20.5 C
Tiranë
E martë, 17 Qershor 2025

Libri me poezi “Shkalla e diellit” i poetit Fran Tanushi

 

Nikollë Loka

May be an image of Nikolle Loka

Titulli i librit të poetit Fran Tanushi “Shkalla e Diellit”, ka metaforën e dritës. Dielli shpërfaqet në këtë tufë poezish refleksive, meditative, filozofike, plot ndjesi njerëzore. Në njëfarë mënyre ai është motivi brenda njeriut. Ashtu si Martin Camaj, që gjen elemente në dukje të zakonshme, të thjeshta nga ashti malësor dhe relievi bjeshkëtar (gjarpni, breshka, korbi, karpa, rrungaja) dhe i poetizon bukur, Frani ngre në nivelet e ligjërimit poetik shkarpën, që duket se e ka patur fort për zemër, si një prurje të vetën.  Poezia e Franit është e tokës, hapësirës, lirisë, kujtimeve, dashurisë, shpresës, thirrjes për ta dashur atdheun, pa kërkuar ndonjë çmim për dashurinë ndaj tij.

Libri poetik “Shkalla e Diellit” është i strukturuar në një mënyrë të veçantë, në katër cikle (me nga një poezi paraprirëse, si parathënie e secilit cikël): “Ti ke diell mbi krye”, “Jep gjithë atë që të lumturon”, “Pranverë e vonë u këput në mes”, “Të duhemi vonë kurrë nuk është” dhe dy poezi-poemtha të mirëkompozuara: “Vargje të varura në kujtesë” dhe “Vargje të lidhura nyje”. Poeti e njeh mirë arën që lëron, duke e përdorur mjeshtërisht fjalën e figurshme dhe duke kërkuar forma të reja shprehëse. Ndër poezitë më përfaqësuese të stilit të autorit në këtë vëllim poetik janë: “Është një vend”, “Dy dashuri”, Drand(o)fillja, “Motiv qershori”, “Libri”, “Troja”, “Mestina”, “Rruga e grafiteve të grisura”, “Koleksionisti”, “Eksodi”, “Guximi”, “Kori i britmave”, “Riti i flijimit”, “Klithma e shpirtit”, “Ti që vjen e ikën me natën”, “Karma”, “Kohë për ligjërime”, “Një qiri”, “Arrati”, “Ndryshimi i motit”, “Dritëhije” etj.
Poezia që hap librin është një hymn origjinal gjithë ndjenjë dhe muzikalitet për bjeshkën, nënën, amësinë, kohën. Është një lirikë e thurur me ndjeshmëri të hollë, që tingëllon si një shpallje madhore e gjithjetshme e njeriut të maleve. Vargu “Erdhi dita e verës” të fton për një muzikë të re, për një stinë të re me diell. Jo rastësisht dhe njëri nga nëntitujt e librit është “Ti ke diell mbi krye”, që të kujton vashat që nusërojnë me kurorën e stringlave të margaritarta mbi ballë.
Në poezinë “Shtegtari”, autori e merr diellin e vendlindjes më vete ngado që shkon, atë diell që në vendlindjen e tij si për paradoks po soset prej braktisjes së trojeve nga njerëzit. Drama ndodh bash aty ku ka pulsuar jeta për qindra e mijëra vjet: Në atë oborr të gjerë, me dyer nga lind dielli,
ku ftillon kujtimet e tij të trishta, “një poet i bjerrë fatit”.
Nuk kemi të bëjmë asesi me nje metaforë diellore që sjell dritë. Poeti nuk ekzaltohet dhe nuk vargëzon si soditës, por ravijëzon kontrastin mes diellit ndriçimtar në hapësirën qiellore dhe rrënimit të pashëmbullt tokësor. Ai ngrihet kundër kësaj zhbimjeje tokësore, njerëzore e shpirtërore, që njeriut i krijon vetmi dhe errësirë shpirtërore.

Shqiptarët janë flijuar motmotesh, ndaj poeti nuk dëshiron t’ia mësojë dikujt ndër të sotmit ritualin e flijimit, siç del nga poezia “Riti i flijimit”, ndër më të arrirat e librit, që ky rit të mos vazhdojë, aty “ku jeta vdes dhe vdekja lind”.

Poeti e përjeton tokën e tij nga brenda dhe nga jashtë trojeve. Mjafton për këtë të citosh poezinë: “Dy dashuri”, që tregon vetë jetën e poetit. Poezia vjen si një dialog i tij me të birin, pasardhësin. Duke qenë poezi e përjetimeve të mëdha, në të shprehen raporte vertikale me kohën, dheun, qiellin, tokën dhe me paraardhësit.

Poeti Fran Tanushi e ka kristalizuar profilin e tij krijues, duke shkruar një poezi me nerv poetik, ku spikasin mjaft figura të një plani poetiko-filozofik të veçanta, që e afirmojnë edhe më shumë si poet, si në poezitë: “ku jeta vdes e vdekja lind”, “për tokë e për qiell”, “stinëve të bardha iu fala shpirtërisht”, “mbi hijen time/ e kërkoj vetveten”, “varkë e plasaritur vazhdon lundërimin”, “kufirin e fluturimit zogjve ua kam shkelur”, “hije që ndjek hijen/ dritë pas dritës”, “Lumturohu që u (ri) gjetëm” etj.

Poezitë e Tanushit vijnë bukur njëra pas tjetrës, të shkruara në funksion të një ideje qendrore dhe në disa dimensione e raporte me vendlindjen, atdheun, të kaluarën dhe të sotmen. Poeti Tanushi përcjell në poezi fatin kolektiv të njerëzve dhe marrëdhënien e përjetshme të tyre me atdheun.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.