Bari është blu…
Gomari i tha tigrit: “Bari është ngjyrë blu. Dhe pikë”.
Tigri, shumë i çuditur, u përgjigj: “Ti gënjen. Bari është jeshil. Dhe mbylle tani”!
U grindën aq keq sa ishin gati të përgjakeshin. Në fund, të dy ranë dakort që të shkonin tek gjyqtari, tek mbreti i xhunglës, Luani.
Gomari, sapo e pa Luanin të ulur në fronin e gjyqtarit, bërtiti me të madhe: “Shkëlqesia e juaj, a nuk është e vërtetë që bari është blu”!?
Luani, pa e ditur përse kishin ardhur dhe, si ishte puna, u përgjigj: “Shumë e vërtetë. Bari është blu”.
Gomari sa nuk u çmend nga gëzimi kur dëgjoi përgjigjen e luanit dhe vazhdoi me zë të lartë: “Mbushja mendjen këti tigrit budalla i cili thotë se bari është jeshil. Dhe jepi një denim të fortë!”
Luani e deklaroi menjiherë vendimin: “Tigrit ia heq për katër vjet të drejtën e fjalës”.
Gomari, kur dëgjoi vendimin e luanit, u gëzua aq shumë, sa ia mori me vrap pyllit, duke bërtitur në kupë të qiellit: “Fitova! Bari është blu! Bari është blu!…
Tigri, megjithëse e pranoi dënimin e rëndë, për katër vjet gojëmbyllur para gomarit, e pyeti luanin: “Shkëlqesi, cfarë do të thotë ky denim kaq i rëndë? Bari, megjithatë, është jeshil”.
Luani u përgjigj: “Ke shumë të drejt! Me të vërtetë bari është jeshil”.
“Atëherë, si guxove të më denosh”? i tha tigri.
“Denimi që të dhash, nuk ka të bëjë fare me ngjyrën e barit, Ka të bëjë me qendrimin tënd ndaj gomarit. Ti, banori më i zgjuar i pyllit, grindesh me kafshën më budallaqe të pyllit, për ngjyrën e barit, kur çdo kafshë e di se bari është jeshil. Prandaj të denova.”
Kështu përfundon kur debaton me atë që thotë: „Bari është blu“. Përktheu Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist