13.5 C
Tiranë
E mërkurë, 19 Mars 2025

Leke Imeraj

Nga libri im “Konflikte”

Në Kinën e lashtë, puset e ujit nuk ishin të rrethuar. Mjaftonte një pakujdesi e vogël dhe bije brenda. Kështu i ndodhi një burri në një festë të madhe familjare. Deshi të pinte ujë, por ra brenda në pus. Nga zhurma e madhe e festuesve, askush nuk i dëgjonte thirrjet e tij për ndihmë. Ai vazhdonte të fundosej gjithnjë e më shumë në ujin e ftohtë të pusit. Dikur, një murg dëgjoi thirrjet e tij dhe iu afrua pusit. Burri kur e pa kokën e murgut, u gëzua shumë dhe i tha:
-Sa me fat jam që më dëgjove ti. Në atë zallamahi të madhe, askush nuk ka veshë dhe sy për tjetrin. Mendova se do të vdes këtu.
-Unë as që kam ndërmend të të shpëtoj,- u përgjigj murgu. Ti, sigurisht që e ke merituar këtë që të ka ndodhur. Ke bërë ndonjë mëkat të madh dhe ky është dënimi i merituar. Pranoje dënimin dhe përgatitu për fundin tënd. Në jetën e përtejme, nuk ke më nevojë të biesh në pus. Me këtë i ke larë të gjitha mëkatet.
-Të lutem, lëri filozofitë tani,, dhe më ndihmo të dal nga pusi… – i tha ai murgut, por lutjet e tij i dëgjoi vetëm pusi, pasi ai ishte larguar me kohë.
I dyti që iu afrua pusit ishte një politikan, taoist. Atë e kishte marrë etja dhe iu afrua pusit që ta shuante. Burri sapo e pa, me zërin që i dridhej nga frika dhe të ftohtit, i thirri për ndihmë.
Taoisti, shumë i qetë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë, iu përgjigj:
-Nuk bëjnë burrat kështu si bën ti! Mbaje veten! Burri duhet ta pranojë fatin e vet, ashtu siç i vjen. Kështu na ka mësuar i madhi Laotse. Kështu duhet të bësh edhe ti. Pranoje dhe shijoje fatin tënd! Ti po qurravitesh si një grua e keqe. Bëhu burrë,- i tha taoisti.
Burri vazhdonte ti lutej:
– Nuk më mbetet qejfi fare, nëse ti më mendon grua. Por në radhë të parë, më shpëto, të lutem! Unë nuk jam trim dhe, pasi të më kesh nxjerrë prej këndej, mund të më thuash çfarë të duash. Më shpëto!
Taoisti as që prekej nga lutjet e burrit që po mbytej, por vazhdonte të filozofonte buzë pusit:
-Ne nuk i fusim hundët në punën e të tjerëve. I besojmë njëshit dhe mendojmë për lirinë e tij. Ti je i lirë të biesh në pus dhe të mbytesh aty. Njeriu mund të zhduket si pordha në brek nga kjo jetë, por mund të vdesë edhe si hero. Zgjidh cilën të duash! Vetëm zgjidh! Merrja këngës dhe nisu për botën tjetër, si hero! Meqenëse të gjithë do të vdesim, ç`kuptim ka që unë të të shpëtoj? Edhe unë do të vdes, të gjithë do të vdesim. Ndoshta që nesër, ndoshta pasnesër. As që kam ndërmend të marr mundimin që të të ndihmoj- dhe iku.
I treti që u duk tek gryka e pusit, ishte një konfucian. Konfucianët ishin të njohur si njerëz praktikë.
Kur e pa konfucianin, burri u gëzua shumë. «Çfarë fati paskam pasur që të vijë dhe të më shpëtojë një shkencëtar konfucian!
-Unë të njoh ty, e kam dëgjuar emrin tënd. Të lutem, bëj diçka për mua! Më nxirr nga pusi! Konfuzi ka thënë: Ndihmoje tjetrin!
Konfuciani iu përgjigj:
– Ti ke plotësisht të drejtë. Me gjithë qejf do të të ndihmoj. Madje, që tani. Do të nisem menjëherë. Do të shkoj qytet në qytet, për të bërë sa më shumë njerëz për vete që të detyrojmë shtetin të rrethojë të gjitha puset në Kinë. Ti je i parëndësishëm, unë jam i parëndësishëm. Njëshi është i pavlerë. Problemi janë të gjithë, e gjithë shoqëria. Rënia jote në pus, na ka sjellë një temë shumë interesante. Për këtë na duhet të luftojmë tani. Mundohu të qetësohesh dhe ta mbash veten! Çfarë kuptimi do të kishte shpëtimi i yt, nëse nuk do të rrethoheshin të gjitha puset, që askush të mos e përjetojë më fatin tënd!? Ka me miliona puse në gjithë vendin. Miliona njerëz mund të bien brenda, kështu si puna jote. Mos i jep shumë rëndësi vetes! Ti duhet ta pranosh fatin tënd ,aq më tepër që do të bëhet rast për të shpëtuar miliona të tjerë. Detyra ime tani, është që unë të detyroj shtetin të rrethojë puset. Dhe lamtumirë!- tha konfuciani, duke u larguar.
Personi i katërt që u duk te gryka e pusit, ishte një prift, i cili mbante një thes në kurriz. Sapo e pa burrin në pus, zgjidhi litarin nga brezi dhe ja hodhi viktimës. Burri në pus u befasua dhe, pa pasur nevojë të thoshte asnjë lutje, e pa veten jashtë pusit.
-Për mua, më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër është religjioni i yt,- i tha ai priftit.
-Natyrisht që kështu është – ju përgjigj prifti. Ne jemi të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme, për të gjitha rastet e fatkeqësive. Për arsye se e di që gjithmonë ka njerëz që bien në pus, e mbaj litarin e lidhur në mes, për t’i shpëtuar ata. Vetëm duke shpëtuar të tjerët, mund të shpëtoj veten time. Por më ka shqetësuar shumë ai mendimi i konfucianit. Nese të gjitha puset do të rrethohen, kjo do të thotë se asnjëri nuk do të bjerë më brenda. Atëherë, kujt do t’i vijmë në ndihmë ne? Si mund t’i shërbejmë njerëzimit, nëse nuk ka fatkëqinj si puna jote!? Duhet të bjerë dikush në pus, që ta shpëtojmë, duhet të rrezikohet dikush, që ta ndihmojmë.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.