Mendimi dhe realiteti
(Bisedë me një zonjë)
Zonja është 45 vjeç, shumë e bukur dhe moderne nga pamja e jashtme, me profesion mësuese.
Zumë vend në një tavolinë, në restorantin buzë lumit dhe filluam bisedën.
– E ndjej veten në një farë mënyre fatkeqe, e dështuar. Nuk e arrij kurrë atë që dua ta arrijë.
– Ju nuk e arrini atë që dëshironi t’a arrini? Ndoshta këtë po mendoni.
– Po, ja, si t’ju them…Nganjëherë edhe e arrij diçka, por… në të shumtën e rasteve, jo.
– Ju nuk dukeni e varfër, as e vuajtur. Dukeni sikur keni arritur shumë në jetë, apo?
– Jo, ç’ësht ajo fjalë. Mua nuk më mungon asgjë.
– Atherë përse mendoni se jeni e dështuar? Përse duhet t’ju shkojë gjithçka mbarë, ndryshe nga gjithë të tjerët? Çfarë përfitoni, vetëm nga mendimi, se ju, nuk i arrini ato që dëshironi? Ky mendim, ju sjell kënaqësi apo ju lodhë?
– Më lodh. Po më shkatërron.
– “Sëmundja” e juaj, është punë të menduari. Si do ta ndjeje veten nëse do ta braktisje këtë mendim? E imagjinon dot?
– Ndoshta gjithçka do të ishte ndryshe, më mirë. Do të kënaqesha me ato që kam. Do të jetoja në paqe, me veten time dhe me botën. Mundohem ta bëj këtë gjë por, jam larg.
– Në rastin tuaj, cili mund të ishte mendimi ndryshe?
– Të gjitha ato që dëshirohen, nuk mund të arrihen kurrë.
– Sakt. Ka dhe një mendim tjetër që, është po aq i sakt: Të gjitha ato që dëshirohen, nuk duhet të arrihen kurrë.
– Si duhet ta kuptoj unë këtë!?
– Keni menduar ndonjëherë për hakmarrje?
– Disa herë në jetë.
– Dhe jeni hakmarrë? Cili ka qënë fati i viktimave tuaja?
– Në disa raste jam vënë në rrugën e hakmarrjes. Kam përgaditur gjithçka. Kam paguar edhe njerëz, për rastet që, nuk i realizoja dot vetë. Por, jo. Jam bërë pishman dhe jam tërhequr. Unë nuk mund t’i bëj të tjerët të vuajnë.
– Si e ndjeni veten tani që nuk jeni hakmarrë?
– Një rast i vetëm do të më bënte, që unë, të mos e ndjeja veten më pjesë e këtij qytetërimi. Ndërgjegjia do të më vriste, do të më ndëshkonte, duke më kthyer tek njeriu i mesjetës.
– Qëndrojmë këtu. Pastaj a mund ta dini, se edhe për të tjerët, do të ishte pa aq mirë sa dhe për ju, realizimi i të gjitha dëshirave tuaja?
– Sigurisht, që jo. Por për burrin tim e di. Në shumë raste, ne kemi dëshira dhe interesa të kundërta. Do ta bëja të ndiehej keq. Do të përjetonim shumë konflikte.
– Të menduarit është njëra ndër punët më të vështira për njeriun. Aty, ku të gjithë mendojnë se, mendimi i tij është më i miri, nuk ka mendim. Ka anarshizëm. Kjo sjell vuajtje dhe jo kënaqësi.
Cili është mendimi i juaj tani, për mënyrën tuaj të të menduarit?
– Tani po mendoj diçka tjetër. Të njoh realitetin, dhe të mendoj ato që mund t’i arrij. Mendimi im, nuk duhet të më tradhtojë mua, por edhe nëse ndodhë, unë nuk duhet t’i shkoj pas.
– Sigurisht që kështu, mendimi i juaj, do të ishte shpërblyes.
– Për shumë gjëra që i kam menduar deri tani, them, sa mirë që nuk janë realizuar.
– Njeriu duhet të mësohet të jetojë, me realitetin dhe, brënda realitetit. Edhe nëse, në shumë raste, nuk pajtohet me atë, duhet ta pranojë. Jeta është si shkalla, për ngjitje dhe për zbritje. Një shkallë që lidh lartësitë me humnerën. Gjithësecili e ka këtë shkallë, dhe gjithësecili mund ta përdorë si të dojë. Nëse ngjitesh, suksese! Nëse zbret, në humnerë, vetë e ke fajin.
Lekë Imeraj-shkrimtar, përkthyes, publicist.