Të nderuar miq e lexues.
Kesaj të shtune u zhvillua edicioni i tretë i konkursit “Takimet poetike të Sharrit”.
Ky aktivitet mbahet në Tetovë, por e veçanta e këtij edicioni ishte se për krijuesit e diasporës konkursi u zhvillua online nëpërmjet platformës Jitsi Meet.
Nuk e kisha menduar, por ishte shumë emocionues interpretimi në kushte qetësie të plotë nga shtepia. Emocionues ishte dhe momenti I ndarjes së çmimeve kur më shumë se 30 krijues ishin gjithë sy e vesh nga ekrani për të dëgjuar poezitë fituese.
Pata nderin të marr çmimin “MENADA” me poezinë:

Sapo ti më dërgon fjalë, e pamundur të mos vi
Dhe në qofsha zemëruar e betuar të mos dalë
Këmbët hiç s`do më pyesin, do më sjellin drejt tek ti
Dhe nga dallgë e furishme, do zbutem do bëhem valë
Sapo dorën të ma prekësh, e pamundur të mos ndjej
Drithërimë do m`bëhet trupi që nga flokët gjer në thua
Do bëj gjoja si e fortë, po s`do mundem të gënjej
Kur të flasë dritë e syve, atë çast do heshtë gjuha
Me shikim kur të më zhveshësh, rreth e rrotull do hedh sytë
Pavedijshëm do mbledh duart para gjoksit të mbulohem
Një e kuqe flakë e afshtë, do më ngjitet gjer në fyt
Dy hapa do të smbrapsem, një miljon do të afrohem
Kur me puthje të më ndezësh, e buza t`më bëhet eshkë
Nga dy kodërzat nën bluzë do rrjedh lëng i bekuar
Lëndinë fluturash do të bëhet, pak më poshtë stomak i shkretë
Do vraposh si çmendur drejt luginës së praruar…
Do harrojmë se ç`thotë bota, sy e veshë do t`ia lidhim
Le të klithë të tundë malet si bishë e tërbuar
Dhe në tokë nëse zbresin, djaj e shenjt të gjithë sëbashku
S`do ketë zot të na ndalë, nga mëkat i shenjtëruar