata, në mardhënie me objektin e tyre urryes, nisen nga parimi: -Ju jeni ndryshe dhe ne nuk duam të bëhemi kurrën e kurrës si ju. Ndryshe për ne do të thotë armik ndaj të cilit ne njohim vetëm një qendrim: -Urrejtje dhe luftë, deri në azgjesimin e tij. Që të mos bëhemi si ju, ne jemi gati edhe të vdesim në luftë kundër jush.
Njerëzit që urrejnë, mundohen vazhdimisht që ta poshtërojnë dhe dëmtojnë objektin e tyre të urrejtjes. Shkalla e poshtërimit dhe dëmtimit varet nga intensiteti i urrejtjes dhe pushteti që urryesi ka mbi objektin e urrejtjes.
Urryesi nuk ka më si qëllim të vetëm sundimin e objektit të tij urryes por, kalimin e tij në vuajtje. Ai do të shijojë kënaqësitë e vuajtjeve të tij, deri në sadizëm.
Njerëzit që nuk kanë pushtet ose aspak pushtet mbi ata që i urrejnë, kalojnë në fantazinë e urrejtjes ndaj tyre duke ju shpallur luftë me mend. Në fakt ata hyjnë në luftë me vetveten, një luftë kjo që, sa më e ashpër zhvillohet dhe sa më shumë që zgjatë, aq më e dëmshme dhe shkatërruese është për vetë personin. Ata shndërrohen në donkishotistë. Madje mundohen, që edhe gjithë familjen dhe fisin t’i bëjnë për vete, në luftën e tyre donkishotiste. Kjo është, ”vetëvrasje me porosi”.