“Globi në krahët e mi”, është vëllimi i gjashtë poetik, shto këtu dhe gjashtë monografi e studime të poetit e studiuesit Llesh Ndoj, të botuara në një hark kohor relativisht të shkurtër, që do të thotë një stinë e bagatë krijimtarie. E gjithë jeta e autorit dëshmon veprimtari intensive në çdo moshë. I tillë ai shfaqet që në fëmijëri, me pasionin e tij për mësime e punë. Kështu, edhe nërini, në jetën studentore, si veprimtar shoqëror, apo si drejtues ekonomie, etj. Dashuria dhe etja e tij per dije fillon në vendlindjen e tij, në prehër të maleve epike, me një bukuri të egër, por në një territor të banuar nga njerëz që e deshën shumë e nuk ia kthyen shpinën… Edhe se të varfër, ata ishin aq bujar, saqë të tillë takohen rrallë!
Aty në Domgjonin e tij fillojnë edhe vegimet e para poetike, që një ditë shpërthyen bukurisht. Në gjithë krijimtarinë poetike dhe studimore tё Llesh Ndojt, takojmë poezinë me temё aktuale, se autori i shkruan me dashuri motivet e tij, jo vetëm poezinë, por edhe monografinë e studimet që ka botuar. Si tek të gjithë poetët, edhe tek Llesh Ndoj, ndihet ndikimi i poezisë popullore dhe i autorëve tanë të traditës. Në pjesën më të madhe, autori krijon me vargun e rregullt, tetërrokshin, dymbëdhjetrrokshin e shpesh edhe gjashtërrokshin. Por, jo përherë, sepse nё shumё raste Lleshi lëvron edhe vargun e lirë, duke respektuar ritmin e brendshëm, sintaksën dhe prozodinë poetike në tërësinë e vet.
Në një vështrim të përgjthshëm, gjithë krijimtaria poetike e autorit është dedikuese, pra merr shkas nga impresionet që përfton autori në jetën e tij vetjake e sociale. Kështu ngjet edhe me librin: “Globi në krahët e mi”. Poetit i ka sjell gëzim të madh në zemër, atij dhe krejt familjes, ardhja në jetë e Ervisit. Gjyshi poet e ndjen së thelli vazhdimin e lisit të gjakut të tij. Nipi, që në psikologjinë popullore është thënë poetikisht si: “Mjalti i maltit”, është bërë muzë. Duke e mbajtur në krahё, gjyshi i tij i gëzohet të ardhmes, që i uron të jetë e bukur dhe dinjitare. Në këto çaste lumturie, autori evokon poetikisht fëmijërinë e tij të varfër, prindërit me mesazhet atërore, nënën, moshatarët, gjënë e gjallë, udhën e dijes…dhe shpalohet aty një atlas i pasur i hartës së kujtimeve, që nga Qafa e Shullanit apo Golemi i Kavajёs tek teknikumi bujqësor historik, në shkallët e fakultetit, në veprimtaritë rinore me vlerësime të larta, në ballkonet bjeshkëtare, si specialist bujqësie e drejtues i saj. I gjithë ky evokim vjen si këngë për vendlindjen e poetit e njerëzit e saj të mirë, si një metaforë dashurie e përkushtimi.
Në pesë ciklet që mban libri nuke vokohet vetëm e djeshmja me bukurinë e dhimbjen e saj, por skicohet me tone pamfletike edhe realiteti i sotëm i shoqërisë shqiptare, por dhe i zhvillimeve, herë – herë të çuditëshme, e herë – herë edhe tragjike të mbarë shoqërisë njerëzore. Ka disa krijime si “Gomari i Babatasit”, “Dialog me ferrin”, “Ukrainë” etj, ku autori vё në qendër të krijimtarisë së tij dukuritë sociale bashkëkohore, por edhe ato kriminale individuale e shtetërore, korrupsionin etj, duke shprehur artistikisht edhe papajtueshmëritë e tij.
Me shumë dhimbje e dashuri, por edhe të arrira artistikisht, janë dedikimet – homazh për të dashurit e autorit që nuk jetojnë më. Ky monument poetik është një vepër humaniste me vlera të spikatura artistike, që i shtohet korpusit të krijimtarisë së autorit.
Si çdo krijues tjetër, edhe Llesh Ndoj ka përvojën e vet dhe laboratorin e tij kreativ. Një përvojë e mirë për të, mendoj se ka qenë dhe bashkëpunimi me poetin dhe shkrimtarin e njohur, Hasan Hasani (Përkola), i cili ka qenë intensiv, ndonëse i shkurtër në kohë. Bashkëpunimi i tij me shkrimtarin me rrënjë etnologjike në Domgjonin e origjinës, ka dhënë frytet e tij të dobishme në lëvrimin e poezisë, por edhe në tërë shkrimtarinë e tij.
Është fakt i ditur se poeti e studiuesi, tashmë i njohur, LleshNdoj, nuk ka formimin professional adekuat në fushën e letërsisë, por kjo është e kapërcyer me talentin e studimet dhe pasionin e tij pёr poezinë e letërsinë në tërësi. Ka raste të shumta jo vetëm në letërsinë e huaj, por edhe në atë shqipe, kur krijues me formim në shkencat ekzakte kanë shkëlqyer me krijimtarinë e tyre. Shkrimtari i njohur Teodor Laço ishte agronom, po kështu shkrimtari tjetër i njohur, Fatos Kongoli, ishte mësues matematike, apo Betim Muço që kishte mbaruar për fizikë bërthamore, e kështu mund të rreshtonim edhe shumë e shumë të tjerë.
Në epilog të këtij shënimi modest për librin poetik: “Globi mbi krahët e mi”, mund të them me bindje se është një sukses për autorin, por edhe një prurje interesante për poezinë që lëvrohet sot në të gjithë hapësirën shqipfolëse, e kontribut me vlerë i autorit Llesh Ndoj.