Përse dështojnë ideologjitë?
Problemi i ideologjive nuk është vetëm mungesa e ideve bashkëkohore por, edhe fakti se janë në kundërshtim me këndvështrimin, interesat dhe vullnetet e njerëzve. Në princip janë në kundërshtim me programimin natyror të njeriut. Psh. socialistët janë për barazi sociale, pa të pasur dhe të varfër, pa shfrytëzuesë dhe të shfrytëzuar. Akoma më ekstrem janë komunistët, me idenë e tyre, kundër interesit personal. Në kapitalizëm, mendohet se njerëzit, janë shumë më të interesuar për lirinë e pakufizuar se shfrytëzimin e tyre, për shanse të barabarta, edhe kur munëdsitë janë të vdekura. Ekologët mendojnë se, njerëzit, duhet të interesohen shumë më tepër për klimën globale se për atë brënda mureve të tyre. Por njerëzit nuk janë kështu dhe, nuk mendojnë kështu. Disa edhe po, por ata janë shumë pak në krahasim me ata që mendojnë krejt ndryshe. Njerëzit kanë dëshira dhe pasione të ndryshme. Disa endërrojnë të bëhen të pasur, të tjerë të lavdishëm. Dikush dëshiron të sundojë të tjerët, mundësisht të gjithë botën, ndërkohë që dikush tjetër, është i lindur sherbëtor. Dikush i përkushtohet politikës ndërkohë që tjetri merret gjithë kohën me topin e futbollit. Dikush e fillon dhe mbaron ditën në punë dhe me punë, ndërkohë që të tjerë e kalojnë gjithë kohën në kafene, duke përfolur dhe paragjykuar të tjerët. Kështu jemi ne njerëzit, me dëshira pafundësisht të shumta dhe të ndryshme nga njëri-tjetri. Ky është programimi natyror i njeriut, me dhuneti, dëshira, pasione dhe vullnete të ndryshme. Por, edhe ka mësuar kështu. As që mund të bëhet fjalë, që njerëzit, të pajtohen masivisht, me idetë e politikanëve dhe aktivistëve. Evolucioni e ka edukuar njeriun në mënyrë të atillë, sa asgjë, nuk dëshiron të bëjë, pa shpërblim dhe lavdërim. Ne, njerëzit, jemi të gatshëm të viktimizohemi për pasardhësit tonë, për faktin se ata janë trashëgimia e jonë gjenetike. Një gjë e tillë është gjenetike, nuk mund të ndryshohet tek njeriu. Në asnjë mënyrë dhe me asnjë mjet. Ne angazhohemi në problemet sociale, pasi kemi nevojë, për shpërblim dhe vlerësim social. Truri ynë, vazhdimisht shtron pyetjen: „Çfarë fitoj unë, nëse e bëj apo nuk e bëj diçka që më kërkohet?“ Dhe nëse përgjigjeja është „asgjë“, njeriu nuk vepron. Vetëm nëse e detyron dikush, mund t’a bëjë ose jo, atë që i kërkohet. Ideologët, për të arritur qëllimin e tyre, legjitimojnë principin: “Qëllimi shenjtëron mjetin”. Nisur nga ky princip, çdo regjim ndërton organet dhe mjetet e dhunës. E legjitimojnë detyrimin, dhunën, për të vepruar mbi të „pabindurit“ e regjimit. Një veprim dhe organizim të tillë, ata e mendojnë „të mirën e përbashkët“. Në thelb kjo do të thotë, tjetërsimi i njeriut, nga qenie e lirë, në një mekanizëm të ideologjizuar, në një robot, jashtë programimit natyror. Kjo nuk bëhet. Të gjitha ideologjitë këtu dështojnë. Çdo gjë e fituar dhe arritur me dhunë mbrohet vetëm me dhunë. Dhe dhuna dikur „lodhet“, e humbë pushtetin mbi viktimat. Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist