Ky Kuvend është rezultat i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e 25 prillit që prodhuan një mazhorancë të qartë dhe formacione politike po aq të lexueshme në shprehje të vullnetit të grave e të burrave të Republikës së Shqipërisë.
Por shifrat e faktet postzgjedhore, madje as përkatësia ime politike, nuk do të jenë aspak ylli i karvanit në detyrën që përgatitem të marr përsipër. Kjo është pak, por e sigurtë.
Për mua, shumicën nga pakica do ta dallojnë vetëm numrat. Për nga hapësirat, mundësitë e kontributi në jetën parlamentare, për zhvillimin e vendit dhe konsolidimin e demokracisë, të gjithë do të ndihen të barabartë.